BE-ja dështon në Kosovë

0

Gjashtë vite pas fillimit të punës së misionit të BE-së për vendosjen e shtetit ligjor në Kosovë rezultatet janë modeste. Personeli i shumtë dhe shpenzimet e shumta nuk po përcillen edhe me ndryshime të dukshme të ligjshmërisë. Ku qëndron shkaku?
Gabriele Meucci është një burrë me humor. Si ndihet ai si shef i një misioni, që ka armiq kudo në vend? Italiani 51-vjeçar nxjerr ifonin e tij dhe tregon në ekran Shën Sebastianin të shpuar nga shigjetat. Meucci një martir? Këtë nuk e mendon seriozisht. Finokëria shihet nga sytë e Meucci-t prapa xhamave të syzeve të errëta të bririt. Pastaj ai thotë: « Miq këtu nuk kemi », transmeton albinfo.ch.
Deklarime fjalëmëdha
Një fillim më të vështirë Meucci as që do të kishte mundur ta mendonte. Menjëherë pasi që mori postin nga paraardhësi i tij gjerman në tetor të vitit 2014 u ballafaqua me akuza masive për korrupsion si nga shtypi lokal, ashtu edhe nga ai ndërkombëtar. Një prokurore e EULEX-it akuzoi kolegët e saj për favorizim dhe korrupsion.
Misioni, i instaluar në vend që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, vuan mga kritikat shumë më herët se tash. Me deklarime fjalëmëdha mbi «zënien e peshqve të mëdhenj», EULEX-i pati ngjallur shpresa në publikun e gjerë që s’u përmbushën asnjëherë. Që nga akuzat mbi korrupsion, sipas Meucc-it, është duke ndodhur një gjah shtrigash. Ka përpjekje për frikësimin e misionit dhe të nëpunësve të tij. Kush qëndron prapa kësaj ? Meucci i shmanget kësaj pyetje. Shoqëria është e përfshirë nga krimi i organizuar – ka shumë që kanë interesa për skandalizimin e EULEX-it.
Për Shpend Ahmetin, kryetarin e ri të Komunës së Prishtinës, problemet me imazhin e EULEX-it kanë shkaqe krejtësisht reale. « Ne përkrahemi shumë pak nga misioni ». Që nga koha e marrjes së postit, politikani opozitar i lëvizjes së majtë nacionale « Vetëvendosje » ka iniciuar një sërë procesesh për shkak të ndërtimeve ilegale, të vajit të përzier të ngrohjes dhe të shpëlarjes së parave. Por në vend se prokurorët të presin në radhë para zyrës së tij për t’i hetuar rastet, parashtrohen pyetje plotësuese, peshohen rreziqet dhe aktakuzat zvarriten. Prokurorët e EULEX-it, përgjegjës për raste të rënda, nuk janë më të mirë. Ata po heshtin procedurat ndaj politikanëve të rangut të lartë. Nga çështje penale ato me një lëvizje dore po shndërrohen në probleme politike. Dhe po shihet qartë se misioni nuk po ndërmerr asgjë ndaj asaj që rrezikon stabilitetin politik të vendit. Kështu regjia e udhëheqjes së vendit po mbetet faktikisht e paprekur.
Ahmeti, i cili qëndron në një zyrë goxha komode të stolisur demode me piktura të vajit nga koha jugosllave, ka një problem parimor me EULEX-in : « Ky mision nuk është përgjegjës t’i japë llogari qytetarëve tanë. Ai i është përgjegjës para Brukselit dhe kryeqendrave të tjera evropiane. » Askush s’mund t’ia marrë të drjetën shtetit të Kosovës për rregull dhe qetësi. Tërheqjen e EULEX-it ai e merr me qetësi. « Duhet të ndodhë së pari diç e keqe që të bëhet më mirë », beson ai. Ai dëshiron që nga banorët e Prishtinës të bëjë qytetarë. Vetëm trysnia dhe vullneti i tyre mund ta përmirësojnë ligjshmërinë.
Qëndrim i drejtë
Opozicionimi i Vetëvendosje-s kundër misionit të huaj është i natyrës parimore. Pasuesit e kësaj lëvizjeje, e cila është bërë forca e tretë parlamentare, shohin në të një kufizim ilegjitim të sovranitetit të vendit. Për më tepër raportin e EULEX-it me qeveritarët ata e shohin si një aleancë të shenjtë me të cilën qeveritarët e këmbejnë stabilitetin politik të vendit me imunitet penal-ligjor nga të ashtuquajturit ndërkombëtarët. Për elitën politike të vendit janë EULEX-i dhe sovraniteti i kufizuar pjesë e çmimit që paguan vendi për secesionin nga Serbia më 2008. Vërtet çmimi i paguar për shkak të rrethit të njerëzve të pushtetshëm ishte i lartë, sepse që në kohën e Misionit të OKB-së- UNMIK, nga viti 1999 – 2008, iu bë e qartë të pushtetarëve se jo reprezentatët e tyre, por ish-komandantët e UÇK-së do të pyeten për rendin dhe qetësinë në vend. Burrat si Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj ishin dhe janë «zotëruesit e gjendjes së jashtëzakonshme » (sipas juristit gjerman për çështje të së drejtës shtetërore, Carl Schmitt) dhe me këtë edhe sovraniteti real.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi,i një shok partie i Hashim Thaçit, shprehet i qetë dhe me pragmatizëm për këtë. Falënderojmë EULEX-in për ekspertizën, aq më tepër për ndërvënien e misionit në sistemin e drejtësisë kosovare dhe për bashkëpunimin e ngushtë të vendorëve dhe të të huajve. Me krenari ai bën me dije për donacionet në vlerë prej 100 milionë eurove të përdorura për ndërtimin e burgjeve dhe të gjykatave. Në mënyrë vetëkritike ai bën me dije se eficienca e sistemit nuk është ende e kënaqshme. Por ka ardhur koha për përfundimin e misionit. Kush përfiton gjatë nga një mision ndërkombëtar rrezikon të bëhet i varur prej tij. Qershori i vitit 2016 i duket atij një kohë e përshtatshme për tërheqje.
Përkundër të gjitha kriitikave ndaj Misionit të OKB-së dhe EULEX-it një gjë nuk guxon të harrohet : qëllimi për fillimisht vendosjen dhe etablimin e një shteti funksional ligjor ishte i drejtë. Ai do të ishte parakushti i zhvillimit demokratik, i ndërtimit të institucioneve të tjera demokratike dhe i rritjes ekonomike tash për tash të munguar dhembshëm. Atëherë drejtësia do të ishte në gjendje t’i mbronte në mënyrë më efikase të drejtat e sanksionuara të qytetarëve dhe t’i mbante në shënjestër të pushtetshmit e vendit. Eksperimenti nuk funksionoi. Çka shkoi keq ? Nuk po shkon çdo gjë aq keq, kundërvihet shefi i Misionit Meucci. Brenda gashtë vitesh janë shqiptuar 550 aktgjykime: çdo të tretën ditë nga një vendim gjyqi. Nuk është poashtu e vërtetë se nuk po preken « peshqit e mëdhenj ». Ish-Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, Sami Lushtaku, një shok partie me ndikim të madh i Hashim Thaçit, dhe Ramadan Muja, krybashkiaku i Prizrenit, janë akuzuar. Ata janë të gjithë burra me ndikim ndaj të cilëve proceset janë ende të hapura.
Meucci bën me dije për atë se policia (ndryshe nga drejtësia) ka një zë të mirë dhe renditet mirë edhe në aspektin regjional. Edhe kjo është e vërtetë. A është ende shumë herët të nxirren përfundime? Jo, sepse është e pakontestueshme se qe gjashtëmbëdhjetë vjet që nga përfundimi i luftës nuk është arritur të shmanget një shtresë e vogël që mbahet në pushtet përmes pasurimit dhe korrupsionit, patronazhit dhe frikësimit. Vërtet aty-këtu ka shenja shprese, siç janë gazetarët e guximshëm, kryebashkiakët agilë, por jo edhe më shumë.
Qëndrim pasiv
Një ndër kritikët më të ashpër të EULEX-it është një ndër ish- insajderët – italiani Andrea Capusella, i cili nga viti 2008 deri më 2011 ishte shef i Sektroit Ekonomik të Misionit Civil Ndërkombëtar (ICO) në Kosovë. Ky ishte një vend lozhe për soditjen e kriminalitetit ekonomik dhe të korrupsionit, për çka Capussella do të botojë një libër së shpejti. Asht sikur edhe aktivistët e Vetëvendosje-s edhe ai diagnostifikon zbrapsjen e vazhdueshme të ndjekësve të krimit të EULEX-it ndaj elitës politike dhe «togerëve» të tyre. Ky qëndrim pasiv bëri që akuzat e rënda për korrupsion për ndërtimin e tej-shtrenjtë të autostradës, për privatizimin e një çimentoreje apo të akuzave të Dick Marty-t mbi krimet e UÇK-së të hetohen me vonesë apo të mos hetohen fare.
Çka do të duhej të bëhej ? Është interesante se Meucci dhe Capussella – përgjegjësi dhe kritiku, nxjerrin të njëjtat përfundime në pyetjen mbi mësimet nga eksperimenti i EULEX-it. Meucci konstaton se shpesh ka munguar drejtimi nga Brukseli dhe kjo jo rastësisht, siç plotëson ai. Misioni, një instrument i politikës së sigurisë dhe të mbrojtjes, u nxor si nga kapela e magjistarit pa pasur ndonjë kompetencë rezultative për të në hierarkinë e Brukselit. Aty kishte ekspertë brilantë ushtarakë dhe policorë, por mungonin juristët me përvojë praktike në ndjekjen penale.
Kritiku Capusella është i mendimit se në mision ka shumë pak llogaridhënie. Për rezultate të pamjaftueshme nuk ka pasoja. Meucci ankohet se mungojnë specialistët për kriminalitet të rëndë dhe krime ekonomike. Ai është i detyruar të zgjedhë në mesin e gjyqtarëve që ofrohen nga shtetet prej të cilave dërgohen dhe paguhen ata. Dhe jo të gjitha vendet dërgojnë në Kosovë njerëzit e tyre më të mirë.
Aleancë me të pushtetshmit
Një mision i fuqishëm i shtetit të së drejtës do të duhej të ngriste një « mur kinez » kundër përzierjes politike të qeveritarëve dhe ambasadave. Pa ndarjen e pushteteve, drejtësia nuk është asnjëherë e fuqishme. Në vend se të merrej me arsimimin e forcave lokale dhe me shumëçka tjetër, EULEX-i do të duhej të kufizohej vetëm në luftimin e kriminalitetit të kreut të shtetit dhe të shoqërisë. Në vend se të merrej me arsimimin e mijëra nëpunësve, EULEX-i do të duhej të krijonte një trupë prej 500 hetuesve dhe gjyqtarëve hetues me pagë të lartë. Viktimat do të duhej të merreshin që në fillim parasysh, sepse disa prej tyre do të mund të likuidoheshin nga mafia. Por të tjerët do të mund ta vazhdonin punën pa i lagur këmbët në moçalin e krimit dhe të korrupsionit dhe duke shërbyer si shembuj të një gjenerate të re të gjyqtarëve kosovarë.
Sado të ndritshme që të jenë analizat dhe propozimet e Meucci-t dhe Cypussellas ato nuk marrin parasysh një element të rëndësishëm të dështimit të EULEX-it. Misioni ka lëshuar rastin e ndërtimit të një aleance afatgjatë për shtet ligjor me forcat vendore të vullnetshme për ndryshim. Në vend të kësaj EULEX-i ndërtoi një pakt joformal të stabilitetit me të pushtetshmit. Për këtë arsye EULEX-i qëndron atje pa miq dhe është një mision pa kurrfarë gjasash për sukses.
/Albinfo.ch – Përkthimi: Nexhmedin Gerguri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here