Cana: Atë që arriti Kosova kaq shpejt, Shqipëria nuk e arriti për 80 vite

0

I vendosur mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku duhet të kujdeset për profesionin e tij të dashur, futbollin, Lorik Cana ka qenë gjithnjë i sinqertë në ato që thotë.

I angazhuar me kurset e formimit profesional si trajner dhe drejtor sportiv në Tiranë, rekordmeni për ndeshjet me kombëtaren e Shqipërisë ka ka qenë këtë javë në Kosovë, për punët e fondacionit.

Ish-kapiteni kuqezi, ka pranuar se formimi i përfaqësueses së Kosovës ka ndikuar në dobësimin e kombëtares kuqezi.

Në njëfarë mënyre, ish-kapiteni e justifikon ecurinë negative të deritanishme të trajnerit Christian Panucci, duke nënvizuar se e ka marrë drejtimin e kombëtares shqiptare në një moment të vështirë. Sipas tij, gjykimi i punës së ish-lojtarit të Real Madridit, ndër të tjera, duhet bërë në fund të fushatës kualifikuese të Kampionatit Europian 2020:

“Kur merr drejtimin e një kombëtareje, që ka arritur të luajë në Kampionatin Europian, pra ka arritur në një nivel të lartë, është shumë e vështirë ta mbash atë nivel. Panucci është trajner i ri dhe ka dëshirë të madhe për të arritur suksese. Le ta gjykojmë në fund të fazës kualifikuese të Kampionatit Europian”, – ka thënë ai për mediat kosovare.

Duke iu referuar përfaqësueses së Kosovës, Lorik Cana thotë se ka mbetur i mahnitur që e mbylli në krye të grupit të vet në Ligën e Kombeve. “Është një mundësi e artë për Kosovën, që ndoshta nuk do t’i përsëritet për pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.

Kosova në fazën kualifikuese të Kampionatit Europian, duke njohur rivalët e grupit, do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë për t’u kualifikuar. Megjithatë, Kosova e ka një mundësi të artë që të shkojë në gjysmëfinale të një kompeticioni, aty ku kombëtarja e Shqipërisë nuk ka arritur për 80 vite”, – shtoi Loriku, duke pasur parasysh se “Dardanët” do të sfidojnë Maqedoninë në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, në muajin mars.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here