BIK-u reagon ndaj shkuarjes së kosovarëve në luftat e xhihadit

0

Arrestimet e imamëve dhe shkuarja e disa të rinjve në Siri dhe vendet ku po luftohet ne Lindje të Mesme, ka shtyrë që Bashkësia Islame e Kosovës të reagojë sërish ndaj këtij fenomeni.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame, Ahmet Sadriu, thotë se Prokuroria e Shtetit dhe organet e sigurisë duhet t’i hetojnë rastet e dyshuara dhe të kenë prova për arrestime të tilla, e jo të ngritin padi e të arrestojnë persona fetarë pa baza dhe fakte, ngase, sipas tij, po krijohet panik dhe imazh i keq pa nevojë.

Bashkësia Islame e Kosovës ka komentuar sot zhvillimet e fundit pas arrestimeve të disa imamëve në rajonin e Gjilanit, të dyshuar për bashkëpunim me organizatat terroriste në Siri. Zëdhënësi i Bashkësisë Islame bën thirrje për ruajtjen e vlerave fetare e kombëtare.

Sadriu sqaron se askush nga Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka dorë në nxitjen e të rinjve për të marrë rrugë në Siri. Përkundrazi, thotë se obligim dhe detyrë kanë edukimin dhe ligjërimin në parandalim pjesëmarrjes në luftëra të tilla, përcjell televizioni publik.

Ai u bën thirrje familjarëve të personave të cilët kanë shkuar në luftëra jashtë vendit, që mos ta drejtojnë gishtin në dikë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja.

Për çështjen e rrezikut të grupeve ekstremiste dhe të shkuarjes së të rinjve shqiptarë në luftërat në Siri dhe më tej ka folur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Rumani. Rama foli për rastin e shqiptarëve në Ballkan si shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare. Ndërsa, e përcaktoi përshkallëzimin e radikalizmit islamik në zona ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik si kërcënimin më serioz. Kryeministri nënvizoi se përshpejtimi i integrimit evropian i vendeve të rajonit është përgjigjja e duhur ndaj këtij fenomeni.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here