Bilall Sherifi:Nuk kam qenë as nuk shkoj te varri i Rugovës por nuk jam unë rreziku i rugovizmit

0

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën pas kishte bërë me dije se Nisma nuk do të bëjë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës sot e ka mbrojtur këtë qëndrim të tij dhe u është përgjigjur edhe atyre që e kanë sulmuar për këta në rrjetet sociale. Ai ka thënë se personalisht as që ka qenë kurr te varri i Ibrahim Rugovës e as që mendon me shku por ka theksuar se ai nuk paraqet rrezikshmëri me këtë qëndrim, sa paraqesin ata që shkojnë aty për hirë të votave të mbështetsëve të Rugovës. E Rugova sipas Sherifit të Nismës as nuk ka qenë ashtu siq e paraqesin dashamirët e tij e as ashtu siq e paraqesin kundërshtarët. Ia ka lënë historisë ta gjykojë figurën e Rugovës.

 

Më poshtë mund ta lexoni të plotë qëndrimin e Bilall Sherifit:

 

“PËRGJIGJE PUBLIKE AKUZAVE DHE OFENDIMEVE QË PO MË VIJNË NË FACEBOOK

Një deklaratë e imja dhënë për TV Rrokum se NISMA nuk do të bëjë homazhe te varri i presidentit Rugova, morri një hapësirë të konsiderueshme në mediet elektronike në portale dhe rrjete sociale.

Shumë simpatizant të Rugovës nuk kursyen fjalë për të më sharë dhe akuzuar mua dhe Nismën pse kemi vendosur të mos shkojmë për të bërë homazhe te varri i tij. Në një mënyrë e filluan një luftë virtuale për të marrë në mbrojtje Rugovën nga unë. Por shtrohet pyetja nga kush vërtet është në rrezik Rugova dhe trashëgimia e tij?
Ju që përdorni një gjuhë të tillë linçuese kundër meje, më së paku, për të mos thënë fare hiç, përfaqësoni ish presidentin Rugova dhe frymën e tij. Agresiviteti që ju po shfaqni këtu, më shumë ju bën të denjë të jeni simpatizant të Hashim Thaçit sesa të Ibrahim Rugovës.

Nëse ju vërtet e doni Rugovën dhe Rugovizmin ashtu siç po shpreheni këtu, shkoni shpëtojeni partinë që ai e themeloi, LDK-në, nga kthetrat e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit.
Të jeni të sigurt se nuk përbën ofendim për Rugovën mos shkuarja e jonë te varri i tij, sepse edhe ashtu asnjëherë nuk kam shkuar, përkundrazi ofendim për Rugovën përbën shkuarja e Isës dhe Hashimit te varri i tij. Besoj do të duhej të ishte ofendim edhe për juve.

Nëse e doni shumë Rugovën, shkoni dhe ndaleni kryetarin tuaj Isa Mustafa, sa nuk e ka bërë gabimin fatal, që me votën tuaj ta zgjedh president të Kosovës Hashim Thaçin, njeriun i cili vetëm pas vdekjes së Rugovës filloi të flasë mirë për të.
Apo kështu jeni ju, kur njeriu ju thotë atë që mendon, ju e fyeni, ndërsa e doni atë që ju gënjen, atë që ju mashtron.
Të jeni të sigurt se 70% e politikanëve që sot do t’i shihni duke defiluar te varri i tij shkojnë jo për të nderuar Rugovën por për votën tuaj.
Unë nuk bëj pjesë në kategorinë e politikanëve të tillë.
Kurrë nuk do të them dhe as nuk do të bëj diçka sa për të marrë votën e askujt.
Gjithnjë do të them vetëm atë që mendoj dhe besoj fort në të.
Për shkak të subjektivizmit të mundshëm, konsideroj se për Ibrahim Rugovën, nuk janë kompetent të flasin politikanët, sidomos jo ata që kanë jetuar në kohën e tij.
Por, nëse bash e doni mendimin tim për të ndjerin Rugova do të përpiqem ta përkufizoj me pak fjalë.

Se kush dhe çka ka qenë Ibrahim Rugova, nuk mund të përmblidhet me një fjali, i mbetet historisë ta ndriçojë tërësinë e veprimtarisë së tij.
Mirëpo për një gjë jam i sigurt se, Ibrahim Rugova, nuk është as ashtu siç e portretizojnë përkrahësit e tij, por as siç e portretizojnë kundërshtarët e tij.

Prandaj, mos u hidhëroni me ata që sot nuk do të jenë aty. Hidhërohuni me ata që me trup, sot, do të jenë te varri i tij, ndërsa me mendje te ju, por jo se ju duan shumë, por me qëllim që t’ju mashtrojnë juve se kinse e duan shumë Rugovën, natyrisht sa për t’ua marrë votën dhe pastaj ta dërgojnë atë votë, aty ku Rugova kurrë nuk do ta dërgonte.”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here