Deputetë, mos n’a terrorizoni me fjalë-retorikë boshe-bajate!

0

Jusuf BYTYÇI
Interpelancat e shpeshta dhe diskutimet e pafundme të deputetëve si në kor, pavarësisht nga qëllimi dhe çështja tematike debatuese, sikur po e humbasin kuptimin dhe po shihen veç si “arsyetim” koti se po punojnë të zgjedhurit e popullit! Jo veç me diskutimet e kësaj të enjte, me temë më se 1600 të pagjeturit, kryesisht shqiptarë, të zhdukur ende pa gjurmë nga Serbia okupatore, por edhe për të zhvendosurit tjerë, të pasluftës, si rasti i shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës, deputetët, kryesisht ata nga opozita, dëshmuan veç dëshirë të thonë diçka! Absolutisht ata, si nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci, me Company, por edhe ndonjë deputet tjetër, ish-ministra në Qeverinë Haradinaj, nuk thanë asgjë të veçantë nga ato retorikat e stërpërseritura. Akuza, akuza, akuza, për Qeverinë Hoti, thuase ata kurrë më parë nuk ishin pjesë e politikës dhe institucioneve, për të ndryshuar realitetin! Kosova është e të gjithëve, pa përjashtim, veçmas e atyre që kontribuuan me familjet e tyre për Liri, Pavarësi dhe shtet ndërtim. Është e natyrshme që punët që nuk janë kryer për 21 vitet e pas luftës dhe më shumë se 12 vitet e Pavarësisë, nuk mund të kryhen për disa muaj, as për një vit as për një mandat të tërin qeverisës. Është e natyrshme që opozita pretendon gjithmonë të arrijë epërsinë në të ardhmen, duke kritikuar gabimet ose mangësitë e pushtetit, të korrigjojë Qeverinë, sikundër që pushteti duhet punuar sistematikisht për të realizuar objektivat programore qeverisëse për ngritjen e standardit të jetës e kushteve të qytetarëve. E Kosova, ka shumë përballje të shumta, jo veç standardin ende të ulët të përgjithshëm jetësor, shkallën e ulët të papunësisë, zhvillimin ekonomik, bizneset gjithnjë e më të dëmtuara të sektorit privat, si pasojë e gjendjes pandemike, dhe shumë probleme tjera në nëntë muajt e rëndë të përballjes me Covid-19, me viktima dhe infektime të shumta! Këtë gjendje, respektivisht përballimin më të lehtë të saj, po e pamundëson mos uniteti politik në Kosovë, polarizimi i skajshëm brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Muaj të tërë flitet, diskutohet në Komisione Parlamentare dhe në Kuvendin e Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike dhe ligji, fatkeqësosht ende nuk është miratuar! Jo vetëm opozita, që ka hesapet e veta, të pengojë sa më shumë qeverisjen, që nesër para votuesve të prezantojë ofertat e tyre “fatlume”, por të papërgjegjshëm duken edhe vet deputetët e koalicionit qeverisës, jo vetëm serbët! S’ishte dhe nuk duket arsye infektimi i njërit apo deputetit tjetër me Covid-19.
Kjo që shihet, dëgjohet dhe dëshmohet në Kuvendin e Kosovës, është tepër e neveritshme, është e pamoralshme, e papërgjegjshme, edhe më shumë! Fjalimet e pafundme të deputetëve për të njëjtat çështje, janë të gërditshme, janë të mërzitshme, janë thjeshtë terrorizuese. Me retorikë bajate dhe në “kor”, dallohen deputetët e LVV-së, opozitës më ekstreme që mbahet mend në Kosovë! Megjithatë, këta edhe mund të arsyetohen, sepse ishin fare pak muaj në Ekzekutivin e vendit, por nuk kanë arsye të ngrisin zërin dhe tonin ata që një vit më parë kishin poste ministrore dhe siç e thoshte shpesh ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi, nuk e patën bërë fet! Deputetë, ju që me apo edhe pameritë jeni sot përfaqësues të popullit, mos n’a terrorizoni me fjalë-retorikë boshe, jeni bërë tepër bajat, krejt këto fjalë, fjalime, i kemi dëgjuar, madje dhjetëra herë! Për dallim nga shumë institucione, ju po paguheni tepër shtrenjtë, por nuk e arsyetuat absolutisht votën, besimin!
Mjaft më me retorikë përrallash, arsyetoni më pagat marramendëse zonja Nagavci e Company! Kujtoni dhe mos harroni, pagat tuaja, janë djersë e taksapaguesve të lodhur në Kosovë, kryesisht taksapaguesve shqiptarë, prandaj, mos bëni aq shumë sehir karshi gjendjes së rëndë ekonomike dhe përballjeve si pasojë e pandemisë Covid-19! E kjo e fundit, e ka lodhur edhe Botën, edhe shtetet më të fuqishme ekonomike të Botës dhe Europës, prandaj Kosova ka nevojë për unitet dhe bashkim forcash vendëse, siç na duhet edhe ndihma e miqve, e Amerikës, me të cilën u çliruam! Mos injoroni as kontestoni të mirat e miqve!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here