Demaçi thërret: Dëgjojeni Bacin, mos dilni në protesta!

0

Veprimtari Adem Demaçi ka thënë për Politiko.net se problemet nuk zgjidhen as me protesta e as me largimin e Jabllanoviqit e Stojanoviqit. Ai thërret që të mos humbet kohë kot me protesta por që problemi të goditet aty ku mund të ndryshohet sistemi. “Faji është te ne që ia bëjmë të mundur Jablanoviqit që të herë të jetë anëtar i Qeverisë së Serbisë e herë anëtar i Qeverisë së Kosovës, të zgjidhet andej e këndej. Këto lojëra që po luhen e përbuzin Kosovën, e shkelin sovranitetin e Kosovës, e shkelin pavarësinë e Kosovës dhe këtu dikush është përgjegjës”. “Jablanoviqi është një njeri dhe në vend të tij mund të vij Stojanoviqi, dhe vjen tjetri, kështu që mos të kapemi kot se nuk mund ta rregullojmë atë punë me largimin e Jabllanoviqit apo Stojanoviqit. Duhet të goditet atje ku mund të ndryshohet sistemi për ta shikuar bota dhe të tjerët që megjithatë shqiptarët nuk janë asi syleshësh. Dikush është duke luajtur me ne dhe me dinjitetin tonë”, thotë Demaçi për Politiko.net.

Sipas tij, Serbia i zgjedh njerëzit dhe ata pastaj si të zgjedhur atje emërohen këtu. E këtu Demaçi e sheh edhe problemin.

“Kemi ne serbë që janë të gatshëm ta pranojmë sistemin tonë, ta pranojnë bashkëpunimin me ne si Rashiqi me të tjerët – ata lihen anash për shkak të lojërave të Serbisë e cila në çdo mënyrë po mundohet ta pengojë dhe njollosin sistemin tonë. Këtu duhet të kapemi dhe jo për Jablanoviqin dhe mos të humbim energji dhe kohë që të bëhemi sikur ata arabët që çohen dhe bëjnë poterë andej- këndej pa kurrfarë kuptimi”.

“Dëgjojeni Bacin, kapuni për gjëra serioze, esenciale, substanciale e mos u kapuni për një ministër”, apelon Demaçi, dy ditë para protestës gjithë popullore të thirrur për të shtunën në Prishtinë nga Lëvizja Vetëvendosje, organizata “Thirrjet e Nënave” dhe të përkrahur edhe nga AAK dhe Nisma si parti opozitare, por edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Protesta po mbahen në shumë qytete të Kosovës, përmes të cilave po kërkohet shkarkimi i ministrit Jabllanoviq, i cili javë më parë i quajti egërsira nënat gjakovare të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë luftës, e të cilat po kundërshtonin vizitën në Gjakovë të atyre që i konsiderojnë përgjigjes për krimet e bëra në këtë qytet.

Por Adem Demaçi, një njeri i cili ka kaluar 28 vjet në burgjet serbe këto protesta i sheh si humbje kohe, pasi sipas tij, me to nuk zgjidhet asgjë.

“Kjo është një e keqe që po na rrjedh e mos u merrni me atë lëngun që po bie poshtë me do pjata e legenë, që po mundohen me largu Jabllanoviqin e Stojanoviqin – kjo nuk është asgjë, vetëm sa për të humbur kohë”, deklaroi Demaçi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here