Debat demokratësh, pa “goditje nën brez”

0

Shumë larg në pikëpamje përsa u përket çështjeve të politikës së brendshme, më afër për politikën e jashtme të SHBA-ve. Kjo është ajo që u kuptua nga debati i fundit mes Hillary Clinton-it dhe Bernie Sanders-it në debatin e radhës në televizionin NBC. Dy rivalët demokratë janë përballur në Charleston, Karolina e Jugut, pak para zgjedhjeve preliminare që pritet të mbahen në shkurt në Iowa dhe New Hampshire, ku Clinton dhe Sanders janë në një garë të ngushtë.

Debati Clinton-Sanders, pavarësisht toneve shpesh të ashpra, ishte një përballje qytetare, pa fyerje dhe “goditje nën brez”. Clinton është shfaqur solide dhe pragmatike dhe e ka vënë theksin në politikat e ndjekura nga Obama, veçanërisht në reformën shëndetësore, atë të “Wall Street”-it dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Ndërsa Sanders ishte më idealist, me vlerësim për presidentin Obama, por njëkohësisht duke vënë në dukje pikëpamjet që i ndajnë e duke theksuar nevojën e një revolucioni politik.

Përplasja më e fortë ka qenë ajo mbi të ashtuquajturën “Obamacare”, strategjia e presidentit amerikan në politikat shëndetësore, të cilën Clinton e ka mbrojtur me forcë.

Sanders ka theksuar se parashikon shtrirjen e asistencës shëndetësore tek të gjithë amerikanët, pasi ajo “duhet të jetë një e drejtë dhe jo një privilegj”.

Në politikën e jashtme, dy pretendentët për kandidatë për president janë më afër në pikëpamje. Sa i përket çështjes së Iranit, tonet ishin të qeta dhe nga të dy u lavdërua përmirësimi i marrëdhënieve pas marrëveshjes për armët bërthamore, por duke qenë vigjilentë në lidhje me lëvizjet e mëtejshme të Teheranit.

Në lidhje me Sirinë, të dy kandidatët kanë të njëjtin mendim: Luftë terrorizmit, por pa ndërhyrje nga toka dhe strategji diplomatike për të zgjidhur krizën duke përfshirë edhe vendet e tjera myslimane.

“Washington Post” shkruan se fituesi i debatit ishte Sanders, pasi sipas saj Clinton u tregua politikisht korrekte dhe nuk përdori sulmin si strategji, duke humbur kështu një shans për të mposhtur një konkurrent që po fuqizohet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here