Dallaveret me shpronësime, hetime ndaj gjyqtarit dhe avokatit në Malishevë

0

Bekim Kryeziu, avokat, dhe Haki Kryeziu, gjyqtar, kushëri mes veti, po marrin mbi vete zgjidhjen e disa lëndëve kontestuese në Malishevë. Për çudi, shumicën e këtyre rasteve i ka fituar avokati Bekim Kryeziu. E fundit, ka vlerën mbi 510,000 Euro për shpronësimin e pronës për ndërtimin e autostradës që kalon nëpër Komunën prej nga vinë ata. Me lidhjen e këtyre dy gjyqtarëve, po merret edhe Agjencia Anti-Korrupsion edhe pse këta të dy e mohojnë lidhjen e tyre të afërt.

Gjyqtari Haki Kryeziu ka vendosur në favor të shpronësimit të një prone në vlerë mbi 510 mijë euro për ndërtimin e segmentit të autostradës e cila kalon edhe nëpër Komunën e Malishevës. Në këtë rast, përfaqësuesi i palës paditëse ka qenë avokati tjetër nga Malisheva, Bekim Kryeziu.

Dy zyrtarët në fjalë kanë lidhje të afërt familjare mes vete, edhe pse një gjë të tillë, Haki Kryeziu dhe Bekim Kryeziu e mohojnë.

Por, ndaj rastit në fjalë, Agjencia Anti-Korrupsion ka ngritur dyshimet për konflikti interesi. Sipas drejtorit të AKK’së, Hasan Preteni, në rastet e tilla, ku gjyqtari dhe avokati janë të afërt mes veti duhet, gjithsesi, të deklarohet konflikti i interesit.

“Rasti është proceduar për trajtim të mëtutjeshëm, që t’i vërtetojmë dyshimet”, ka thënë Preteni për Gazetën Express.

Megjithatë, Gjyqtari Haki Kryeziu pretendimet e tilla i ka hedhur poshtë, duke siguruar se po të kishte pengesa ligjore për këtë rast ai vet do të kërkonte përjashtimin e tij nga ky proces gjyqësor i shpronësimit në Malishevë.

“Avokatin Bekim Kryeziun nuk e kam kushëri të afërt qoftë në vijën vertikale apo horizontale në cilën do shkallë apo në shkallën horizontale deri në shkallë të katërt. Nuk ekziston asnjë rrethanë që e vënë në dyshim paanësinë për gjykimin e këtij rasti. Sikur të kishte pengesa ligjore do të kërkoja nga kryetari i gjykatës përjashtimin tim nga ky rast”, ka thënë për Gazetën Express, Haki Kryeziu, gjyqtar i degës së Malishevës të Gjykatës Themelore të Gjakovës.

Ndërsa, Avokati Bekim Kryeziu ka thënë se në rastin në fjalë, ku si palë e kundër ka qenë Qeveria e Republikës së Kosovës, këta të fundit nuk kanë kërkuar përjashtmin e gjyqtarit pasi sipas tij nuk kanë parë se ka bazë ligjore e as dyshime se mund të ketë konflikt interesi.

“Se a paraqet kjo konflikt interesi me asnjë dispozitë ligjore e as me kodin etikë të Odës së Avokatëve të Republikës së Kosovës kjo nuk paraqet konflikt interesi”, pohon Kryeziu.

Nga ana tjetër, burimet e Gazetës Express marrin vesh se rasti i Haki e Bekim Kryeziut po hetohet edhe nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, e thirrur për t’i hetuar sjelljet e mundshme të pahijshme të kryera nga gjyqtaret dhe prokurorët në Kosovë. Megjithëse kjo zyre nuk e konfirmojnë zyrtarisht hapjen e hetimeve për një rast të tillë. ZPD as nuk i mohon ato.

“ZPD tani për tani nuk është në pozitë të komentoj apo të jap informacione për çështjen që Ju pyesni”, thuhet në përgjigjen e ZPD’së për Gazetën Express.

Ndaj gjyqtarit Haki Kryeziu akuza ka pasur edhe në të kaluarën se ai po i gjykon disa lëndë ku avokat mbrojtës është angazhuar Bekim Kryeziu. Kohë më parë, dyshohej se gjyqtari Haki Kryeziu ka prishur renditjen e lendeve në Gjykatën Themelore të Gjakovës – Dega në Malishevë duke gjykuar vetëm lëndët e tij në të cilat ishte i angazhuar vet në kohen kur punonte si avokat e që pastaj i kishte trashëguar kushëriri i tij, avokati Bekim Kryeziu. /GazetaExpress

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here