Çështja çame dhe kriza greke…

0

ERVIN FETAHU

Mesa duket ditët e nxehta të verës në shtetin fqinj nuk janë vetëm për shkak të stinës përvëluese, “nxehtësia” ndikon dhe lidhet ngushtë me gjendjen e vështirë të financave dhe ekonomisë tejet të rënduar dhe piramidale që po kalon Athina. Edhe pse para pak ditësh grekët i thane “Oqi” orvatjeve të shumta me Trojkën dhe kreditorët për të arritur një marrëveshje ata u detyruan të shtrëngojnë rripin si “Thanasi” dhe të dorëzohen para kushteve të eurozonës, kështu mund të arrihej një përpjekje për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë. Në ecejaket e këtyre zhvillimeve duket se edhe Shqipëria si fqinji verior e paska një rol jo të vogël gjeopolitik në lidhje me Greqinë dhe problemet e saj. Këto ditë ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias duket se ka gjetur kohë të vizitojë Shqipërinë në një vizitë zyrtare dhe me një axhendë të ngjeshur dhe të shoqëruar me një paketë propozimesh, ku gjasat janë që kësaj here shteti grek nuk do të ndikohet nga pretendime të kokave të nxehta nacionaliste, por kësaj radhe është “stomaku”, pra ekonomia dhe marrëveshjet bilaterale që lidhen mes dy shteteve do të diktojnë dhe dirigjojnë negociatat. Mes dy vendeve është e rëndësishme të rishikohen marrëveshjet e paktit detar dhe vijën kufitare, duke u renditur në problematikat e pazgjidhura që kemi të mbartura midis nesh siç është ligji i luftës që mbahet ende nga Greqia,dhe po ashtu çështja madhore ÇAME, dhe jo vetëm.
A mos vallë Greqia duhej te ishte në krizë për t’u marrë seriozisht me “fqinjët verior” për vijën kufitare, qoftë ajo detare apo tokësore, apo mos vallë Greqia po e kupton që kriza mund të sjellë konfiguracione të reja në hartën ekonomike të rajoneve veriore të saj, që janë krejt të pa zhvilluara, jo për faktin se ato nuk vlejnë, madje ato janë vektori tregues i zhvillimit në të ardhmen e afërt,porse aty ka probleme me çështje pronësore dhe të drejtave të njeriut. Deri më tani Greqia nuk ka pasur vullnetin e mirë t’i zgjidhë ato. Shteti grek mban mbi shpinë fatura financiare tepër të rënduara mbi të cilat duhen vite me radhë për tu shlyer, e domosdo imponohet të rishikojë asetet disponuese ku më së shumti janë zonat e Epirit dhe Thesalisë. Borxhlinjtë para se të japin borxhin të skanojnë “fije për pe” gjithë asetet dhe koncesionet të cilat mund të jenë kolaterali më i besueshëm për kredidhënie. Bankierët, ose siç njihen ndryshe gjeneralët e ekonomisë botërore, janë duke studiuar me kujdes se ku mund të shfrytëzojnë zonat e lira ekonomike që mund ti japin shtysë ekonomisë së shtetit grek.

Këto zona siç është edhe rajoni i Çamërisë mund të përdoren si gjeneratorë zhvillimi, dhe kështu kriza sipas ekonomistëve ka gjasa të zbutet duke i dhënë hov zhvillimi të rajonit. Praktikisht kjo situatë ka paqartësi juridike, ka mbivendosje dhe marrje pengë të shumë pasurive të shqiptarëve dhe popullsisë autoktone çame, veç të tjerash aty ka edhe prona publike te komuniteteve religjioze VAKËF që mbrohen në mënyrë eksplicite nga gjithë konventat e të drejtave të njeriut, ndaj nëse nuk merren në konsideratë kërkesat e palëve të interesuara siç janë pronarët e Çamërisë, vështirë se mund të ketë një zhvillim real në atë zonë. Planet janë të gjitha mbi dhe nën tryezë, por fillimisht që kjo zonë të marri jetë, kërkohen negociata me palët e interesit,qoftë me fqinjët,qoftë me të zotët e truallit e kështu me radhë ku shteti shqiptar nuk duhet të qëndrojë indiferent. Investitorët Evropian, janë të vëmendshëm për investimet e tyre,dhe nuk kapitalizojnë të ardhurat e tyre,pa u siguruar për të drejtën pronësore. Ministri gjerman i Financave kërkonte që Greqia të shiste 50 miliard euro asete, por Greqia ende nuk ka kadastra, ende nuk ka sqaruar pozicionin e saj legal me pronarët e vërtetë të territorit ku ajo mund të përdorë zona të lira ekonomike, pra si mund të nxjerrë në shitje pa bërë një inventar të pasurive të patundshme, ku shumë shqiptarë janë pronar të ligjshëm dhe sidomos brigjeve piktorekse të Epirit. Shkurtimisht po sjellë një panoramë të marrëdhënieve të Greqisë me “fqinjët e Veriut”, për t’u përqendruar më pas tek marrëdhëniet bilaterale Shqipëri-Greqi dhe problematikat e pazgjidhura ende. Po marrim me rradhë fqinjët e Greqisë.

Turqia, vendi me të cilin përherë ka pasur fërkime të cilat fillojnë herët dhe ende vazhdojnë deri në ditët e sotme, pra një mori problemesh të pa zgjidhura nga të dyja palët. Por po marrim pikërisht Turqinë kontinentale, dhe kufirin tokësor Greqi-Turqi, ku është i përqendruar minoriteti pomak dhe kontradiktat për të drejtat e këtij minoriteti. Ky minoritet nga të paktët që mbeti në Greqi ende edhe sot, u përjashtua nga shkëmbimi i popullsive mes Greqisë dhe Turqisë, ku sipas traktateve të Sevrës dhe Lozanës duhej të gëzonte ato të drejta që u sanksionuan në komisionet përkatëse mikse. Edhe nga raporte te ndryshme të të drejtave të njeriut shteti grek lë shumë për të dëshiruar në marrëdhënie me minoritetet dhe të drejtat që ata duhet të gëzojnë. Sipas meje, ngërçi është diku tjetër, për të marrë jetë projektet ekonomike, domosdo shumë gazsjellës kalojnë përmes Turqisë. Ç’dua të them me këtë?! Të gjithë kemi dëgjuar kohët e fundit, këto dy dekada, për rolin e Turqisë në rajon e më gjerë, duke rivalizuar shumë ekonomi botërore. Përherë e më shumë roli i saj në diplomaci po bëhet tepër predominant. Pra, dashje pa dashje këto realitete e fusin në lojë shtetin turk, atë që ndryshe quhet “Perandoria e Arkivave”. Të mos harrojmë, ka disa marrëveshje të vjetra Turqi-Greqi ku Fuqitë e Mëdha dhe pikërisht Britania, kanë dalë garantë për marrëveshjet e mësipërme, të cilat ende nuk kanë gjetur zbatim.

Një prej këtyre marrëveshjeve ishte implementimi dhe zbatimi i plotë i marrëveshjes së Lozanës, ku përfshiheshin të drejtat etnike dhe religjioze, kam parasysh këtu “minoritetin autokton çam” në Greqi, transaksionet pronësore të popullsive muslimane të mbetura tashmë në territorin e Greqisë, ku hynin shqiptarët çamë, pomakët, hebrenjtë, muslimanët e ishujve Dodekanese (Rodos) etj.

Gjithë këto minoritete gëzonin të drejta të plota sipas marrëveshjeve, si psh: në administrimin e pronave dhe të drejtave civile e religjioze që u përkisnin,por në realitet asnjë nga këto marrëveshje nuk është zbatuar nga Greqia. Pra Turqia ma do mendja, para se të negocioj për projektet e mëdha,ka përgjegjësinë si nënshkruese e shumë traktateve që kishin lidhje me popullsitë që kaluan nën juridiksionin e Greqisë pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ndaj duhet ti hedhë në tavolinë dhe këto pika nevralgjike si të drejtat e minoriteteve që mbetën nga traktati i Lozanës dhe më pas u përzunë e u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre, pra këta fatkeqë janë shqiptarët e Çamërisë.

Bullgaria, vend tjetër kufitar i veriut të Greqisë, deri dje nuk ngelej mbrapa për nga problemet të cilat ishin të majisura që para Luftës së Dytë Botërore. Problemi i pronave bullgare ka qenë një debat i hapur mes dy vendeve. Por më 1947 u nënshkrua traktati i paqes dhe u vendosën marrëdhënie diplomatike. Ne realitetin e sotëm duket sikur marrëdhëniet mes dy vendeve janë miqësore, në kuadrin e pjesëmarrjes në BE dhe në NATO, i trajtojnë çështjet e mbetura nga e kaluara.

Maqedonia, një tjetër fqinj verior, më i vogli për nga pesha e sipërfaqja, porse deri më tani ka qenë mjaft aktiv në kërkimin e të drejtave të emrit të saj ,saqë ka rrezikuar anëtarësimin në NATO nga vetoja e Greqisë. Marrëdhëniet duken të ngrira, por mesa duket pas çështjes emrit ka edhe çështje pronësore.

Shqipëria, fqinji më i vjetër i Greqisë, por më i lënduari e i cunguari prej saj. Problemet e Shqipërisë dhe Greqisë janë të kahershme, ato kulmojnë me problemin e shqiptarëve të Çamërisë, ku përveç dëbimit, masakrave dhe spastrimit etnik, atyre u është rrëmbyer prona dhe pasuritë shpirtërore e kapitale të tyre, të cilat prej 70 vjetësh shfrytëzohen nga shteti grek pa ndier as më të voglën pendesë, me justifikime nga më qesharaket ende përfitojnë të ardhura nga gjaku dhe djersa e gjyshërve tanë. Çështja rreh diku tjetër, se si mund ti zgjidhim problemet me Greqinë në realitetin e sotëm, sa imponues mund të jemi karshi të drejtave tona, mbi të gjitha Greqia bënë pjesë në BE dhe në NATO, ku tek e para aspirojmë të hyjmë, ndërsa tek e dyta jemi anëtarë me të drejta të plota. Sigurisht zgjidhja duhet të vijë në frymën e mentalitetit evropian, e jo në kulturën e më të fortit që mesa duket ka kohë që ka perënduar. Le të ndalemi pak tek realitetet që mesa duket sot po vijnë drejt një fryme te re, ndërsa dje nuk pranohej që çështja çame as të zihej në gojë. Por ç’po ndodhë sot…?! kush janë faktorët determinant që do ta sjellin në qendër të vëmendjes çështjen çame dhe shumë çështje të tjera pronësore që kanë lidhje me nënshtetasit shqiptar, por që figurojnë pronar të mëdhenj në Greqi. Sigurisht një nga faktorët e zgjidhjes është pozicioni gjeo-strategjik i Çamërisë (Epirit), rrugët e korridoret që e përshkojnë këtë rajon tash e mijëra vjet më parë. S’do shumë mend, boll të kthehemi pak mbrapa në kohë e të shohim se nuk ka pasur perandori në Mesdhe që nuk ka përdorur këto rrugë ekonomiko-strategjike. Pra nëse do zhvillohet rajoni do zhvillohet në tërësinë e vet,dhe ne si shqiptarë jemi me fat që vendi ynë është nga vendet më strategjike në botë. Në bregdetin e Jonit kompani të huaja për hesap të Greqisë po eksplorojnë për naftë, por kjo kërkon marrëveshje për qartësimin e vijës kufitare me Shqipërinë si shtet fqinj, dhe ja tek del mundësia e artë, kur të ulen palët të negociojnë, me patjetër të hedhin në tavolinë çështjen çame si çelësin e zgjidhjes së çdo ngërçi tjetër. Lind pyetja, po veç aspektit obligues patriotik e kombëtar që ka Shqipëria për bashkëkombësit e saj, ç’interes tjetër mund të ketë me zgjidhjen e drejtë të çështjes çame.

E para, do jemi ballëlartë para Zotit dhe para kombit që do vihet një padrejtësi shekullore në vend.

E dyta, do rilindi një faqe e re bashkëpunimi e stabiliteti në marrdhëniet dypalëshe, do eleminohet shumë keqkuptime të bartura prej vitesh.

E treta, do kemi përfitime ekonomike të aseteve dhe pronave galopante që kemi lënë pas në Çamëri.

Jo pa rëndësi është aspekti ekonomik. Për një çast le të imagjinojmë që gati 10% e popullsisë shqiptare,të cilët janë shqiptarët e Çamërisë, ku kthimi në trojet dhe pronat e tyre automatikisht do i jepnin një impuls ekonomive të dy vendeve, asetet gjigante ekonomike disa miliardëshe do kalonin në investime ku vetë Greqia do përfitonte nga taksat e transaksionet e lëvruara aty,e kështu do të kishte një barrë ekonomike disi më të lehtë. E ritheksoj se rikthimi popullatës çame në truallin e saj stërgjyshor nuk është diçka e vështirë do vetëm vullnet të mire. Shteti grek s’ka pse te ndihet i kompleksuar nga përfaqësimi i komunitetit çam në parlamentin shqiptar me partinë PDIU, nëse do kthehemi mbrapa në retrospektivë ne jemi shquar me lëvizje politike me qendër qytetin e Prevezës, ku Partia Çamëria në vitin 1915, me përfaqësues një nga pinjollët e familjes fisnike Dino, Ali bej Dino ishte deputet në parlamentin grek të Athinës, pra nuk jemi kaq të panjohur, kemi lënë shumë gjurmë në Greqi, për mos të përmendur detajet historike ne kontributin e shqiptarëve çamë dhe arvanitas në formimin e shtetit modern grek.

Rikthimi i çamëve në Çamëri ndihmon patjetër në rimëkëmbjen ekonomike greke kaq shumë të rrënuar. Sot, porti i Gumenicës është porti i tretë për nga rëndësia, ai ndodhet në pikën më perëndimore të Greqisë kontinentale, prej aty nisë në formë gjarpëronjëse autostrada më e gjatë e Greqisë drejt Stambollit, dhe kështu kjo rrugë duket sikur përngjan me “vijën e mëndafshtë” . Pse pikërisht po i bëj një rezyme kaq të detajuar kësaj zone, është fare e thjeshtë, çdo investim që është bërë aty kalon nëpër pronat shqiptarëve të Çamërisë, sigurisht që ata do ndihen zot të asaj çka u takon, ndaj nuk duhet të ndihemi indiferentë për çka bëhet me truallin tonë. Detaj tjetër me rëndësi është se Çamëria shtrihet në një vijë bregdetare nga më të bukurat në Mesdhe dhe pikërisht ullishtat e shtëpitë tona më së shumti ndjekin këtë vijë. Në kohët e kaluara kishin si burim ekonomik agrumet, vajin e ullirit, blegtorinë dhe tregtinë, ndërsa në realitetin e sotëm, bregdetin mund ta shfrytëzojmë edhe për turizëm, prej të cilit sot po korren të ardhura ekonomike galopante. Dikush mund të thotë, pse kaq naive është Greqia, ende nuk i ka evidentuar këto benefic?! Ajo e di fare mire se disponon në mënyrë të padrejtë (arrën), ndonëse i mungon (guri). Ndaj Greqia monitorohet nga Europa dhe shtete të tjera të fuqishme,dhe nuk ka ligj për të përvetësuar e tjetërsuar objektet shpirtërore dhe pronësore të shqiptarëve të Çamërisë,sepse në aty ka pasur dinasti dhe familje Arkondësh që ndoshta kanë më tepër prona e interesa edhe nga vetë shteti grek, pra mos të na duket çudi duke perifrazuar thënien e Faik bej Konicës “e ç’ish tjetër Greqi…veçse një çiflig i BUAJVE” edhe pse do ja kishte shumë qejfi të vërë dorë me ndërtime mbi arat apo ullishtat tona, por nuk mundet, ajo thjesht i mban të ngrira, dhe ia ka deleguar administrimin e pronave tona Bankës Agrare me inventar të detajuar. Sipas rezultateve zyrtare greke në censusin e fundit, rajoni i Epirit është një nga 13-të zonat administrative të ndara në qarqe,me densitetin më të vogël të popullsisë prej (36/km²)për banorë, me një numër popullsie 335. 000 banorë,gati sa 3% e gjithë popullsisë së Greqisë. Ja pra një tjetër shkak kryesor pse nuk ka pasur një përqendrim të madh të investimeve dhe të popullsisë në Çamëri, sepse aty ka probleme pronësore, dhe askush nuk shpenzon kuturu, pa negociuar me pronarët e vërtetë me tapi qindravjeçare. Ndaj mendoj se zgjidhja do të jetë e afërt për shqiptarët e Çamërisë, problematika e tyre ecën si dy drejtëza paralele me krizën greke, kur je në hall shpeshherë merr edhe vendime që s’të shkojnë përshtat, kur je me borxhe mbi shpinë nuk bën “presion”, por dëgjon i edukuar atë çka të këshillojnë më të mëdhenjtë. Çelësi i shpëtimit të Greqisë dhe të ardhmes së Ballkanit do të jetë atëherë kur të respektohet TAPIA dhe të kthehet prona tek të zotët…!

Tirana News Observer

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here