Demolli thotë se po bëhen përgatitje intensive që FSK të shndërrohet në FAK

0

PRISHTINË, 9 SHKURT – “Ministria e FSK-së është e gatshme të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes kurse FSK-ja të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës”, ka thënë sot ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një raportimi para Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës. Demolli ka folur për punën që po bëhet në Ministri dhe në vetë FSK-në për bashkëpunim të suksesshëm rajonal dhe ndërkombëtar, “për anëtarësim të vendit në NATO dhe në Partneritetin për Paqe, si dhe për shkollimin profesional të kuadrit ushtarak”. Ministri Demolli, është përqendruar në punët e kryera dhe aktivitetet aktuale që e presin Ministrinë e FSK-së për të ndryshuar misionin e kësaj Force. Ai ka pohuar se e gjithë puna mbështetet profesionalisht nga mekanizma të fuqishëm ndërkombëtarë, si: DIRI (SHBA), Ekipi Këshilldhënës i NATO-s për FSK-në, Garda Kombëtare e Ajovës ( SHBA) dhe mekanizmat e Ambasadës amerikane në Prishtinë. Demolli i cili në raportim ka qenë i shoqëruar edhe nga komandanti i FSK-së gjeneral Kadri Kastrati, ka folur edhe për punën që ka bërë Ministria, të cilën e udhëheq, për hartimin e Draft-doktrinës së përgjithshme të Forcave të Armatosura të Kosovës, duke u shprehur i gatshëm edhe për hartimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, si dhe për inicimin e Strategjisë së Mbrojtjes. Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj, por edhe të gjithë anëtarët e pranishëm në takim, kanë qenë të interesuar për ngritjen e misionit të FSK-së dhe transformimin e kësaj Force. Ata i kanë shtruar pyetje të shumta ministrit Demolli, si dhe komandantit të FSK-së, gjeneral, Kadri Kastrati. Pyetjet kishin të bënin në lidhje me hapat,veprimet dhe procedurat e parapara për përfundimin me sukses të transformimit të kësaj Force. Demolli dhe Kastrati kanë pohuar se janë përgatitur të gjitha amendamentet kushtetues (16 sish) që mundësojnë transformimin e FSK-së, të cilat kanë marrë edhe miratimin e Gjykatës Kushtetuese e që duhet të marrin miratimin edhe të Ministrisë së Financave, të asaj për Integrimeve Evropiane, duke u shprehur i bindur se kur të vijnë në Kuvend , do të marrin miratimin edhe të komisioneve përkatëse parlamentare. Demolli është shprehur optimist, ndërkaq, që për amendamentet e propozuara kushtetuese për transformimin e FSK-së do të sigurohen votat e mjaftueshme të deputetëve (dy të tretat e tyre), përfshirë edhe shumicën e kualifikuar të deputetëve nga radhët e bashkësive etnike joshqiptare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here