Bujar Nishani thotë se Visar Zhitin po e ridënon Edi Rama

0

Bujar Nishani i përgjigjet flakë për flakë kryeministrit Edi Rama për Visar Zhitin. Ai thotë se për Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador, por ta përdorësh për politikë. Nishani shkruan se Kryeministri nuk lë rast pa dëshmuar se preferon shoun, ekzibicionin, gjestet, pra kollajllëkun, shumë më tepër se thellësinë, seriozitetin, punët.

 Nishani shprehet se “Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit”. Më poshtë komenti i plotë i Nishanit: Kryeministri nuk lë rast pa dëshmuar se preferon shoun, ekzibicionin, gjestet, pra kollajllëkun, shumë më tepër se thellësinë, seriozitetin, punët. Fjalët e fryra të Kryeministrit janë tullumbace sapuni pa asnjë peshë që plasin dhe zhduken nga prekja më e lehtë me cilindo argument.

Kryeministri nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se Visar Zhiti nuk është nga poetët “e rrallë” të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga cilësimi “i rrallë’. Po, Visar Zhiti nuk ka shpifur për askënd. Për Visar Zhitin kanë shpifur pafund shëmbëlltyrat e barrikadës sigurimiste qe ndikojnë sot vendim­marrjen. Visar Zhiti është i propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor procedurial, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; Konsultimin paraprak me Presidentn e Republikës. Kryeministri nuk e di se në tryezën e Presidentit asgjë dhe askurrë nuk është thjesht “për firmë”. Me këtë padijë kaq të thellë proceduriale Kryeministri provon për të disatën herë një mungese serioziteti sa të pabesueshme dhe të papranueshme për një Kryeministër. Kryeministri duhet ta mësojë një herë e përgjithmonë se dekretimi apo mos­dekretimi i ambasadorëve, është e drejtë ligjore e e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës.

Visar Zhitin nuk po e ridënon Presidenti. Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit. Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador. Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë. Kryeministrit nuk i lypset të zotohet të mos e komentojë Presidentin. Të mos e komentoje Kryeministri Presidentin është një minimum etike që, si e tillë, nuk përbën asnjë meritë, nuk meriton asnjë lëvdatë, e aq më pak autolëvdatë.

Megjithatë, nëse gjithsesi, një zotim ose bëhet dhe mbahet dhe zotuesi lëvdohet, ose bëhet dhe nuk mbahet dhe zotuesi turpërohet. Se ta bësh një zotim, të vetlëvdohesh se e ke bërë, dhe, përtej çdo rrethane apo çfardo kombinimi sado të pafavorshme rrethanash, zotimin të mos e mbash, zotuesi nuk mundet, si po bën Kryeministri, që vetlëvdohet.

Por mesa duket nga lëvdimi, autolëvdimi, turpërimi, autoturpërimi Kryeministri ynë nuk ka asnjë haber. Prandaj dhe lëvdatat e vetlëvdatat i bën dhe i ribën edhe kur zotimin e mban edhe kur zotimin nuk e mban, çka është një turp që s’ka kandar që e peshon. “Argumentat nuk numërohen, argumentat peshohen”, thotë një fjalë latine e pakontestuar nga kurrkush deri më sot. Kryeministri ynë fatkeqësisht këtë pohim nuk e respekton./gazetatema.net/.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here