Betejë absurde bunkerësh

0

BEHAR GJOKA

Kur pritej që të merrnin udhë, sa më parë që të jetë e mundur, çështjet e rëndësishme të drejtësisë dhe të dekriminalizmit, në skenën politike, si në teatrin absurd, shfaqet beteja e bunkerëve. Në kujtesën e shqiptarëve, bunkerizimi përfaqëson izolimin nga bota, mbylljen në guaskën e qëndresës së paimagjinueshme, të mbijetesës pa ëndrra dhe pa shpresë për ardhmërinë. Në prapaskenën tragjikomike të politikës sonë, kemi të bëjmë me betejën e radhës të palëve në konflikt, që nuk lënë kusur pa e gjetur shkakun për të mos u marrë vesh, e të vazhdojnë sundimin e tyre në mbretërinë e rrumpallës. Pushtetarët e majtë, PS dhe LSI, krahas aksioneve të tjera, që të krijon ndjesinë e tufanit dhe suferinës, ditën për diell, në qendër të Tiranës, me një krenari të hatashme, ngrenë një bunker. Nga ana tjetër, ish të përndjekurit dhe opozita, sidomos PD-ja, për shkak të simbolikës që bart bunkeri në memorien e historisë së afërt, reagojnë dhe kërkojnë shembjen e tij. Bunkeri, me shumë gjasa bunkerizimi dogmatik që kemi në kokë, ku kundërshtari politik dhe i mendimit është armik që duhet asgjesuar, sërish i vuri përballë palët. Protesta e ish të burogsurve politikë, moralisht është e përligjur, sepse simbolikat e diktaturës, me të drejtë zgjojnë reagimin qytetar. Ndërkaq, reagimi politik i PD-së, i opozitës që duhet të ofrojë alternativa në kohën e krizës totale, mbi të gjitha të krizës së besimit të shqiptarëve te politika, nuk përligj aspak shansin që bunkeri, madje beteja e bunkerëve, të shndërrohet në kauzë, për të synuar marrjen e pushtetit. Zëra të tjerë, më tepër komikë, arritën deri aty sa të heqin paralele në mes këtij bunkeri që po ngrihet karshi Teatrit Kombëtar, si një copë shkëmbi betonarmeje në shesh, me bunkerin që është vendosur përballë hotel Rognerit. Krahasimi, në këtë rast çalon, jo pse e thonë gjermanët se çdo krahasim çalon, po se në rastin konkret, qëllimet dhe funksionet e tyre janë të ndryshme. Bunkeri te Rogneri, siç dihet dhe është pohuar me forcë nga ideatorët dhe projektuesit, bart vetëmse simbolikën e kujtesës së një kohe pa kohë, e një kohe kur të mbeteshe gjallë, pra edhe si qenie fiziologjike, numërohej si fitore, anipse me barkun bosh. Po kaq, krahas bunkerit, ajo hapësirë ka edhe imazh piktorik, si dhe skelete të shtyllave të burgjeve dhe kampeve të përqendrimit të terrorit komunist, që vetiu të sjellin ndër mend Maliqin, Burrelin, Spaçin etj. Bunkeri karshi Teatrit Kombëtar është më i madh, është ngritur mbi hapësirën e lirë të pedonales së kompleksit ministror, e mbi të gjitha nuk dihen arsyet e ngritjes së tij pikërisht aty. Në këtë betejë, pa front, por me armiqër të betuar, që në një kuptim të avitin fytyrën e Don Kishtoti, të bën përshtypje heshtja olimpike e IMK-së, si institucioni që mban përgjegjësi për punimet që kryhen në rrethin e ansamblit ministror, të shpallur si zonë e mbrojtur. A kanë marrë leje për ta ngritur këtë përbindësh betoni në qendër të Tiranës? Nëse kanë marrë leje, atëherë duhet të gjejmë polici që të ruajë rojtarët e ngarkuar për të ruajtur vlerat monumentale. Beteja politike, në këtë vjeshtë të parë, hajde luajmë bunkerash, nuk shpie asgjëkund. Politika në këtë gjoja betejë, morale dhe amorale, për të bërë kauzë apo për të fituar kohë, vetëm sa bëhet qesharake, e gjendur përballë betejave me krimin, me drogën dhe korrupsionin, që janë beteja jetike për fatin e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here