Boksieri Patriot Behrami: Krenari ta fitosh turneun ‘Adem Jashari’

0

Boksieri Patriot Behrami ndihet krenar se ka triumfuar në turneun e boksit “Adem Jashari”.
Boksieri Patriot Behrami ka arritur të dalë fitues në turneun e 20 ndërkombëtar “Adem Jashari” në boks. Ky turne jubilar është organizuar nga Federata e Boksit e Kosovës në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, kurse pjesëmarrëse ishin dhjetë shtete.

Turneu “Adem Jashari” ishte në kalendarin e garave të Federatës Evropiane të Boksit (EUBC). Boksieri i talentuar, Behrami, ka thënë se ndihet i nderuar që ka arritur të triumfojë në një turne kaq të rëndësishëm. “Ky është çmimi më i mirë që e kam marrë në këtë vit, sepse ishte viti im i parë që jam në boksin senior dhe hera e parë që marr pjesë në këtë turnir kaq të rëndësishëm. Në përzgjedhjen e jurisë u shpalla boksieri më i miri dhe kjo ka domethënie të madhe për faktin se i kushtohet një njeriu që ka dhënë jetën së bashku me shumë familjarë për lirinë të cilën e gëzojmë sot. Normalisht se ndihem krenar për këtë çmim dhe do të punoj edhe më shumë që në të ardhmen të kam suksese të reja”, ka thënë Patriot Behrami për “Epokën e re”.

Bokseri i klubit të Gollakut në finale e mposhti italianin Naser Ricard, në kategorinë deri në 69 kilogramë. “Ndeshja me atë boksier ishte e vështirë, por me përgatitjet që kemi bërë me trajnerët arrita të paraqitem mirë dhe të dal fitimtar. Përballja me kundërshtar jashtë Kosovës është e mirë për ne boksierët, sepse fitojmë me shumë përvojë për turnet dhe kampionatet ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.

Bokseri Patriot Behrami ndihet shumë i lumtur që ka një emër të tillë, kurse premton se do të mundohet që këtë emër ta ngrehë sa më lart, pasi ky emër është mjaft i veçantë për popullin shqiptar. “Ndjenjë e mirë që dola fitues në turneun për komandantin tonë legjendar dhe ndjenjë e mirë për mua që quhem Patriot, ani pse jam i lindur pas përfundimit të luftës në Kosovë. Do të përpiqem ta ngreh sa më lart këtë emër, sepse është shumë i veçantë për të gjithë shqiptarët”, ka shtuar ai. “Nuk do të ndalem së përgatituri që në një të ardhme të afërt të fitoj medalje në kampionate evropiane dhe botërore”, ka përfunduar Behrami.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here