Çka tha Kadri Veseli në Konferencën e Ambasadorëve?

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, duke marrë pjesë në Konferencën e Tretë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, që u mbajt sot në ambientet e Qeverisë, ka thënë se “konsolidimi i shtetit dhe përparimi në proceset integruese, varen nga një faktor themelor – zhvillimi ekonomik”. “Prandaj është urgjente që ekonomia të kthehet në fokusin kryesor dhe agjendën kryesore të veprimeve dhe angazhimeve institucionale dhe shoqërore të Kosovës”, ka theksuar Veseli.
“Është e nevojshme që ky përcaktim të shërbejë edhe si orientim strategjik i diplomacisë sonë. Me këtë nënkuptoj orientimin drejt diplomacisë ekonomike. Vendit tonë nuk i mjafton më vetëm diplomacia e kurtuazisë. Na duhen veprime konkrete, të matshme për nga efekti i tyre. Na duhen marrëveshje konkrete me vendet me të cilat kemi marrëdhënie ndërshtetërore, posaçërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik”, ka sugjeruar kreu i Kuvendit të Kosovës.

Kryetari Veseli ka tërhequr vërejtjen se “përshpejtimi i zhvillimit ekonomik i siguron vendit instrumentet më të mira në përballjen me efektet e sfidave globale në shoqëri, siç është sfida e terrorizmit”. “Ekstremistët fetarë ushqehen në kushtet e jostabilitetit politik, pasigurisë ekonomike dhe rënies së shpresave sociale”, ka vequar ai.

“Duke e nxjerrë vendin nga stagnimi ekonomik, ne e pakësojmë rrezikun që vendi ynë të bëhet tokë pjellore për ideologjitë e tyre. Ne në asnjë rrethanë nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë. Por, veç masave policore, janë të domosdoshme masat ekonomike dhe investimi real në fushën e edukimit. Është urgjente që kjo të ndodhë, sepse Kosova është tepër e vogël për të përballuar lajme negative mbi të rinjtë e saj që përfundojnë në kampet e terroristëve”, ka theksuar Veseli.

Gjatë fjalës së tij para ambasadorëve, kryeparlamentari Veseli e ka konsideruar themelimin e Gjykatës Speciale si një sfidë tjetër të vështirë, me të cilën është duke u përballur vendi ynë në javët dhe muajt e fundit.

Kreu i Kuvendit theksoi se Kosova duhet ta tejkalojë këtë sfidë me racionalitet dhe pjekuri politike e historike, dhe nuk bën assesi që të dalë e humbur nga kjo sfidë.

“Kosova duhet të dalë e fituar dhe faqebardhë. Që kjo të ndodhë, ne duhet të ngrihemi mbi emocionet tona individuale dhe të veprojmë me arsyen shtetërore. Në të njëjtën kohë, na duhet të ruajmë të palënduar partneritetin me botën perëndimore, me të cilën i kemi arritur të gjitha sukseset historike të Kosovës, çlirimin, pavarësinë, konsolidimin e shtetit. Përveç këtij partneriteti, ne nuk kemi rrugë tjetër të ecjes përpara. Vizioni euro-atlantik është zgjedhja jonë finale”, ka thënë ndër të tjera në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here