CiviKos kërkon zëvendësimin e Florent Muçajt në KPK me një anëtar tjetër të saj

0

Platforma CiviKos, në emër të 150 organizatave anëtare, ka kërkuar sot nga KPK përmes një letre largimin e Florent Muçajt nga KPK të Kosovës dhe zëvendësimin e tij me një anëtar tjetër nga Shoqëria civile.
“Duke pasur në misionin e vet, ndër të tjera, edhe rregullimin e përzgjedhjes së pjesëtarëve të shoqërisë civile në trupat e ndryshme që themelohen nga autoritetet publike, Platforma CiviKos ka përcjellë me interes të shtuar procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesit të shoqërisë civile në KPK, por edhe zhvillimet brenda këtij Këshilli në të cilat ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë përfaqësuesi i shoqërisë civile i zgjedhur nga ana juaj.
Gjatë muajit tetor 2014, Bordi i Platformës CiviKos ka kërkuar nga KPK qasje në të gjitha dokumentet dhe vendimet në lidhje me përzgjedhjen e z. Florent Muçaj si përfaqësues i shoqërisë civile në Këshill. Dokumentet e dërguara nga ana juaj kanë qenë të pjesshme duke mos na ofruar informatat e plota të nevojshme për të vlerësuar nëse procesi i përzgjedhjes së z. Muçaj ka qenë në përputhje me obligimet që dalin nga Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Për më tepër, qysh nga përzgjedhja e tij e sidomos gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nga ana e KPK-së, sjelljet jo-profesionale të Muçaj vetëm se e kanë konfirmuar dyshimin tonë për ndërhyrjet politike në përzgjedhjen dhe punën e përfaqësuesit të shoqërisë civile në KPK. Si rrjedhojë, konstatojmë që për shkak të procesit të dyshimtë të përzgjedhjes por edhe punës së deritanishme jo-profesionale në kuadër të KPK-së, Florent Muçaj nuk mund të vazhdojë edhe më tej që të përfaqësojë sektorin e shoqërisë civile në këtë Këshill.
Këshilli Prokurorial i Kosovës është ndër trupat më të rëndësishëm në vend për të siguruar sundimin e ligjit dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa nga shoqëria civile kërkohet që të japë kontributin e vet profesional në punën e këtij Këshilli nëpërmjet përfaqësuesit të vet, ashtu siç edhe përcaktohet me Ligj. Përfaqësimi i shoqërisë civile në trupat dhe organet shtetërore, përfshirë KPK-në, nuk guxon të mbetet peng i individëve dhe organizatave të veçanta, por duhet të jetë rezultat i një procesi transparent, të hapur dhe demokratik.
Për të siguruar që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen dhe niveli i përfaqësimit të shoqërisë civile të jetë në përputhje me rëndësinë e KPK-së, kërkojmë nga ju që urgjentisht të ndërmerrni veprimet në vijim:
1. Të ndërprisni mandatin e Florent Muçaj si përfaqësues i shoqërisë civile në KPK,
2. Të filloni sa më parë hartimin e Rregullores së KPK-së për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit nga shoqëria civile, ashtu siç përcaktohet nga Neni 4, paragrafi 1, pika 27 e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
3. Në procesin e hartimit të Rregullores, të bashkëpunoni me organizatat e shoqërisë civile që nga fazat më të hershme, duke përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile në grupin punues dhe duke e shpërndarë projekt-rregulloren për konsultim të gjerë publik,
4. Në procesin e hartimit të Rregullores, të bazoheni në praktikat vendore dhe ndërkombëtare të përzgjedhjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile, duke synuar një proces të përzgjedhjes transparent, të hapur dhe demokratik,
5. Sapo të miratohet kjo Rregullore, të filloni procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesit të shoqërisë civile në KPK, sipas rregullave të reja.
Platforma CiviKos është e gatshme që të mobilizojë anëtarët e vet, por edhe organizatat tjera të shoqërisë civile, për të dhënë kontributin e tyre për të rregulluar një herë e mirë procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesit të shoqërisë civile në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Organizatat anëtare të Platformës CiviKos besojnë që këto veprime do t’i ndihmonin KPK-së për të dëshmuar seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin e duhur në funksionalizimin e këtij institucioni jetik për drejtësinë në vend. Nëse këto veprime nuk do të ndërmerren, KPK rrezikon të humbasë plotësisht kredibilitetin dhe për më tepër, t’ua pamundësojë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të besojnë në respektimin e shtetit të së drejtës” është theksuar në letrën e CiviKos të nënshkruar nga drejtorja ekzekutive Valdete Idrizi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here