Benjamin Netanyahu i fitoi zgjedhjet e së martës në Izrael

0

Kryeministri Benjamin Netanyahu i Izraelit arriti një fitore të pastër në zgjedhjet e përgjithshme të së martës në këtë vend duke siguruar mandatin e katërt të qeverisjes. Nga 99,5 për qind të votave të numëruara, faqja e lajmeve Ynet ka njoftuar sot në mëngjes se Partia Likud e zotit Netanyahu i ka fituar 29 apo 30 nga 120 vende në parlament, duke e mposhtur rivalin e tij kryesor, aleancën e qendrës së majtë Unioni Sionist, që ka marrë 24 vende. Mësohet se fitorja e zgjedhjeve është pritur me entuziazëm të madh nga kampi i Netanyahut pasi ai ka qenë në disavantazh në sondazhet e deritashme përballë udhëhqësit të Unionit Sionist, Isak Herzog. Thuhet që fushata e minutës së fundit nga kryeministri Netanyahu ka ndikuar në fitoren e tij. Kryeministri Netanyahu ka thënë të mërkurën se ai synon të formojë qeverinë në dy – tri javët e ardhshme. Në një njoftim të zyrës së Netanyahut thuhet se ai tashmë ka kontaktuar me partitë më të vogla me qëllim të krijimit të koalicionit me 61 vende sa i duhen për të qeverisur.  Një nga partitë kryesore është Kulani, që ka fituar 10 vende në votimet e së martës. “Qytetarët e Izraelit, presin që të bashkojmë shpejt udhëheqjen e re që do të punojë për ta në çështjet e sigurisë, ekonomisë  e shoqërisë ashtu sikundër jemi përkushtuar që ta bëjmë dhe do ta bëjmë”, ka thënë Netanyahu. Udhëheqësi i Unionit Sionist, Isaac Herzog, e ka pranuar humbjen në zgjedhje dhe i ka telefonuar Netanyahut për ta uruar. Ai u ka thënë gazetarëve se partia e tij do të vazhdojë të punojë për popullin e Izraelit si pjesë e opozitës.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here