Borxhet e mia

0

XHEVAHIR SPAHIU

Do të vdes,

Do të vdes i mbytur në borxhe,

S’është asgjë mbytja në lumë

A në dhomat e gazit…

I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,

I kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,

I kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,

I kam borxhe krimit që s’i vura emër…

Do të vdes,

Do të vdes i mbytur në borxhe:

I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr,

I kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,

I kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët,

I kam borxhe ardhmërisë që ia lashë te pragu,

Terrin e një kohe të largët…

Do të vdes,

Do të vdes i mbytur në borxhe.

U kam borxh të gjallëve,

U kam borxh të vdekurve,

Gurin e varrit e shes

të laj borxhet.

Dhe ve pikë këtu.

Tani mund të flisni

për borxhet që me keni ju…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here