Bullgaria zotohet ta mbështesë Kosovën në proceset integruese evropiane

0

PRISHTINË, 1 SHKURT – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është pritur sot në Pallatin Presidencial në Sofje, nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, të cilit i ka shprehur ngushëllime në emër të popullit dhe të institucioneve të Kosovës, për vdekjen e Presidentit të parë të Bullgarisë demokratike Zhelju Zhelev. Presidentja Jahjaga ka thënë se vdekja e presidentit Zhelev është humbje jo vetëm për Bullgarinë por edhe për gjithë botën demokratike. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Plevneliev sipas një njoftimi nga Zyra e Presidentes kanë biseduar për çështje të zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushat e interesit të përbashkët, posaçërisht në atë të ekonomisë dhe investimeve. Të dy bashkëbiseduesit kanë folur edhe për zhvillimet aktuale në rajon duke theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit rajonal, me qëllim të adresimit të sfidave të përbashkëta dhe të ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme në të gjitha fushat që do të ndihmonte proceset integruese. Presidentja Jahjaga, ka theksuar se ndihma e Bullgarisë për Kosovën në fushën e integrimeve evropiane, përfshirë procesin e liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit do të ishte domethënëse për qytetarët e Kosovës dhe për perspektivën evropiane të tyre. Presidenti Plevneliev e ka falenderuar Presidenten Jahjaga për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të Presidentit Zhelev dhe për ngushëllimet e sinqerta. Ai ka theksuar se pjesëmarrja në këtë ceremoni së bashku me presidentët e tjerë të rajonit të Ballkanit përçon porosinë se rajoni ka ndryshuar dhe se flet me një zë për proceset integruese. Ai është zotuar se Bullgaria do të vazhdojë të jetë pranë Kosovës për ta ndihmuar në proceset e saj demokratike dhe në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Presidenti Plevneliev ka theksuar se e ka pranuar me kënaqësi ftesën e Presisentes Jahjaga për ta vizituar Kosovën dhe këtë do ta bëjë brenda pak muajsh. Ceremonia e varrimit të ish presidentit Zhelev është mbajtur sot në Kishën e Madhe në Sofje ku kanë marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, presidenti i Republikës së Maqedonisë, presidenti i Kryesisë së Republikës së Bosnjë Hercegovinës dhe personalitete të tjera politike e shoqërore të Bullgarisë. Presidentja Jahjaga është nënshkruar edhe në librin e zisë të hapur në Kishën e Madhe të Sofjes në nderim të ish presidentit të Republikës së Bullgarisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here