Batutat e Berlusconit: Ju rrëfej si e pritën Putinin femrat e Krimesë

0

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, njihet për batutat e tij që shkaktojnë shpesh debat. Gjithashtu edhe për miqësinë e ngushtë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Së fundmi, ai e ka cilësuar referendumin që u mbajt vitin e kaluar për Krimenë si “demokratik dhe të vlefshëm”. Ai ka shtuar se presidenti Putin është lideri më i mirë në botë.

“87 për qind e qytetarëve të Krimesë votuan, 93 për qind votuan për ndarjen nga Ukrainë, votuan për të qenë një republikë autonome, votuan për t’u bërë pjesë e Federatës Ruse”, citohet ai nga “Reuters”.

Berlusconi ka thënë se populli i Krimesë është i lumtur që nuk është më nën drejtimin e qeverisë ukrainase, e cila sipas tij nuk është zgjedhur në mënyrë demokratike, por ka ardhur në pushtet falë një grushti shteti.

Ai shton se njerëzit në Krime e adhurojnë Putinin.

“Sikur të shihnit dashurinë, mirënjohjen dhe miqësinë me të cilën e pritën presidentin Putin në Krime. Femrat iu hodhën menjëherë në krahë, duke i thënë: Faleminderit Vladimir! Faleminderit Vladimir”, tha ish-kryeministri italian.

Ai kritikoi edhe sanksionet që Perëndimi i ka vendosur Moskës dhe shtoi se ato dëmtojnë edhe ekonominë e Italisë.

Berlusconi the se bota nuk ka shumë liderë të vërtetë, por Putin është numri një. Ai shtoi se në Rusi e duan shumë.

“Rusët më kanë vënë një nofkë: Zemërthyesi”, tha ai duke qeshur.

Berlusconi është ndër të paktët politikanë të vendeve të BE-së që kanë vizituar Krimenë pas bashkimit me Rusinë.  Pas një takimi informal me presidentin Putin, i cili e shoqëroi gjatë vizitës, Berlusconi tha se ishte i impresionuar nga ky vend. “Putin më ka treguar zonat më interesante”, u citua ai nga mediat ruse. Menjëherë pas kësaj deklarate, Kievi ndaloi hyrjen e Berlusconit në Ukrainë për tre vjet.

/ Shekulli Online /

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here