DAFINA THAÇI, SHQIPTARJA QË JETON NË BRAZIL

0

Dafina Thaçi e ka bërë të kundërtën e asaj që e bëjnë shumë brazilianë. Derisa shtetasit e këtij vendi shohin mundësi se si t’ia bëjnë për të ardhur në Evropë për të zhvilluar karrierë, vajza nga Kamenica ka shkuar nga Evropa në Brazil. Ajo ka treguar që e ka pasur gjithmonë ëndërr që të shkojë në një vend latino-amerikan dhe kjo i ishte bërë realitet në vitin 2008. Thaçi ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Belo Horizonte-s. Ajo, në një intervistë për portalin Online është shprehur se  se si Brazili është një vend që ofron mundësi të shumta punësimi. Thaçi ka thënë se brazilianët nuk kanë shumë informacion për shqiptarët, ndërkaq sipas saj institucionet e Kosovës nuk kanë bërë mjaft që ky shtet ta njohë Pavarësinë e Kosovës. Në këtë drejtim ajo ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme, që aktualisht drejtohet nga personi me mbiemër si të saj, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.

Si u bë që shkuat në Brazil?

Gjithçka nisi nga një OJQ kosovare, ku kishte partneritet me një Universitet brazilian, në qytetin e Belo Horizonte-s, që mundësonte bursa studimesh për të rinj nga vende të ndryshme të botës, ne veçanti për vendet e varfëra e të dala nga lufta, ato që ishin në rindërtim e sipër, si: Kosova, Haiti dhe shumë vende afrikano-veriore. Si fillim, u mahnita nga ky shans, që më ofrohej njëherë në jetë, e besoja unë. Pasiqë gjithmonë kisha dëshirën të njihja një kulturë apo vend latin, po të kisha mundësinë edhe për pak ditë vetëm. Më pëlqen ajo jashtë ndodhive të zakonshme.  Dhe, ja këtu jam, ka pesë vjet, në një vend me kulturë dhe zakone absolutisht të ndryshme nga ato ku unë isha e krijuar. Nuk mund ta mohoj që edhe kisha pak frikë, mbase më duhej të udhëtoja në një botë shumë të largët dhe pothuajse të panjohur deri ateherë. Por, dëshira dhe kureshtja me ishin më të forta, që munden edhe frikën.

Pse keni zgjedhur ta studioni Gazetarinë?

Që nga fundviti i 2008 jetoj në Brazil. Fillova me kursin e gjuhës portugeze (gjuhë zyrtare). Pastaj u dhashë kontinuitet studimeve për Gazetari, profesion i ëndërruar që si fëmijë.  Kur përmend fëmijërinë, rikujtoj që kam qenë shumë e rebeluar, plot me kureshtje në kokë dhe aspak fanse e rutinave… Mbase për këtë arsye zgjodha Komunikimin Social, drejtim që largon nga çdo gjë e përsëritur qe e përditshmja ta imponon. Gazetaria, dashuri e pashuar eternale!

Cila është perspektiva për punë që e ofron Brazili, pra çfarë kushte ofron ky vend?

Brazili është vend në zhvillim, me shumë opsione dhe mundësi punësimi, por akoma pa ndonjë strukturë politike, ekonomike dhe sociale të definuar mirë – bëj këtu krahasimin me vendet e tjera më të zhvilluara, në aspekt global. Kjo mbase për një kohë të gjatë ka qenë vend pak më i mbyllur për botën e jashtme, si shkak i qeverisjeve jo të drejta dhe të ç’orientuara, apo të kapim rastin më ekstrem që e stagnoi këtë vend për njëzet vite, Diktaturën Ushtarake (1964-1984).

Kush qeveris aktualisht atje dhe me cilën ideoligji politike në pushtet janë më shumë të kënaqur brazilianët?

Në pushtet sot kemi Partinë e Punëtorëve (por. PT) e konsideruar si e majtë, që ka filluar me qeverisje prej dymbëdhjetë vjetësh, e do të vazhdojnë edhe për katër vjet të tjera, pasiqë në vitin e kaluar u mbajten zgjedhjet presidenciale dhe fituese doli sërish partia e njëjtë, d.m.th. e majta. Rezultati ishte shumë i ngushtë me partinë opozitare, që edhe çoi zgjedhjet në rrethin e dytë. Mund të them se partitë kryesore nuk i kanë ideologjitë shumë të definuara, ndaj nuk mund të konfirmohet me saktësi se çfarë preferon populli brazilian. Si bazë preference përcakton vetëm përqindja pas zgjedhjeve. Kuriozitet: Votimi në Brazil është i obliguar!

A kanë informacion për shqiptarët dhe Kosovën brazilianët?

Po i bie shkurt kësaj pyetje: dinë shumë pak për shqiptarët-Shqipërinë. Edhe më pak për Kosovën. Njihemi vetëm si ish- Jugosllavi apo si Europë Lindore, d.m.th. të gjeneralizuar.

Të ka rënë të dëgjosh ndonjëherë për arsyen e mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga ky vend?

Mosnjohja nga Brazili vjen si shkak i mosinteresimit dhe joinvestimit për të bërë ndonjë sensibilizim për njohje nga institucionet tona përkatëse, si pikë e parë. Ekzistojnë shumë faktorë të tjerë, që po ndikojnë në mosnjohje. Duke filluar me jopozicionimin e Brazilit karshi konflikteve, çfaredo qofshin ata, që e ka për “stil” ky vend – të qëndrojë “mbi mure”. Mbajtja e marrëdhënieve të mira diplomatike me Rusinë nuk duhet injoruar.

A jeni në kontakt me institucionet e Kosovës dhe a keni pasur rast ta takoni ndonjë politikan brazilian dhe të flisni me të për Kosovën, përkatësisht njohjen e mundshme? 

Po. Vullneti dhe dëshira që të bëj diçka për vendin dhe popullin tim më ka çuar që në mënyrë spontane e të vullnetshme të punoj për sensibilizim, pse jo edhe njohje. Mbaj kontakte të vazhdueshme me politikanë të shumtë dhe të rëndësishëm vendas, që nëpermes tyre arrita të kem mbledhje formale për hapjen e procesit të njohjes së Kosovës, nga Sekretaria e Përgjithshme e Presidencës së Republikës së Brazilit. Do më duhet dhe shfrytëzoj rastin të kërkoj mbështetje nga institucionet tona, sidomos nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Si u përjetua prej njerëzve të rëndomtë humbja e Brazilit nga Gjermania gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit dhe a e morën veten brazilianët nga dëshprimi?

Rasti i humbjes së Brazilit nga Gjermania gjatë Botërorit 2014, më mirë do të ishte sikur të mos rikujtohej. Një vend kampion bote për pesë herë, të humbë në shtëpinë e vet me shatë gola, nuk do koment. Për një vend që futbolli nganjëherë bëhet më i rëndësishëm sesa religjioni dhe gjithçka tjetër, për një vend të cilin e identifikon më së shumti ky sport, ku po mbahej edhe ngjarja më e rëndësishme futbollistike-botërore. Një humbje aq e shëmtuar në shtëpinë e vet, vërtetë ishte shokuese, edhe pse vërehej mirë se loja kundër Gjermanisë do të ishte e vështire, duke marrë parasysh përgatitjen e kësaj Kombëtare. Ndërsa, vërehej gjithashtu një pakënaqësi nga populli brazilian me Kombëtaren e vet, që nga krijimi i saj për atë kampionat. Nga kjo del që kam takuar shumë njerëz, brazilianë, që bënin tifo për kombëtaret e shteteve të tjera. Tani, pas humbjes, vërehet një mos-stabilizim i futbollit brazilian në reprezentim të përgjithshëm të vendit – kjo mbase vjen si pasojë, zhgënjim apo edhe traumë nga rezultati i shfaqur dhe joserioziteti nga ana e teknikëve dhe lojtarëve.

A të merr malli dhe a mendon që të kthehesh të jetosh ndonjëherë në Kosovë?                   

Si s’më merr malli për vendin ku jam lindur e jam rritur?! Ëndërroj përnatë me të, shpresoj përditë në përmirësim dhe në një kthim të një jete më normale. Sikur ta kisha një “shkop magjik” do ta transformoja në një parajsë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here