Brezi i humbur

0

SALAJDIN SALIHU

Asnjë Gertrude Stein s’është nevoja të na kujtojë se jemi “brezi i humbur”; një brez që pati pritshmëri të mëdha e mbeti i zhgënjyer; që e dinte se lufta, e cila korrte jetë njerëzish në afërsi, herët ose vonë, do të ofrohej pranë dhe hijet e absurdit të saj do ta mbulonin qiellin të cilit i fliste ky brez, sepse nuk kishte kush tjetër ta dëgjonte zërin e tij.

Ky brez e përjetoi luftën, por nuk ishte i befasuar. Në Ballkan secili brez e përjeton nga një luftë.

Ky brez pati ëndrrat, iluzionet, shpresat, pritjet. Besoi, kur pakkush besonte, se do ta përjetonte vdekjen e përbindëshit Jugosllavi. Pas dekompozimit të përbindëshit mbeti i zhgënjyer. Nuk e shijoi atë që  kishte pritur dhe ëndërruar.

Ky brez besoi se jo gjithçka fillon prej tij. Ishin dhe të tjerë që kishin hapur do rrugë apo rrugica orientuese drejt një udhe të madhe. I respektoi ata që kishin punuar me mish e me shpirt për një jetë të përbashkët. Nuk ua mohoi punën edhe kur besoi se botëshikimi i tyre mund të ishte i gabuar. E vlerësoi dëshirën e mirë edhe pse ishte kritikues ndaj traditës, sepse mungesa e qëndrimit kritik ndaj traditës të robëron brenda një bote të izoluar, prej ku s’e sheh atë që ndodh përtej saj. Pra, nuk ishte brez mohues, as glorifikues.

Veçanti e këtij brezi të humbur mbeti solidariteti, ndoshta se përjetoi kohëra të vështira e plasaritje të thella historike. Fatkeqësia i bën njerëzit më solidarë se sa janë në të vërtetë.

Brezi i humbur nuk ishte brez makutësh (të paktët që thyen këtë rregull nuk njiheshin si emra). Nuk pëlqeu të ishte pjesë e politikës. Ia kishte parë sherrin “politikës” së egër, prandaj punoi për idealet e veta dhe jo për konjuktura politike. Në çaste të caktuara të historisë më të re, të mes-kohës, nëse mund ta quajmë kështu, përkrahu grupime politike, por shpejt u zhgënjye prej tyre. E kuptoi se për dikë “idealet vlejnë vetëm për t’u pasuruar”, si thotë një shkrimtar.

“Institucionet” ku rrahu mendime ishin kafenetë. Në kujtesën e autorit të këtij teksti kanë mbetur disa prej tyre, që shërbenin si vatra të mendimit alternativ: “Doors” apo “Edi”. Aty u përfituan dije. Ishin katedra ku debatonin ata që kishin kryer “universitetin e jetës”; që kishin mësues emrat më të njohur të mendimit botëror. Ndonëse pjesë e trotuareve të jetës, shumica ishin lexues të pasionuar. Kishte shumë përplasje mendimesh, botëshikimesh, konceptesh, vizionesh se sa mund t’i hasim sot në institucionet që duhet ta stimulojnë debatin për probleme të ndryshme, qofshin kulturore, politike, jetësore…

Brezi i humbur sot duket i pa zë në sferën politike. Është i zhgënjyer skajshmërisht. Është tejet dyshimtar. Nuk ekzaltohet nga premtimet e kota.

Nga ky tekst duket se për këtë brez mund të flitet vetëm në kohën e kaluar. Gabojnë ata që mendojnë kështu, sepse ky brez ka shumë durim. I di do vargje të një rokeri: “Çfarëdo sistemi që të shpikni pa ne do të përmbyset”.

U shpikën sisteme të ndryshme, udhëhequr nga të dehumanizuarit, por u përmbysën. U shpikën sisteme që lartësuan kokat kompetente të marrëzisë, por u përmbysën. Shumë yje të politikës, që shkëlqenin me shkëlqim të rrejshëm, nuk përmenden, sepse u përmbysën e ranë në honin e harresës.

Ky brez, me zërin e heshtur, u flet edhe atyre që do të vijnë dhe u thotë: historia është ndryshe nga ajo që u shkrua në kohën tonë. Brezi i humbur, brezi i udhëkryqit, nuk diti të bëhej bashkë në sferën e veprimit, ndryshe nga çfarë ishte në sferën e mendimit, prandaj, ndoshta, nuk bëri atë që duhej bërë për Ju. Keni të drejtë të na gjykoni, por jo të na barazoni me “profetët e rrejshëm”. Ishim në grupin e kundërshtarëve të përhershëm. Nuk besuam në asnjërin sistem, sepse e dinim që ishin formuar për të keqen tonë dhe Tuajën. Brenda këtyre sistemeve vetëm mund të shpërfytyroheshim. Prandaj i dhamë detyrë a mision vetes të ruanim një ëndërr. Sado tentuan ta përçmojnë, kjo ëndërr nuk do të zbehet, sepse në secilin brez do të ketë prej atyre që do ta mbartin zjarrin e saj, si vrapuesit olimpikë, deri sa një ditë të bëhet realitet i prekshëm.

Portalb.mk.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here