Bie alibia për vetëplagosje, gjykatësi tiranas e fshehu krimin mbi të

0
Bie alibia e gjyqtarit Artan Gjermeni se është plagosur aksidentalisht me llamarinë ndërsa punonte në garazh.

Policia ka gjetur gjurmë gjaku vetëm në automjetin e gjyqtarit dhe në rrobat që ai mbante veshur, ndërsa asnjë shenjë nuk është gjetur në garazhin dhe banesën e tij, ku ai pretendoi se ishte lënduar.

Pas kontrollit në garazh, veç gjurmëve të gjakut që mungojnë, nuk është gjetur as ndonjë llamarinë prerëse, shkruan “Shqiptarja.com” duke iu referuar burimeve nga Policia e Tiranës.

Të njëjtat burime sqaruan se gjyqtari do të pyetet sërish gjatë ditës së sotme, pasi dëshmia e tij dhënë një natë më parë është konsideruar si alibi e pabesueshme për të fshehur një krim. Burimet thonë se ka dyshime që gjyqtarin ta kenë plagosur, ndoshta për shkak të detyrës.

Ndërsa vetë Gjermeni ka këmbëngulur që kjo ngjarje të mbyllet me kaq, pa pasur hetime të mëtejshme, prokuroria dhe policia në kryeqytet kanë vendosur të hetojnë dhe të marrin në pyetje të afërmit e gjyqtarit apo pjesëtarë të familjes së tij. Kjo pasi gjyqtari ka qenë i shoqëruar në spital nga një i afërm dhe jo nga anëtarë të familjes, të cilët plagosjen e kanë mësuar nga media.

Mbrëmjen e së dielës ai u paraqit pranë urgjencës së QSUT-së, pasi kishte marrë katër plagë të shkaktuara nga mjete prerëse. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, Gjermeni ka lënë spitalin “Nënë Tereza”, ndërsa interesit të gazetarëve iu përgjigj shkurt: “Ishte thjesht aksidentale. U plagosa me llamarinë, pse e bëni kaq alarmante?”.

Artan Gjermeni njihet si gjyqtari që i dha pafajësinë ish-guvernatorit Ardian Fullani. Prej më shumë se dhjetë vjetësh ai është gjyqtar i Gjykatës së Tiranës. Me herët ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ka mbajtur postin e kreut të Gjykatës së Lushnjës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here