Daut Haradinaj e falenderon Turqinë për ndihmën ndaj refugjatëve sirianë

0

PRISHTINË, 11 SHKURT – Deputeti Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës se Sigurisë se Kosovës, duke marrë pjesë në sesionet e Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim për Sigurinë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtura me 9-10 shkurt 2015, në Stamboll duke ua rikujtuar pjesëmarrësve përjetimin e vështirë të vendit të tij të vitit 1999, kur bashkëvendësit e tij u detyruan të ikin nga lufta, t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të emigrojnë, e ka falenderuar Turqinë për ndihmën që po ju ofron refugjatëve sirianë, si dhe u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që mund të kontribuojnë “t’i ndihmojnë këta njerëz të cilët vërtetë janë duke vuajtur”. Tema mbi refugjatët e luftës, në veqanti ata sirianë sipas njoftimit ka qenë ndër më të debatueshmet në sesionet ku është folur edhe për luftën kundër terrorizmit e tema të tjera. Haradinaj sipas një njoftimi të publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës në internet, ka marrë premtime të fuqishme për mbështetjen e vendit tonë për anëtarësim në të gjitha nismat rajonale dhe Euro Atlantike të sigurisë, mbrojtjes dhe drejtësisë. Në këto sesione pjesëmarrës ishin edhe të deleguarit e Parlamentit të Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe të Turqisë. Përkundër reagimeve paraprake të Parlamentit të Serbisë që Kosova të trajtohet si mysafirë special dhe jo si pjesëmarrëse me të drejta të barabarta, me mbështetjen e Parlamentit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Turqisë, Kosova ishte pjesëmarrëse me të drejta të barabarta si të gjithë pjesëmarrësit tjerë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here