Bastiset shtëpia e ish-kryeministres sllovene

0

Shtëpia e ish-kryeministres sllovene, Alenka Bratusek, është bastisur me urdhër të gjykatës dje nga policia në Ljubjanë, në kërkim të provave për abuzim me postin zyrtar, në kohën kur kabineti që ajo udhëhiqte e kandidoi atë vitin e kaluar si kandidate për komisionere europiane. Kryeministrja e parë femër e Sllovenisë, Bratusek, çoi ish-republikën e vogël jugosllave gjatë vitit 2013-2014 drejt krizës më të rëndë financiare, që kurse vendi shpalli pavarësinë nga Beogradi në vitin 1991. Policia bëri të ditur për “Reuters”, se rreth 27 forca policore kanë kryer kërkime në shtëpinë e Bratusek dhe zyrat e Partisë së saj, Aleanca e Alenka Bratusek, pas një hetimi që nisi në orët e para të mëngjesit dhe që vazhdoi edhe gjatë pasdites. Vitin e kaluar, qeveria e qendrës së majtë, e drejtuar nga Bratusek, e nominoi atë si një prej tre kandidatëve për t’u bërë anëtare e Komisionit Europian nga Sllovenia, apo pjesë e ekzekutivit të BE-së. Ajo tërhoqi kandidaturën e saj, pasi anëtarët e Parlamentit Europian e refuzuan atë, pas një procesi dëgjimor në Parlament. Policia tha se Bratusek nuk ka përfituar asgjë materiale nga kandidimi i saj, por shtoi se ajo ndoshta mund të ketë “keqpërdorur postin e saj zyrtar”. Nëse shpallet fajtore, ajo mund të burgoset deri në një vit burgim. Bratusek bëri të ditur se hetimi në shtëpinë e saj ishte “tërësisht i panevojshëm”, pasi të gjitha dokumentet në lidhje me kandidimin e saj janë dorëzuar në Komisionin Antikorrupsion prej kohësh.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here