Deputetë të PDK-së paralajmërojnë se do të votojnë kundër Gjykatës Speciale

0

Gjykata Speciale është shumë pranë dështimit. Nuk janë vetëm deputetët e opozitës që kanë paralajmëruar votën kundër kësaj gjykate.

Edhe disa deputetë të PDK-së kanë paralajmëruar votën kundër. Burime të Gazetës Blic brenda PDK-së kanë konfirmuar jozyrtarisht se janë hiq më pak se 7-8 deputetë të partisë më të madhe në vend që janë kundër kësaj gjykate.

“Janë 7-8 deputetë të PDK-së që do të votojnë kundër kësaj gjykate. Ka një presion të jashtëzakonshëm nga kreu i partisë dhe nga ndërkombëtarët që të bindin këta deputetë të votojnë këtë gjykatë, mirëpo ende nuk kanë arritur që t’i bindin”, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, nëse këta deputetë nuk do të lëshojnë pe, atëherë projektligji për themelimin e kësaj gjykate nuk do të jetë fare i lehtë. “Sipas të gjitha gjasave, vota kundër e këtyre deputetëve, do ta bëjë të pamundur themelimin e kësaj gjykate”, tha ky burim.

Megjithatë, ky burim nuk ka dashur që t’i përmend emrat se kush do të jenë ata deputetë që do të votojnë kundër kësaj gjykate.

Ndërkaq, deri më tani zyrtarisht që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë Gjykatë nga PDK janë Fadil Demaku dhe Ganimete Musliu. Ndërkaq, deputeti tjetër Nait Hasani në deklaratat e dhëna nuk e ka përjashtuar mundësinë që të votoj kundër.

Ndërkohë, jozyrtarisht thuhet se kundër themelimit të kësaj gjykate do të votojnë edhe Azem Syla, Latif Gashi dhe Nuredin Lushtaku.

Jozyrtarisht mësohet se kundër do të votoj edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, si dhe deputeti i pavarur i Kuvendit, Shaip Muja, i cili është larguar nga PDK.

Nëse opozita dhe këta deputetë të PDK-së dhe Anton Quni i LDK-së do të votojnë kundër, atëherë përfundimisht do të dështoj themelimi i kësaj gjykate. Për të kaluar ky ligj në Kuvend i nevojiten hiq më pak se 81 vota, gjë që koalicioni PDK- LDK edhe pse është koalicion i madh, do të ketë të pamundur kalimin e këtij projektligji.

Në anën tjetër, e para e vendit, Atifete Jahjaga më herët kishte nisur takimet me liderët e partive opozitare, duke u mundur që t’i bind ata që ta votojnë këtë projektligj.

Madje, ajo publikisht ka thënë se nëse Kuvendi nuk do ta themeloj këtë gjykatë, atëherë ajo do të formohet nga të tjerët.

Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa para pak ditësh e ka miratuar Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Ky hap i qeverisë është mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here