Christopher Hill: “Shqiptarët e Kosovës duhet t’ia ndërtojnë Millosheviçit një statujë”

0

Diplomati i shquar amerikan, Christopher Hill, ka thënë se shqiptarët e Kosovës duhet t’ia ndërtojnë një përmendore ish-presidentit të Jugosllavisë së mbetur, Sllobodan Millosheviq. Kjo për shkakun se refuzimi që i bëri ai Marrëveshjes së Rambujesë “çoi ujë në mullirin” e shqiptarëve të Kosovës.

Ai ka folur kështu në një intervistë me me njërin prej studentëve për Magjistraturë tek Universiteti i Colorado-s në Denver, Colorado të SHBA-së, Ardian Maloku, i cili bisedën me të e ka pasur si pjesë të studimeve dhe hulumtimeve të tij akademike. Intervista është bërë pas publikimit të librit “Outpost: Life on the Frontlines of American Diplomacy”.

Hill ka vlerësuar pozitivisht edhe dy liderët politikë të Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin. Ai është shprehur se menjëherë paslufte nuk ka qenë momentum i duhur për shpalljen e Pavarësisë. Për Pavarësinë e Kosovës ka thënë se nuk e ka destabilizuar Maqedoninë si thuhej më parë nga analistët.

Intervista është më e gjatë, por portali Online e boton vetëm një pjesë të saj.

Ardian Maloku: Pse kanë qenë shqiptarët e Kosovës të suksesshëm në arritjen e qëllimeve të tyre për pavarësi ndërsa popujt tjerë si p.sh kurdët ende nuk i kanë arritur qëllimet e tyre?

Christopher Hill: Një fjalë: Millosheviqi. Millosheviqi ka qenë shkaku kryesor pse shqiptarët kanë arritur qëllimet e tyre. Shqiptarët e Kosovës duhet t’ia ndërtojnë atij një statujë. Ai ka bërë më shumë për të ndihmuar aspiratat e Kosovës për vetëvendosje se cilido shqiptar kishte mundur të bëjë. Unë sigurisht se e them këtë në mënyrë ironike, sepse kuptohet se ai pastaj ishte paditur për krime lufte. Ai ishte krejtësisht i pa-dobishëm në Kosovë, dhe vet fakti se ai përfundoi në konflikt me NATO-në e bëri të pa-mundshme apo pa-imagjunshme çdo lloj marrëveshje për autonomi. Autonomia ishte, ashtu si themi ne në markentingje apo reklama amerikane, autonomia ishte një ofertë për një kohë të kufizuar, dhe pasi që serbët e refuzuan atë, dhe shqiptarët e pranuan Marrëveshjen e Rambujesë kjo ishte kthesa kryesore, sepse refuzimi ishte vënë në anën Serbe. Nuk mendoj se shqiptarët ende e kanë të qartë rëndësinë e pranimit të marrëveshjes së Rambujesë dhe refuzimin e serbëve. Nuk mendoj se kjo ende kuptohet edhe sot. Rambujeja ishte e një rëndësie tepër të madhe për shqiptarët. Ky ishte një moment kyç, dhe pas refuzimit të serbëve, intervenimi i NATO-s ishte i pashmangshëm dhe pas kësaj ishte shumë e vështirë për t’u kthyer në një situatë ku Kosova do të mund te mbetej pjesë e Serbisë.”

Ardian Maloku: Përveç Rambujesë a kanë luajtur liderët e Kosovës një rol kyç për ta
bindur komunitetin ndërkombëtar për aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi?

Christopher Hill: Unë mendoj se Rugova ka luajtur rol të rëndësishëm dhe pozitiv, ai ka qenë shumë më pozitiv ndërkombëtarisht sesa brenda. Jo hera e parë që një udhëheqës është marrë më shumë pozitiv ndërkombëtarisht sesa brenda vendit . Unë mendoj se Thaçi bëri një punë të mirë në vendosjen e një imazhi të mirë të UÇK-së. Thaçi e ka përmirësur imazhin e një UÇK-je e cila nuk shihej vetëm si një grup me vrapues të drogës dhe lloje të tjera solicituese, sepse UÇK-ja ka pasur një trashëgimi që ata kishin për të kapërcyer, vis a vis italianët dhe evropianët e tjerë të cilët e shihnin atë si një sindikatë kriminale të kthyer në politike. Kështu që unë mendoj se me daljen e figurave politike si Thaçi ishte e rëndësishme për rehabilitimin e emrit të UÇK-së në mesin e evropianëve.

Ardian Maloku: Duke reflektuar apo menduar se kanë kaluar disa vjet që nga shpallja e pavarësisë, a mendoni se Kosova dhe përfshirja e SHBA-së  ishte vendimi i duhur dhe a e shihni ju një të ardhme të mirë për Kosovën?

Christopher Hill: Unë mendoj se në aspektin e zhvillimeve ballkanike po. Unë mendoj se në kontekstin se si është zhvilluar shteti në Ballkan, po. Unë nuk mendoj se ishte e mundur më që Kosova të mbetet  nën Serbi pas luftës. Unë mendoj se me kohë vendimi i Pavarësisë ishte i vetmi vendim që mund të merrej. Nuk ishte vendimi që do të mund të merrej në 1998/1999. Njerëzit që mendojnë se në njëfarë mënyre ne duhet të kishim shpëtuar nga të gjitha problemet duke e bërë Kosovën e pavarur në 1998/1999 nuk kanë asnjë ide se si pjesa tjetër e evropianëve apo serbëve kishin menduar rreth kësaj pune në atë kohë. Pra, nevojiteshin disa vite, para se ajo të mund të kulminonte me shpalljen e pavarësisë. Bazuar në atë që unë kam parë Kosova po bën përparim. Kosova duhet të punojë në çështjet e saj të qeverisjes, por unë ende mendoj se është në drejtimin e duhur. Ata duhet të vazhdojnë të punojnë për të arritur edhe më shumë njohje, por unë mendoj se është në drejtimin e duhur. Një nga zhvillimet më interesante është se ka pasur një pamje në mesin e analistëve të Ballkanit që një Kosovë e pavarur do ta destabilizonte Maqedoninë. Unë mendoj se kjo e ka bërë mu të kundërtën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here