Çasti i së vërtetës për Angela Merkelin

0

JOSCHKA FISCHER

Në dy javët e fundit, dy krizat që po përballet Evropa – në Ukrainë dhe Greqi – të dyja u përshkallëzuan. Në secilin rast, Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel, ishin në zemër të përpjekjeve për të arritur një zgjidhje diplomatike. Ky është një rol i ri për Gjermaninë dhe vendi nuk është mësuar ende me të.

Përpjekja më e fundit për të ndaluar luftën në Ukrainën Lindore, me mjete diplomatike, kishte një jetë më të shkurtër sesa përpjekja e parë në shtatorin e shkuar. Marrëveshja e re – konkludoi, ashtu si ajo e mëparshmja, në Minsk – njohu de facto se Ukraina ishte ndarë me mjete ushtarake.

Por se ku qëndron vija e ndarjes mbetet e paqartë, sepse presidenti rus Vladimir Putin mund të përpiqet të marrë portin strategjik të Mariupolit në Detin e Zi, duke i mundësuar Kremlinit të krijojë një urë tokësore midis Rusisë dhe gadishullit të Krimesë.

Për më tepër, marrja e Mariupolit do të mbante të hapur mundësinë e pushtimit të Ukrainës jugore, përfshirë Odesën dhe shtrirjen e kontrollit rus në të gjithë Transnistrinë, enklavën ilegale të Rusisë në Moldavi.

Përmes përdorimit të vazhdueshëm të forcës ushtarake, Putin ka arritur qëllimin kryesor të politikës së Rusisë: kontrollin mbi Ukrainën lindore dhe destabilizimin në vazhdim të vendit si një i tërë. Në fakt, Minsk II është thjesht një reflektim për faktet në terren.

Pyetja mbetet, megjithatë, nëse do të kishte qenë më e zgjuar që të lihej fuqia e vetme që Putin merr seriozisht – Shtetet e Bashkuara – të kryente negociatat. Duke marrë parasysh konsideratën e paktë të Putin për Evropën, kjo do të bëhet me shumë gjasa e pashmangshme, herët ose vonë.

Ende, pavarësisht rreziqeve të përfshira, është e rëndësishme që Gjermania dhe Franca, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, ndërmorën këtë përpjekje diplomatike. Megjithatë iniciativa Minsk II ekspozoi pushtetin e dobët politik të Evropës, ajo konfirmoi gjithashtu domosdoshmërinë e bashkëpunimit franko-gjerman, si dhe rolin në ndryshim të Gjermanisë brenda BE-së.

Vetë Merkeli reflekton këtë rol në ndryshim. Dhjetë vitet e saj në pushtet u karakterizuan kryesisht nga një periudhë e re gjermane Biedermeier. Dielli po shndriste mbi Gjermani dhe mbi ekonominë e saj, dhe Merkel e konsideroi atë si detyrën e saj më të lartë për të ruajtur sensin e shtetasve për mirëqenie, duke mos i shqetësuar ata me politikë.

Por domethënia e re e Gjermanisë në Evropë i ka vënë një fund brutal periudhës së neo-Biedermeier të Merkelit. Ajo nuk i përkufizon më politikat e saj si “hapa të vegjël”; tani ajo i merr kërcënimet strategjike seriozisht dhe përballet me to ballazi.

Kjo është gjithashtu e vërtetë për krizën greke, në të cilën Merkel – pavarësisht imazhit të saj publik në Evropën Jugore – nuk ishte në të njëjtën mendje me skifterët në partinë e saj dhe në administratë. Në fakt, Merkel duket se është në dijeni të rreziqeve të pamenaxhueshme të një dalje të Greqisë nga euro – ndonëse mbetet për t’u parë nëse ajo mund të mbledhë vendosmërinë për të rishikuar politikën e dështuar të kursimit të imponuar mbi Greqinë.

Pa një rishikim të tillë që ka si qëllim nxitjen e rritjes, Evropa do të mbetet në mënyrë alarmuese e dobët si brenda dhe jashtë. Duke marrë parasysh sulmin e Rusisë në Ukrainë, kjo është një perspektivë e zymtë, sepse dobësia e brendshme dhe kërcënimet e jashtme janë të lidhura drejtpërdrejt.

Greqia ka treguar gjithashtu se kriza e euros është më tepër një krizë sovraniteti sesa një krizë financiare. Me zgjedhjen e fundit të partisë Syriza antikursim, votuesit grekë dolën kundër kontrollit të jashtëm mbi vendin e tyre prej trojkës (KE, BQE dhe FMN), Gjermanisë dhe kujtdo tjetër.

Ende, nëse Greqia do të shpëtohet prej falimentit, do të ketë vetëm paratë e taksapaguesve të huaj për të paguar. Dhe do të jetë thuajse e pamundur të binden taksapaguesit evropianë dhe qeveritë për të ofruar miliarda euro të tjera pa garanci të verifikueshme dhe reforma të nevojshme.

Konflikti grek tregon se bashkimi monetar evropian nuk po funksionon sepse sovraniteti i legjitimuar demokratikisht i një vendi ka ndeshur me sovranitetin demokratikisht të legjitimuar të shteteve të tjera. Shtetet-kombe dhe një bashkim monetar nuk qëndrojnë mirë bashkë.

Por nuk është e vështirë të kuptohet se, nëse duhet të ndodhë dalja e Greqisë, i vetmi fitues gjeopolitik do të jetë Rusia, ndërsa në Evropë kushdo do të humbë.

Ndonëse rreziqet gjeopolitike deri më tani mezi janë shfaqur në debatin gjerman, ato ia kalojnë në peshë çdo rreziku të politikës së brendshme në daljen përfundimisht i larë me publikun gjerman.

Greqia, u duhet thënë gjermanëve, do të mbetet një anëtare e eurozonës, dhe ruajtja e euros do të kërkojë hapa të mëtejshëm drejt integrimit, deri edhe në përfshirje të rikonstruktimit të transfertave dhe borxhit, duke prezumuar se institucione të përshtatshme janë krijuar.

Një hap i tillë kërkon guxim, por alternativat – vazhdimi i krizës në eurozonë apo një kthim në një sistem të shteteve-kombe – janë shumë më pak tërheqëse. (Gjermania ka një parti të re nacional-konservative synimi i deklaruar i liderëve të së cilës është të ndjekin një politikë të huaj para-1914). Në pikëpamjen e ndryshimeve globale dramatike dhe kërcënimit direkt ushtarak ndaj Evropës të paraqitur prej Rusisë së Putinit, këto alternativa nuk janë aspak alternativa, dhe “problemi” grek duket jo i rëndësishëm.

Merkel dhe presidenti francez François Hollande duhet të ndërmarrin edhe një herë iniciativën dhe ta vënë më në fund eurozonën në një themel të shëndetshëm. Gjermanisë do t’i duhet të lëshojë komandën e vet të dashur mbi paratë dhe Francës do t’i duhet të dorëzojë pak nga sovraniteti i saj i çmuar politik.

Alternativa tjetër është qëndrimi pasiv duke parë nacionalistët e Evropës të forcohen, ndërsa projekti evropian i integrimit, pavarësisht gjashtë dekadave sukses, i afrohet edhe më shumë humnerës. (Project Syndicate)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here