Çka përjetoi gazetari turk “Dyzet ditë në duart e xhihadistëve”?

0

Gazetari turk Bunyamin Aygun kishte menduar se jetës së tij i erdhi fundi, kur kishte rënë në duart e xhihadistëve të “Shtetit Islam”. Torturat dhe gjithë tmerrin e përjetuar në burgun e tyre, ai ka rrëfyer në librin “Dyzet ditë në duart e xhihadistëve”.

Një vit më parë, gazetari turk Bunyamin Aygun mendoi se jetës së tij i erdhi fundi, kur u mor peng nga grupi xhihadist “Shteti Islam” (ISIS), duke qenë se këta të fundit lajmëruan ekzekutimin e tij. Por, tani gazetari turk është lënë i lirë si pasojë e një mrekullie dhe rrëfen eksperiencën e tij të hidhur.

Ai për këtë çështje ka botuar dhe një libër me titullin “Dyzet ditë në duart e xhihadistëve”, ku përshkruan qartazi jetën e tij të përditshme si i burgosur, marrëdhënien e tij me rrëmbyesit, ndërkohë që një vëmendje të veçantë në libër ai i kushton presionit të paparë psikologjik që “Shteti Islam” u bënte luftëtarëve të tyre për t’i pasur ata nën kontroll, shkruan gazeta Zëri.

”Nëse nuk do ta kisha shkruar këtë libër, do të ndihesha si një tradhtar ndaj kolegëve të mi”, bën me dije gazetari Aygun në një interviste për shtyp, nga selia e gazetës ”Milliyet” për të cilën ai punon duke iu referuar gazetarëve të tjerë të marrë peng nga xhihadistët, të cilët më pas janë ekzekutuar. ”Këto 40 ditë më janë dukur si 40 vjet”, shtoi ai.

Ai ka marrë disa çmime për shkak se ishte gazetari i parë që kaloi kufirin sirian dhe arriti të raportojë luftën civile që po shkatërron këtë vend që prej më shumë se katër vitesh. Më 25 nëntor të vitit 2013, misioni i tij u shndërrua në një makth të vërtetë.

 

Lutesha të më vrisnin me plumb

Sikur të mos mjaftonin vështirësitë që ai kaloi së bashku me shefin e Ushtrisë së Lirë Siriane për t’iu bashkuar një njësie rebele në qytetin e Salkinit, makina me të cilën ata po udhëtonin u ndalua nga tetë luftëtarë xhihadistë. Emri i tij dukej si emër hebre dhe prandaj rrëmbyesit patën dyshime prandaj e akuzuan si një spiun me pagesë.

“Ne nuk arritëm të shihnim asgjë, ishim me sy të lidhur, por më kujtohet që ata na bënin vazhdimisht pyetje, nëse pinim apo jo alkool, për kë punonim, kërkonin emra, ne madje u detyruam të faleshim edhe pesë herë në ditë, gjë të cilën nuk e di si arritëm ta bënim”, shtoi gazetari turk.

Bunyamin Aygun tregon se ritualin e faljes e mësoi shumë shpejt nga shoku i tij i qelisë. ”Ata që nuk faleshin, torturoheshin”, theksoi ai.

Një ditë, një nga rojet e qelisë të cilin gazetari e kishte simpatizuar, i cili kishte nofkën ”Daja”, e njoftoi se ai ishte i dënuar me vdekje. “Ngrihu, falu për veten dhe pendohu për të gjitha mëkatet që ke bërë, nesër ti do të ekzekutohesh”, më tha ai. ”M’u errësuan sytë, filloi të më shfaqej gjithë jeta para syve, sa herë mbyllja sytë imagjinoja vdekjen, isha duke pritur vdekjen time kjo ishte tortura më e keqe”, kujton ai duke iu dridhur zëri.

Ai mendonte se më mirë për të do të ishte të vdiste nga një plumb, sesa nga një prerje e kokës me shpatë. Priti për tre ditë me radhë, por asgjë. Derisa një tjetër roje i qelisë i kishte treguar trupin e vdekur të “Dajës” që kishte vdekur në detyrë, duke i thënë se dhe ai të njëjtin fat do të kishte.

 

 Shpresoj të rikthehem në Siri

Por, gazetari turk mbeti dhe disa ditë të tjera vetëm në qeli, aq sa po habitej dhe po mendonte nëse ata do ta linin të vdiste urie apo do ta ekzekutonin ashtu siç e kishin paralajmëruar. Pas 40 ditëve burg, ai u lirua më në fund nga një grup rival i xhihadistëve.

Ai më vonë arriti të mësojë se grupi “Shteti Islam” ishte tërhequr nga qyteti në të cilin ai mbahej peng dhe se ishin shërbimet sekrete turke që kishin negociuar me rrëmbyesit për lirimin e tij.

Dhe, edhe pse tani ka kaluar një vit që prej kësaj ngjarjeje, ai arrin të kujtojë si sot ato ditë robërie. Por, ai shpreson se një ditë do të rikthehet sërish në Siri për të çuar deri në fund detyrën e tij si gazetar. “Gjërat që përjetova më kanë prekur shumë thellë, por ato s’janë asgjë krahasuar me ekzekutimin brutal të shumë njerëzve deri më tani”, theksoi reporteri turk.

Ai kujton këtu ekzekutimin e dy kolegëve të tij amerikanë, James Foley dhe Steve Sotloff apo shumë pengjeve të tjerë anonimë që janë vrarë brutalisht. “Shkrimi i këtij libri ishte shumë i dhimbshëm për mua, më bëri të rikujtoja edhe një herë tjetër ato momente, por dhe ndjeva një lehtësim të madh”, pohon Bunyamin Aygun. /Zëri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here