“Chopin Piano Fest”, për nëntë netë pianistë të vendeve të ndryshme

0

Edicioni i sivjetmë i “Chopin Piano Fest Prishtina” rikthehet në origjinë. Do të karakterizohet me recitale pianistike. Duke qenë se vitet e fundit organizatorët kanë eksperimentuar duke sjellë muzikë kamertale e duke e vënë pianon në rol përcjellës, këtë vit ky instrument të cilit i dedikohet festivali rikthehet në qendër, raporton Koha.net.

Përgjatë nëntë netëve, pianistë nga vende të ndryshme do të shpalosin teknikat e tyre të interpretimit në piano.

Francesco Fierro nga Spanja është ai që do të hapë festivalin sonte e premte. Ai do të interpretojë të gjitha polonezat e Chopinit. Në koncertin e dytë Krystian Tkacewski, specialist për veprat e bashkëvendësit të tij të periudhës romantike, do të ngjitet në skenë më datën 13. Pas tri ditësh skena është e rezervuar për pianistin virtuoz armenian Ashot Khachatourian, fitues i shumë çmimeve në gara ndërkombëtare për piano. Më pas më datën 17 dhe 18 nis maratona pianistike për nxënës dhe studentë. Pas koncerteve të pianistëve të huaj, me datën 20 vijnë Konstatin Tashko dhe Klevis Gjergji. Pas pianistëve nga Shqipëria në skenë do të ngjiten pianistë kosovarë. Në koncertin i cili do të mbahet më datën 23, do të koncertojnë Lirika Pula dhe Pranvera Hoxha – Bryma për t’ia lënë vendin Ardita Statovcit. Por kontributi i saj nuk do të përfundojë me kaq. Në shenjë përkrahjeje për festivalin, duke i ditur vështirësitë e organizimit, do të mbajë edhe një koncert shtesë në Gjakovë. Më datën 26, në koncertin bashkë me Filarmoninë e Kosovës do të bëhet përmbyllja e këtij festivali. Nën drejtimin e dirigjentit Le Fi Fi, do të interpretojnë edhe Flortika Dërguti dhe Nadjeda Vlaeva. Koncertet do të zënë vend në sallën e hotelit luksoz “Swiss Diamond”, përveç maratonave pianistike që do të mbahen në sallën e kuqe.

“Të gjitha janë mbrëmje pianistike, recitale pianistike. Kjo ka një arsye. Meqë është festival për piano, deshëm ta kthenim në origjinë, sepse gjatë edicioneve të kaluara edhe kemi eksperimentuar pak me duo, trio, sekstet etj., që është muzikë kamertale, ku piano ka një rol përcjellës”, ka thënë Besa Luzha, drejtuese organizative e festivalit. Studentët dhe publiku, sipas saj, do të kenë mundësi të shohin se si pianistë të ndryshëm interpretojnë vepra të njohura, por me teknika të ndryshme.

“Chopin Piano Fest Prishtin” është themeluar në vitin 2010, në 200 – vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur polak Frederic Chopin. Që nga ajo kohë, ky festival është bërë tradicional. Këtë vit, sipas Luzhës, theksi nuk do të bjerë vetëm tek veprat e Chopinit, por do të ketë edhe vepra të kompozitorëve të tjerë nga vende dhe periudha të ndryshme.

“Krejt kjo është meritë e drejtoreshës artistike Lejla Pula, e cila ka tetë muaj që në kontakt me artistët interpretues ka punuar direkt me qëllim të formësimit të programit”, ka thënë Luzha. Gjatë përpilimit të programit, pianistja Pula ka qenë e përfshirë në njërin prej koncerteve por është tërhequr.

“Si presidente e festivalit dhe drejtoreshë artistike në mënyrë simbolike është tërhequr në favor të mbajtjes së koncerteve të tjerë e sidomos të të rinjve”, ka thënë Luzha. Kjo tërheqje vjen si pasojë e shkurtimit të buxhetit nga Ministria e Kulturës. “Chopin Piano…” vitin e kaluar ishte përkrahur me 9 mijë e sivjet buxheti është zbritur në 2 mijë.

“Shumë kemi qenë në stres se si t’ia bëjmë pa përkrahjen e Ministrisë së Kulturës. Sepse 9 mijë euro nuk janë pak që në fakt i bie një e treta e buxhetit. Kemi kërkuar ndihmë gjithandej, miq e dashamirë na kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme jo vetëm me para, por me punë që duhet të kryhen”, ka thënë Luzha, e cila ka qenë njëra prej më të zëshmeve kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës që ka goditur skenën e pavarur kulturore.

“Nuk dua të përplasem me Ministrinë, por unë personalisht jam ndier tepër e fyer që ky program të vlerësohet vetëm me 2 mijë euro përkrahje. Ka qenë poshtëruese për mua. Sido që të jetë, po ia nisim e disi do t’ia dalim besoj”, ka thënë Luzha.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here