Bruksel: Tri lajme të mira dhe një i keq për Kosovën

0

Shteti, nga kjo e martë, mund ta dijë se cili do të jetë kodi i vetë telefonik, që në njëfarë mënyre, pos që sjell përfitime materiale, e konfirmon subjektivitetin e tij ndërkombëtar.

Sot, Isa Mustafa e Hashim Thaci mund të arrijnë një marrëveshje të mirë edhe për liqenin e Gazivodës, i cili përvec që është një bukuri natyrore e artificiale, i sjell benefite shtetit edhe përsa i përket prodhimit të energjisë elektrike, bënë të ditur Klan Kosova.
Lajmi i tretë i mirë që mund të prodhohet në selinë e BE-së është lirimi i Urës së Ibrit për qarkullim të njerëzve dhe makinave, sic ka qenë deri para 25 korrikut 2011, për ata që kanë guxuar ta kapërcejnë atë. Rrjedhimisht, vendimi për heqjen e Parkut të Paqes, ndikon edhe në lejimin e ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në Kroin e Vitakut, Lagjen e Doktorëve, Kodrën e Minatorëve, Suhadoll e pjesë tjera të veriut të Mitrovicës.
Por, ka edhe lajme jo aq të mira, që mund të prodhojë raundi i sotëm i bisedimeve Beograd-Prishtinë, për këtë të fundit.
Isa Mustafa e Hashim Thaçi mund të detyrohen të pranojnë edhe një marrëveshje jo fort të favorshme për Kosovën në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo OJQ për Prishtinën, e bashkësi për Beogradin dhe serbët e Kosovës, mund t’u jap këtyre të fundit kompetenca më të zgjeruara se ato të nivelit komunal.
Megjithatë, është edhe Serbia ajo që mund të fitojë dicka, në këtë ditë, të cilën, për të cilën kryeministri Aleksandër Vuciq ka thënë se “sytë e krejt botës do të jenë të drejtuar kah Brukseli” dhe të cilën e vlerësuar me rëndësi jetike për të ardhmen e shtetit dhe popullin e tij. Nëse ai bëhet i mirë dhe nënshkruan ato që i thotë Federika Mogherini, Serbisë mund t’i hapen kapitujt e parë për negociata me BE-në.
Por çfarë në të vërtetë do të ndodh sot në Bruksel, kur para Mustafës e Thacit, në njërën anë, dhe Vuciqit e Ivica Daciqit, në anën tjetër, do të vendoset një dokument, ku listohen disa tema, për shumë prej të cilave ka shpresa se do të rezultojnë me marrëveshje përfundimtare.
Cilat janë ato:
1. Telekomunikacioni: Pika kryesore e mospajtimit është kodi i vecantë hyrës për Kosovën. Edita Tahiri javën e kaluar pati thënë se ai do të jetë +383, gjë që e ka mohuar Marko Gjuriq. Pos kodit, ekipet e nivelit më të lartë do të provojnë të gjejnë akord edhe për cështjen e tarifave (të lira) të bisedave telefonike ndërmjet Serbisë e Kosovës, por edhe funksionimi i operatorëve serbë në Kosovë.
2. Energjetika: Pritet një marrëveshje për menaxhimin e pasurive energjetikë në veri të Kosovës, sikur që është liqeni grumbullues dhe hidroelektrana e Gazivodës, por edhe trafostacioni i Vallaqit. Javë më parë, kryeministri serb ka thënë se “nuk ka bir nënë” qe e detyron atë të nënshkruajë dorëzimin e 100 për qind të Gazivodës te Prishtina.
3. Ura e Ibrit: Kontestuese është cështja e “Parkut të Paqes”, një hapësirë kjo e gjelbëruar, e “rregulluar” në mes të urës së Ibrit, që ndan Mitrovicën në dy komuna, atë të jugut me shqiptarë dhe veriut me shumicë serbe. Prishtina e konsideron atë si pengim të lirisë së lëvizjes, ndërsa Beogradi dhe serbet e veriut të Kosovës besojnë se largimi i këtij parku mund të shndërrohet në një problem të madh serioz për sigurinë e tyre.
4. Asociacioni/bashkësia e komunave serbe: Kjo llogaritet të jetë pika më e nxehtë e bisedimeve të sotme, për të cilën Prishtina e Beogradi, pos për faktin se duhet të themelohet, nuk janë pajtuar asnjëherë rreth përmbajtjes e funksioneve të saj. Kosova është kundër që asociacioni/bashkësia të ketë peshë të madhe politike dhe përgjegjësi të rëndësishme. Serbët po duan ta rregullojnë jetën e tyre në Kosovë, kryekëput nëpërmjet “zajednicës”.
Takimi i sotëm mund të zgjasë gjithë ditën, e duke parë temat, gjasat nuk janë të vogla që ai të vazhdojë edhe nesër. /Klan Kosova.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here