Berisha shpërthen kundër ambasadorit Hoffman dhe i përgjigjet Ramës për veriorët

0

Shqetësimet e ambasadorëve për dhunën në protestën e opozitës janë komentuar nga ish-kryeministri Sali Berisha që e sheh të pavend ndërhyrjen e tyre për çështjen e bunkerit të djegur pranë Ministrisë së Brendshme. “Kohë para se të prononcohen ambasadorët, unë personalisht dhe kreu i PD, kemi shpallur thirrje për protesta paqësore, për mosbindje civile paqësore. Ambasadorët të cilët i respektoj shumë, kam mirëkuptim të plotë me ta për të shmangur dhunën, por jo qëndrimin ndaj bunkerit. Shpreh keqardhjen ndaj cilitdo, bunkeri është statuja konstelancion e Hoxhës e ngritur nga Rama për të poshtëruar shqiptarët”-deklaroi Berisha në një konferencë me gazetarët.

Edhe polemikat e fundit të ambasadorit gjerman Hoffman me gazetarë të shtypit të shkruar për protestën e opozitës kanë ngjallur reagimin e ish-kryeministrit që nuk i ka kursyer kritikat për ambasadorin gjerman. “Kur bën  avokatinë e qeverisë që në fillim për arsye të ndryshme e ke të vështirë të tronditesh për gjëra që nuk i interesojnë qeverisë. Hoffman është diplomati i vetëm në Tiranë dhe i vetmi njeri pas Muç Nanos që tha po, zgjedhjet ishin më të mira se të parat. Dhe argumenti që dha herr Hoffman për të cilin kam respekt se vendi i tij ka ndihmuar Shqipërinë, por argumenti ishte i mjerueshëm. Kam biseduar tha me 4-5 shqiptarë të pavarur. I them zotërisë se kam 25 vjet që merrem me politikë po më gjej një njeri të pavarur nga politika, ka por unë nuk e gjej dot”-theksoi Berisha.

Berisha foli edhe për deklaratat e Ramës në Shkodër, faljen për dekorimin e torturuesit të At Zef Pëllumbit dhe racizmin ndaj veriorëve.“Rracizmi i Ramës ndaj veriut është një racizëm primitiv, i pashfaqur ndonjëherë nga ndonjë politikan. Së fundi, ky zotëri, pasi mbushi Parlamentin me kriminel nga Veriu, natyrisht nuk janë më pak të mëdhenj disa nga Jugu, u thonë shqiptarëve se këta u futën në Parlament se përfaqësojnë vlerat e krahinave të tyre. Unë u them shqiptareve se Mark Frroku nuk përfaqëson Pukën, por kriminelët. Pukianët janë njerëz fisnik edhe e kanë përfaqësuar veten në çdo kohë”, -shtoi Berisha.

Ish-kryeministri iu referua edhe rolit të veriorëve gjatë luftës dhe përgjatë regjimit komunist. “Tre kane qenë armiqtë më kryesorë të Enver Hoxhës, shkodranët kosovarët dhe grekët. Këta kanë qenë targeti, nishani absolut. Rama shkoi në Shkodër, i shoqëruar në krahun e majtë dhe të djathtë nga dy pinjollët e dy ekzekutorëve më kryesorë të Shkodrës, Beqajn dhe Bushatin. Normali mban përgjegjësi, i sëmuri nuk ka asnjë përgjegjësi. Enver Hoxha lau në gjak Veriun, pasi Veriu nuk u mashtrua. Ta themi këtu, përveç ndonjë zone të caktuar. Ai nuk u pajtua as gjatë luftës me Hoxhën. Veriu nuk u inkuadrua në njësitë partizane.”-deklaroi ish-kryeministri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here