Begaj: Gjatë këtij viti, janë realizuar mbi 70 projekte në Malishevë

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarët, për vitin 2015. Në këtë takim, gjatë prezantimit, kryetari Begaj tha se janë realizuar mbi 70 projekte, me 3.7 milion euro nga buxheti i komunës. Edhe këtë vit, infrastruktura ka qenë prioritet, duke mos lënë anash as bujqësinë, shëndetësinë dhe fushat tjera me interes, ndërsa prioritetet janë bërë, duke u bazuar në kërkesat e vet qytetarëve.

“Edhe pse kemi pasur shumë probleme me buxhetin, pasi kemi pasur rreth 800 mijë euro më pak buxhet për investime, megjithatë kemi arritur, që gjatë këtij viti, të përfundojmë ndërtimin dhe futjen në funksion të pesë shkollave, dy të tjera në ndërtim e sipër dhe dy tjera në procedurë. Vëmendje të veçantë gjatë këtij viti i është kushtuar edhe sektorit të bujqësisë, ku kemi përkrahur fermerët e komunës sonë, në forma të ndryshme, gjithmonë duke u bazuar në kushtet dhe mundësitë e kufizuara të buxhetit komunal”, tha kryetari Begaj.

“Edhe në fushën e transparencës, shpenzimit të buxhetit, investimeve dhe përmbushjes së premtimeve, sipas të gjitha organizatave që monitorojnë punën e komunës, jemi më të mirët, jo vetëm në regjionin e Prizrenit”,  tha Begaj, duke u bazuar në  raportet e GAP-it, KDI-së dhe “Ec ma ndryshe”.

“Edhe në fushën e sigurisë, vazhdojmë të jemi komuna më e sigurt në vend, e kjo me faktin se nuk është regjistruar asnjë rast i vrasjeve dhe asnjë rast i grabitjeve, por më e rëndësishmja është se nuk kemi pasur asnjë rast të vdekjeve nga ethet hemorragjike, dhe krejt kjo është meritë e vetëdijes së lartë të qytetarëve, por këtu nuk ka munguar as angazhimi maksimal i drejtorive komunale, sidomos në luftimin e EHKK”, tha Begaj.

Më pas, ai dhe përgjegjësit e drejtorive komunale, i kanë prezantuar me pamje vizuale, shumicën e projekteve të realizuar, si dhe shumat e projekteve, ku përfshihen të gjitha fshatrat e Komunës së Malishevës, diku më pak e diku më shumë.

Pas prezantimit, pjesëmarrësit në këtë debat, kanë parashtruar pyetje dhe kanë bërë kërkesa të ndryshme për vitin e ardhshëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here