Cili është vlerësimi i AAK-së për programin e Qeverisë Mustafa për arsimin?

0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Departamenti për Arsim(DA), e ka vlerësuar sot Programin për Arsimin të Qeverisë Mustafa si “vetëm një farsë parazgjedhore”. Ky departament e ka atakuar secilën pikë të programit të Qeverisë Mustafa në sektorin e arsimit dhe ka ardhur në konkludim se “po të studiohet programi i koalicionit qeveritar i paraqitur për arsim, do të konstatohet se kemi të bëjmë me një vazhdimësi të zbatimit të politikave ad-hoc, pa plan të veprimit dhe pa objektiva kohore të përcaktuara qartë”.

Më poshtë mund të lexoni të plotë vlerësimin e DA të AAK-së rreth programit të Qeverisë Mustafa për arsimin, të prezentuar sot në një konferëncë shtypi:

“Edukimi dhe arsimimi i gjeneratave të reja, paraqet themelin e një shoqërie të emancipuar dhe po të realizohet ky qëllim, të gjitha segmentet tjera shoqërore do të fuksionalizohen lehtë.
Komponentët themelorë, që e bëjnë një sistem arsimor efikas, janë: shkalla e përfshirjes, qasja e barabartë në arsim, cilësia, plan-programet, mënyra e funksionimit të agjencioneve të pavarura, mënyra e financimit të arsimit e, mbi të gjitha, shkalla e unifikimit i sistemit arsimor.
Po të studiohet programi i koalicionit qeveritar i paraqitur për arsim, do të konstatohet se kemi të bëjmë me një vazhdimësi të zbatimit të politikave ad-hoc, pa plan të veprimit dhe pa objektiva kohore të përcaktuara qartë.
Programi merret me synime dhe angazhime në stilin “Qeveria e Republikës së Kosovës synon që të ndërtojë një shoqëri të dijes”, frazë kjo e përsëritur që nga viti 2008.
Gjithëpërfshirja dhe qasja e barabartë
Në program promovohet gjithëpërfshirja. Faktet flasin se në arsimin parashkollor, çerdhe dhe kopshte, mosha 0-5 vjeç, janë të përfshirë vetëm 3% të fëmijëve, më e ulëta në Evropë (Raporti i Progresit i Komisionit Evropian 2014).
Situata e njëjtë është edhe në arsimin parafillor, mosha 5-6 vjeç, i cili sipas Ligjit për Arsim Parauniversitar, nga viti 2015 do të duhej të ishte i detyrueshëm, e ku kanë mbetur të papërfshirë 8000 fëmijë.
Përmendet qasja e barabartë, faktet flasin për përfshirje simbolike të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe grupeve të margjinalizuara, si dhe për braktisje të përmasave të mëdha të arsimit të detyruar.
Qeveria, megjithatë, mund të lavdërohet me shkallën e përfshirjes së grupmoshave 19-24 në arsimin e lartë, në dëm të cilësisë, për nevoja elektorale.
Me strategjinë e arsimit të lartë, është paraparë që shkalla e përfshirjes së kësaj grupmoshe në vitin 2015, të arrinte në 25%, e në të vërtetë tani shkalla e përfshirjes e ka kaluar 60%, që është më e madhe se në shumë vendeve të BE-së, por hartuesit e këtij programi nuk e kanë të qartë ende këtë fakt.
Cilësia
Qeveria zotohet për garantimin e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore. Faktet flasin se në shumë shkolla, në viset urbane, mësimi zhvillohet në tri turne. Mjafton të vizitohet shkolla “Elena Gjika”, në qendër të Prishtinës, për të vërtetuar këtë fakt.
Vlerësimet e jashtme, testi i arritshmërisë dhe rezultatet e maturën shtetërore, konfirmojnë diagnozën reale të sistemit tonë arsimor, sëmundjen kronike – efektivitetin e ultë.
Në vend që ministri Bajrami të merret me eliminimin e shkaktarëve të kësaj sëmundjeje, ai ka vendosur të merret me pasojat. Ai, posa e mori detyrën e re, informoi opinionin se do ta heqë pragun e kalueshmërisë, e cila është e paraparë me Ligjin për Provimin Përfundimtar dhe të Maturës dhe me Ligjin për Arsimin e Lartë.
Kjo ndikoi, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në motivimin e maturantëve për përgatitje për maturën shtetrore, që do të konfirmohet edhe me rezultate konkrete, pas shpalljes së tyre.
Ministri, në vend që të angazhohet për krijimin e një mekanizmi të fuqishëm për vlerësim, me propozimin për heqjen e pragut të kalueshmërisë, rrënoi edhe shpresën e fundit për rezultate pozitive në fushën e vlerësimit.
Natyrisht, që Ligji për Provimin Përfundimtar dhe të Maturës ka pasur nevojë që të ndryshohet, sidomos, përbërja e Komisionit Shtetror të Maturës, neni 8, përmbajtja e provimit të maturës që rregullohet me nenin 18 të tij, por assesi që të ndryshohen kriteret e provimit, të parapara me nenin 19.
Ligji është shumë diskriminues për shkollat profesionale, sepse nuk ka siguruar instrumente vlerësimi për çdo lëmi të punës e as zgjedhje adekuate të lëndëve mësimore.
Përmendet fuqizimi i Agjencionit për Arsim dhe Aftësim Profesional, kurse në krye të tij emërohet, pa konkurs, ish-këshilltari politik i Ramë Bujës. Fuqizim se jo mahi.
Parashihet rritja e cilësisë së arsimit të lartë, kurse mekanizmi i krijuar për monitorimin e cilësisë, Agjencioni i Akreditimit, gjegjësisht kreu i tij, është nën hetime dhe ky mekanizëm nuk ka asnjë inspektor për inspektimin e cilësisë.
Flitet për forcimin e lidhjeve në mes të institucioneve të arsimit të lartë dhe ekonomisë, kurse rrjeti i këtyre institucioneve është në s’përputhje totale me nevojat e tregut të punës, duke u dominuar nga studentët të cilët studiojnë ekonomi ose shkenca sociale.
Përmendet autonomia e institucioneve të arsimit të lartë, kurse për çdo ditë kemi ndërhyrje politike në arsimin e lartë. Përkujtojmë faktin e UP “Hasan Prishtina”, i cili, në gusht të këtij viti ishte në vendin e 4937, në shtator, sipas Ëebometric, rrëshqiti në pozitën e 4987.
Korniza e Re e Kurrikulit të Kosovës
Sa iu përket planprogrameve shkollore, Korniza e Re e Kurrikulit të Kosovës, është paralajmëruar të zbatohet nga viti shkollor 2011/2012, por ende gjendet në procesin e pilotimit, me shanse minimale të zbatohet në praktikë.
Në shkollat profesionale mësimdhënësit ende diktojnë, në mungesë të teksteve shkollore, kurse cilësia e teksteve ekzistuese në nivelin fillor dhe gjimnaze është shumë e ultë.
Premtimet për digjitalizimin e shkollave dhe për pajisje të tyre me kabllot optike, kanë mbetur premtime boshe të Hashim Thaçit, në drekat dhe darkat e organizuara me mësimdhënësit gjatë fushatave zgjedhore.
Organogrami i MAShT-it dhe Agjencitë e Pavarura
Flitet për disa agjenci të pavarura, si Agjencinë Shtetrore për Aftësimin e Vazhdueshëm të Mësimdhënësve dhe për një Agjenci të Pavarur për Implementimin e Testeve Kombëtare.
Në organogramin e MASHT-it, e para funksionon si divizion, kurse e dyta njihet si Agjencioni për Kurrikulum, Standarde dhe Vlerësim, që tregon se ministri nuk e njeh organogramin e funksionimit të MAShT-it.
Qeveria nuk e trajton arsimin si prioritet buxhetor
Në fushatën parazgjedhore, dy partitë e koalicionit qeveritar kanë premtuar se arsimin do ta trajtojnë si prioritet buxhetor, duke deklaruar rritjen e GDP për arsim.
Po ta analizoni buxhetin e aprovuar, do të kuptoni se kjo nuk është gjë tjetër vetëm se një farsë parazgjedhore.
Sistemi Arsimor i Kosovës, 16 vjet pas luftës ,vazhdon të jetë i paunifikuar, për shkak të ndërhyrjes së sistemit arsimor të Serbisë.
Si përfundim, të gjithë ata qytetarë të Kosovës që kanë besuar në binomin jofunksional qeverisës, të një partie të kriminalizuar dhe një partie të “akademikëve”, me të drejtë janë zhgënjyer, sepse në këtë program mund të gjeni synime, angazhime, propozime, e çdo gjë tjetër, por, në asnjë moment ndonjë zgjidhje të qëndrueshme, e aq më pak akademike, për çështjen e arsimit.”

Departamenti për Arsim i AAK-së
Jonuz Salihaj,
Kryesues

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here