Burimet e autenticitetit

0

SHKODRAN RAMADANI

Sipas Charles Taylor etika e autenticitetit është diçka e re dhe karakteristike për kulturën moderne. Ajo ka lindur në fund të shekullit XVIII. Etika e autenticitetit u ngrit mbi individualizmin e racionalitetit të paangazhuar dhe subjektivitetin kartezian si dhe mbi individualizmin politik të John Locke, i cili u angazhua që ta vendoste personin dhe vullnetin e tij përpara obligimeve shoqërore. Racionaliteti i paangazhuar kartezian është botëkuptimi që promovon idenë se fuqia e mendimit është e aftë të shkëputet nga urdhërat e pranuar nga jashtë dhe të konstruktojë urdhëra të rinj të cilët i përshtaten standardeve të kërkuara nga dija, kuptimi dhe siguria.

Duke qenë se autenticiteti është krijuar në periudhën e romantizmit, ai ka disa shpërputhje me këto forma të individualizmit. Kjo për shkak se racionaliteti i pangazhuar dhe atomizimi që fragmentarizon shoqërinë krijon persona indiferent ndaj komunitetit. Sa i përket etikës, ai u ngrit mbi teorinë e sensit moral si një kundërshtar i konsekuencializmit, teorisë që thotë se njohja e drejtë ose e gabuar është e lidhur me llogaritë mbi shpërblimin dhe ndëshkimin hyjnor. Kjo mund të jetë e debatueshme sepse disa mund të thonë se teoria konsekuencialiste lind me teoritë utilitariste.

Megjithkëtë, Taylor orvatet që ta lidhë këtë me konsekuencializmin teologjik, më konkretisht me veprën e Shën Augustinit. Me lindjen e autenticitetit, moraliteti na shfaqet si një zë që dëgjohet brenda nesh. Përderisa në teologji e drejta dhe e gabuara mund të njihen vetëm përmes Zotit, në autenticitet kjo njohje buron nga thellësia e brendshme e qenies, megjithëse autenticiteti nuk e përjashton Zotin nga këto kalkulime.

Sipas Taylor, filozofi më i rëndësishëm në këtë kapërcim ishte Jean Jacques Rousseau, i cili u angazhua që të etablojë idenë e lirisë si vetëvendosje dhe si një proces i vendimmarrjes ku faktorët e jashtëm si zakonet apo paragjykimet, nuk interferojnë. Kjo liri e vetëpërcaktuar merr trajtë politike në veprën e Rousseau përmes konceptit të Kontratës Sociale të themeluar mbi interesin e përgjithshëm dhe megjithëse kjo liri u interpretua në terma moralë nga Kanti, ajo u kthye përsëri në orbitën e politikës, kësaj radhe përmes Hegelit dhe Marxit.

Artikulimin e parë të hollësishëm të idealit të autenticitetit, Taylor e gjen tek Herderi. Secili njeri ka diçka origjinale për të ofruar dhe çdo njeri ka diçka unike për të thënë. Këtu ndoshta mund ta implikojmë edhe filozofin danez Soren Kierkegaard dhe konceptin e tij mbi “specien dhe veten”, sipas së cilit të gjithë anëtarët e species njerëzore janë unikë, apo siç figurativisht shprehet ai: “Secili është Adam i veçantë”. Që secili të jetë original, një duhet që së pari të vendosë kontakt me brendinë e vet dhe të tregohet i kujdesshëm e të mos konformojë vetveten duke adaptuar ndonjë model paraekzistues. Kjo e sjellë individin në një pozicion ku ai mund ta aktualizojë vetë-realizimin. Ky edhe është sfondi moral i etikës dhe kulturës së autenticitetit.

Në përgjithësi, Taylor argumenton se, megjithëse autenticiteti involvon aspektin personal, që është një orientim jetësor i krijuar nga vetja e tij e jo i imponuar nga jashtë, ai thotë se autenticiteti gjithashtu përfshin edhe hapjen përpara atyre që ai i quan “horizonte të pashmangshme” – kontekste më të mëdha nëpër të cilat njerëzit lëvizin. Këto kontekste ngërthejnë respektin dhe mirësjelljen kundrejt të tjerëve dhe natyrës. Ato ofrojnë mundësi për lidhje interpersonale midis individëve brenda domeneve më të mëdha politike, sociale apo religjioze.

Për fund do të shtoja se moderniteti e ka mbitheksuar rëndësinë e individualitetit deri në atë masë sa individualizmi është shndërruar në qëllim në vetvete; lidhjet mes individit dhe komunitetit thuajse nuk ekzistojnë; iniciativat për të zhvilluar dhe ndarë projekte të përbashkëta janë më të rralla se kurrë më parë dhe ndoshta mund të themi se triumfi i individit të atomizuar shenjon sëmundjen më të madhe të modernitetit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here