CEZ, Meta: Sulm mafioz ndaj meje, një ish-kryeministër përfitoi

0

Ilir Meta la në seancën e sotme plenare vendin e kryetarit të Kuvendit, për të folur nga foltorja lidhur me çështjen e CEZ-it. Kryeparlamentari foli për herë të parë hapur lidhur me të gjitha akuzat që u janë drejtuar atij këto ditë nga deputetët e opozitës, duke dhënë një sqarim për secilën prej tyre.

Kreu i LSI-së theksoi se nuk është i përfshirë si ndërmjetës për asnjë marrëveshje, ndërkohë që bëri të qartë se nuk do të japë dorëheqjen pasi nuk ka asnjë provë veç pretendimeve të opozitës, që e implikojnë atë në çështjen e CEZ-it.

Meta thotë se nuk është ai ish-kryeministri që ka përfituar para përmes kompanisë DIA, që do të mblidhte borxhet ndaj CEZ-it. “Ka qenë një ish-kryeministër, i cili ka përfituar transferta nga DIA për llogari të kompanisë së tij private e regjistruar në QKR me emrin e tij dhe organet po hetojnë për të kuptuar nëse është në mënyrë të paligjshme ose jo”, u shpreh kryeparlamentari.

Përballë akuzave të opozitës se ka ndikuar në përzgjedhjen e kompanisë DIA mes 9 të tjerave, Meta tha se administratori Kastriot Ismailaj është propozuar nga ambasadori ynë në Pragë në vitin 2010.

Në Pragë isha për Kongresin e Partisë Socialiste Evropiane

“Një falsifikim është që unë paskam ikur në Pragë për të negociuar sipas ish-drejtorit të CEZ-it. Mos u merrni me spekulime kaq të mjera, se është turp për të gjithë ju. Shqipëria në atë kohë ishte pa drita, ishte me probleme të mëdha. Si titullar kishin besim te Hejsek, që ka bërë një deklaratë për të justifikuar veten e tij, ku në mënyrë eksplicite ka bërë të qartë që propozimin për Ismailjan ia ka bërë ambasadori në Pragë në atë kohë, duke i thënë se ky person ishte i besuar i ministrit të Jashtëm dhe kryeministrit Sali Berisha. Kjo është shumë e qartë. Ndoshta s’ju pëlqen, por s’është problemi im. Berisha s’ka qenë i implikuar në këtë rekomandim. Ka qenë dhe deputet i djathtë dhe ka pasur raporte të mira me të gjithë ju. Juve ju pëlqen ajo pjesë që doni ju. Do themi siç janë të vërtetat. Mos u bëni pjesë i një operacioni mediatik, financiar. Unë deklaroj me përgjegjësi, jo vetëm që s’kam ikur në Pragë për të negociuar, por kam qenë në Pragë për Kongresin e Partisë Socialiste Evropiane, se ka qenë dhe Balla atje”.

Marrëveshja me CEZ-in u firmos nga ish-ministri i Ekonomisë

“Ajo që është e kristaltë është që Meta s’ka ndërmjetësuar për një marrëveshje të tillë dhe s’ka pasur interes. Fakti është që kjo marrëveshje është nënshkruar më 1 shtator 2001, kur unë isha në SHBA si ministër i Jashtëm për çështjen e Kosovës. Është firmosur nga ministri i Ekonomisë dhe është ky person që ju e përdorni kundër meje që ka miqësi me zotërinë në fjalë prej 12 vitesh, ku kanë punuar në Ministrinë e Punës”.

Dëshmitari u përjashtua nga LSI-ja para 10 vitesh

“S’dua të marr në gojë asnjë nga ju. Ju thashë dhe më parë, ju lutem të mos nxitoni. Mos u angazhoni kaq shumë për të më marrë nëpër gojë, se nuk është në dinjitetin tuaj. Keni bërë namin që keni një dëshmitar, E.M. Mund t’ju them që ka qenë 3-4 muaj në LSI, aty është konfliktuar me një të ri për shkaqe banale dhe është përjashtuar nga LSI-ja dhe s’ka asnjë lidhje me këtë forcë politike prej 10 vitesh. Ka dhe ai problemet e veta me drejtësinë, ka dhe një afërme e tij lidhur me këtë çështje probleme me drejtësinë. Si mund të besoni njerëz që kanë probleme me drejtësinë, se kanë pranuar të kenë kryer vepra të paligjshme thjesht se ju do juve qejfi. Për më tepër, vëllanë, po me inicialet E.M., e ka pasur këshilltar në kryeministri në 2011-n. Dhe unë s’po aludoj që ka ndërhyrë vëllai për pozicionin e tij”.

Mos përdorni Doshin dhe Priftin kundër meje

“Lidhur me përgjegjësitë e mia në 5 muaj si ministër i Ekonomisë, kam pasur vetëm një institucion në varësi – KESH-in dhe drejtoin e KESH-it, Ëngjëll Zeqo. Shikoni veprimet e KESH-it të bëra nga unë. Drejtori i KESH-it e ka kundërshtuar në mbledhjen e parë vendimin, e ka kundërshtuar edhe në të dytën, e ka paditur vendimin që dëmton interesat e KESH-it në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Gjykatën e Shkallës së Dytë. Fakte kokëforta, që përsëri kemi një ulje të çmimit në interes të CEZ-it dhe dëm të KESH-it që i hapi rrugën shumë kompanive që mblodhën 80% të borxhit nga 20% që mblodhi DIA. Ismailaj s’më ka bërë asnjë favor dhe as i kam bërë. Nisni gjeni një letër që justifikon ERE-n për problemin e CEZ-it dhe nuk keni nevojë të më kërkoni dorëheqjen, e jap vetë. Kur s’keni prova mos u stërmundoni me Doshin dhe Priftin për të shpifur kundër Metës. Mos u bëni pjesë e operacioni mafioz, politik, mediatik, financiar”.

U mësuat keq me dorëheqjet e mia

Meta solli në vëmendje vitin 2011 kur tha dorëheqjen si ministër i Jashtëm pas publikimit të videos me Dritan Priftin, por tha se “demokratët nuk duhet të mësohen keq nga ky fakt, kur vetë kreu i opozitës Basha i ka bërë bisht hetimit të tij për Rrugën e Kombit. “Mbi çfarë fakti dhe mbi çfarë prove duhet të japë dorëheqjen? Mbi dëshirën tuaj? U mësuat keq me dorëheqjen e mia. Edhe pse Berisha më tha ‘mos e jep se është montazh’, i thashë se do ta jap. Kisha konflikt interesi se isha në Ministrinë e Ekonomisë. Keni ndonjë pretendim për veprim dhe mosveprim si kryetar Parlamenti që të jap dorëheqjen? Pse, sa herë të gjej ndonjë mashtrues të japë dorëheqjen? E dhashë para 5 vjetësh, nuk e jap më. Basha i ka ikur procesit duke sajuar vizita jashtë, duke mbyllur çështjen. Unë i kam shkuar gjykimit deri në fund. Nuk po e marr si personale, është një shqetësim për ta zbardhur, nuk kam folur më përpara më hapur”, deklaroi Meta./Shekulli Online/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here