Çfarë duelesh na presin sonte, Brazili për hakmarrje ndaj Gjermanisë

0

Mbrëmja e sotme do të jetë e pasur me miqësore luksi.  Duelet janë të shkallës më të lartë dhe kombëtaret më prestigjioze të planetit që do të sfidojnë njëra-tjetrën. Pavarësisht se janë vetëm ndeshje miqësore, adrenalina është gjithnjë e pranishme kur në fushë zbresin, Gjermania, Brazili, Spanja, Argjentina apo edhe Anglia e Italia. “Pancerat”, pas barazimit me kombëtaren iberike, do të presin ne “Olympiastadion” të Berlinit kombëtaren e Brazilit. Herën e fundit që këto dy skuadra janë përballur u shënua në një event historik, ku gjermanët triumfuan me shifrat e thella 7-1 në gjysmëfinalen e Botërorit të Vitit 2014, që po luhej pikërisht në tokën e sambës.

Trajneri i kampionëve të botës Joachim Low nuk do të ketë të gatshëm Mesut Ozil, Emre Can dhe Thomas Muller, të tre këta futbollistë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë rikthyer në klubet e tyre. Në këtë mënyrë në fazën e avancuar tekniku 58-vjeçar pritet të aktivizojë treshen, Sane- Goretzka –Draxler, në mbështetje të sulmuesit kryesor Sandro Wagner. Në anën tjetër nuk do të kryejë shumë ndryshime trajneri i “pentacampeonëve” Tite. Nën modulin 4-3-3, në mesfushë pritet të rreshtohen Fernandinho, Casemiro e Paulinho, ndërsa tredhëmbëshi ofensiv do të përbëhet nga Willian, Gabriel Jesus dhe Coutinho. Gjermania do të kërkojë ta dërgojë në 23 numrin e takimeve pa humbje, megjithëse nuk parashikohet ta ketë rrugën e shtruar kundër një prej kombëtareve pretendente në Botërorin e Rusisë.

Spanja dhe Argjentina do të sfidohen në Madrid në një duel me ritme latine. Ramos e Alacantara zbritën në fushë kundër Gjermanisë, megjithatë gjendje e tyre fizike, duke qenë se vijnë nga një dëmtim, mund të detyrojë trajnerin Lopetegui të mos i rrezikojë kundër “albicelestëve”, ndërkohë që për arsye personale i është dhënë leje të largohet David Silvës. Qëndra e mbrojtjes mund t’i besohet Piques e Nachos, ndërsa në mesfushë ka gjasa të vendosen Iniesta, Rodi dhe Koke. Sulmi do t’i besohet Asensios, Diego Costes dhe Iscos.

Lionel Messi nuk mund ta humbasë duelin kundër kombëtares së vendit ku u rrit si futbollist. “La Pulga”, pasi nuk zbriti në fushë ndaj Italisë, pritet të jetë i gatshëm për sfidën kundër “La Rojas”. Përkrah 5 herë fituesit të Topit të Artë, do të rreshtohen Higuain dhe Pavon. Mercado do të rikthehet mes titullarëve në krahun e djathtë të mbrojtjes, po ashtu si Banega, që pas paraqitjes së mirë ndaj të kaltërve do të marrë vendin e Lanzinit.

“Wembley” nën vëzhgimin e 82 mijë spektatorëve do të mirëpresë pëballjen Angli-Itali. 3 luanët po kalojnë një periudhë pozitive, çka u konfirmua edhe ngë fitorja në miqësoren kundër Holandës. Trajneri Gareth Southgate pritet të kryejë disa ndryshime, duke aktivizuar portierin Butland në vendin e Pickford, ndërkohë që mes titullarëve do të jenë edhe Dier, Ashley Young, Vardy dhe Dele Alli.

Në fazë eksperimentale është Di Biaggio, që ka ndërmend ta prekë jo pak formacionin që zbriti në fushë kundër Argjentinës, duke u besuar në këtë duel lojtarëve me moshë më të re si Gagliardini e Pellegrini. Sfida e fundit mes dy skuadrave ishte në Botërorin e Brazilit dhe në atë rast fati u buzqeshi italianëve, megjithatë si Anglia ashtu edhe Italia kanë ndryshuar shumë që nga mbrëmja e 14 qershorit 2014.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here