Cila është e vërteta e prokurores Laura Pula rreth gjyqtarit Elez Hoxha?

0

PRISHTINË, 16 SHKURT – Prokurorja Laura Pula pas disa ditë heshtjeje ka dalë sot me një “sqarim” në opinion në lidhje me kërkesën e Lëvizjes FOL për të marrë masaj ndaj saj. Ajo ka thënë se nuk është kërkuar aprovimi i kërkesës për lirimin nga burgu të ish gjyqtarit të dënuar por vetëm kërkesa për zbutjen e dënimit të tij. Lëvizja FOL para pak ditësh pasi kishte lexuar në media për skandalin, ka kërkuar publikisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të merr masa ndaj Pulës  për shkak se sipas FOL-it ajo kishte kërkuar të lirohej gjyqtari Elez Hoxha, i dënuar për korrupsion. Më poshtë e keni të plotë “sqarimin” e prokurores Pula.
Sqarim

Duke respektuar deri në fund opinionin publik, të drejtën dhe nevojën që ai të informohet me korrektësi dhe pa spekulime, dua të sqaroj të pavërtetat e hedhura në media lidhur me rastin e të gjykuarit E.H, të cilat të pavërteta prekin integritetin tim profesional dhe personal.
Së pari, dua të sqaroj opinionin se në një shtet të së drejtës dhe ku sundon ligji, çdo person i gjykuar, mund të kërkoi zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit në çdo kohë, gjatë periudhës së mbajtjes së dënimit.

Kjo e drejtë është e garantuar me nenin 418 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton:

“Pala mund të kërkojë zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit në çdo kohë gjatë periudhës së mbajtjes së dënimit por jo kur i kanë mbetur edhe 6 muaj deri në përfundim të dënimit me burgim”.

Në rastin konkret, njoftoj opinionin e gjerë si më poshtë:

– I dënuari E.H, përmes avokatit të tij ka parashtruar kërkesë për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit në Gjykatën Themelore në Prizren.
– Gjykata Themelore në Prizren ka kërkuar propozim nga Prokuroria Themelore në Prizren mbi kërkesën e të gjykuarit.
– Prokuroria Themelore në Prizren ka propozuar aprovimin e kërkesës për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit.
– Gjykata Themelore në Prizren, ka bërë vlerësimin e kërkesës dhe ka dhënë propozim për aprovim të kërkesës për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit.
– Gjykata Themelore në Prizren kërkesën për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit e ka dërguar tek Gjykata Supreme e Kosovës për vendosje.
– Sipas ligjit të aplikueshëm, Gjykata Supreme kërkon nga Zyra e Prokurorit të Shtetit për të dhënë vetëm propozimin, gjë që është vepruar tërësisht në bazë të ligjit dhe procedurave.
– Gjykata Supreme e Kosovës është autoriteti i vetëm i cili pas vlerësimit jep vendimin përfundimtar, si e drejtë ekskluzive e saj për të vendosur në çështje të tilla.
Artikulli i publikuar në media dhe kërkesa e Lëvizjes Fol, janë bazuar në atë që e kanë quajtur kërkesë për lirim të dënuarit, gjë që nuk është e vërtetë, sepse në mënyrë taksative, propozimi ka qenë për aprovim të zbutjes së jashtëzakonshme të dënimit dhe jo lirim i të dënuarit.
Për më tepër, opinioni është informuar me të pavërteta duke shtrembëruar faktin së Prokurori i Shtetit ka kërkuar lirim të dënuarit në fjalë, kur ligjërisht dihet se kompetent për të vendosur në kërkesat për lirim të dënuarit është paneli i veçantë i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Raportimi i saktë nga mediat është me rëndësi thelbësore për Kosovën dhe për sistemin e drejtësisë, në një vend ku sundimi i ligjit është po aq jetik, raportimi i pasaktë dëmton jo vetëm informimin e publikut, por edhe vetë sistemin e drejtësisë, duke cenuar të vërtetën dhe duke shigjetuar me të padrejtë prokurorë apo gjyqtarë që përpiqen me ndershmëri të kryejnë punën e tyre dhe të zbatojnë me përpikëri ligjin.
Duke mbetur e vendosur në parimin e vlerësimit të mediave si aleatë të së vërtetës, mbetem po aq e vendosur në kërkesën që raportimi të bazohet në të vërtetën dhe jo në spekulime.

Me respekt,
Laura Pula
Prokurore në Zyrën e Prokurorit të Shtetit

Prishtinë, 16.02.2015

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here