Bushati zbulon telefonatën me Mike Pompeon dhe jep detaje rreth dëbimit të diplomatëve iranianë

0

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një postim në mediat sociale ka bërë me dije se  ai ka pasur një telefonatë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

“Sapo pata një telefonatë me Sekretarin e Shtetit Pompeo, i cili falënderoi Qeverisë e Shqipërisë për lidershipin në marrjen e vendimit kundrejt praktikës diplomatike të papranueshme. Nënvizova se Shqipëria po bashkon forcat me ato të vendeve të tjera evropiane për të mbrojtur sigurinë evropiane kundër të gjitha veprimtarive keqdashëse të pushteteve të tjera“, shkruan Bushati.

Dëbimi i ambasadorit të Iranit në Tiranë, Golamhosein Mohamadnia dhe të shefit të Inteligjencës pranë kësaj përfaqësie diplomatike nga Shqipëria dhe shpallja e tyre si persona “non grata” lidhet me parandalimin e dy sulmeve terroriste. Bëhet fjalë për dy sulme terroriste, të cilat janë parandaluar në mars dhe në muajin prill, për të cilat u ndaluan dy shtetas iranianë të dyshimtë dhe që më pas u dëbuan nga autoritetet shqiptare. Pikërisht hyrja e këtyre dy shtetasve në territorin e Republikës së Shqipërisë ka bërë që të ngrihen dyshime mbi përfaqësinë diplomatike iraniane, e cila mund t’i ketë ndihmuar dy të dëbuarit e muajit mars që të vendosen në Tiranë me pasaporta diplomatike.

Shërbimi Informativ Shtetëror kishte marrë në fillim të këtij viti informacione nga shërbimet partnere se në Shqipëri mund të ndodhnin sulme terroriste ndaj komunitetit të muxhahedinëve. SHISH, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ishin informuar me detaje në lidhje me mbërritjen e dy shtetasve iranianë, emrat e të cilëve nuk u zbuluan asnjëherë nëse ishin të vërtetë. Episodi i parë bën fjalë për festën e 22 Marsit 2018, organizuar nga Kryegjyshata me rastin e Sulltan Nevruzit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here