Bardhyl Coli, hotelieri që ec një hap përpara të tjerëve

0

Në hoteleri dhe gastronomi, sidomos në objektet qe ndodhen në vendet turistike, është e vështirë të sigurohen dhe të mbahen punëtorët gjatë gjithë vitit. Kjo për faktin se puna në këto objekte është e kushtëzuar sipas sezonit: në vendet me turizëm dimëror, hotelet vuajnë gjatë verës dhe anasjelltas, mbeten të zbrazëta gjatë dimrit objektet hoteliere në vendet që janë destinime të turizmit veror.

Për të bërë një balancim që do të mundësonte punën e punëtorëve hotelierë gjatë gjithë vitit, Shkolla e Lartë për Teknikë dhe Ekonomi në Chur (Graubünden) ka lancuar një projekt të ri të quajtur “Mitarbeiter Sharing” (Shpërndarja e punëtorëve). Nga ky projekt pritet të përfitojnë të punësuarit në hotelieri, firmat dhe kantonet.

Por, para këtij projekti që ka përfshirë 44 hotele në Graubünden dhe në Tesinë dhe pavarësisht nga ai, një “Mitarbeiter Sharing” tashmë prej më shumë se një viti e ka vënë në jetë Bardhyl Coli, njëri ndër drejtorët më të rinj të hoteleve luksozë në Zvicër. Ai, në një intervistë për sfr news të transmetuesit publik zviceran ka folur për përvojat e tij të deritashme. albinfo.ch transmeton pjesë nga intervista

Nga viti 2012 drejtori i hotelit të njohur “Waldhotel” në Davos, Bardhyli së bashku me partneren e tij Maria Redlich zgjeroi veprimtarinë edhe në hotelin “Vitznauerhof” në liqenin Vierwaldstättersee, në Zvicrën Qendrore. Kështu, çifti i hotelierëve, hotelin në Davos (zonë e turizmit dimëror) e hap vetëm gjatë dimrit ndërkohë që gjatë verës ata drejtojnë hotelin e përmendur më lart, në Vitznau, buzë liqenit.

I pyetur nga sfr.news se a mund të sigurojë nga përvoja e tij se projekti “Mitarbeiter Sharing” vërtet sjell përfitime për të gjithë, Bardhyl Coli përgjigjet pozitivisht, shkruan sfr,ch dhe transmeton albinfo.ch. “Për ndërmarrjen dhe për të punësuarit kjo përben një zhvillim shumë pozitiv. Sa i përket firmës, duket se qëllimi ynë për përmirësim të rentabilitetit përmes kësaj rruge, po realizohet. Ne për shembull, kemi mysafirë të cilët vetëm duke u nisur nga përvoja e qëndrimit të tyre veror këtu në Vitznau, në sezonin dimëror vijnë së pari në hotelin tonë në Davos. Edhe shikuar në afate të gjata ne jemi të bindur se përmes “Sharing”-ut kemi krijuar perspektiva të reja për investime”, thotë Coli.

Ai shton pastaj se është e vështirë që në gastronomi punëtorët e mirë të lidhen për vendin e punës në një afat më të gjatë. “Ndërsa me projektin e ri, përmes të cilit atyre mund t`ua sigurojmë 365 ditë gjegjësisht dy sezone të plota punë gjatë vitit, vendet tona të punës kanë fituar në atraktivitet. Motoja “Im Winter am Schnee und im Somer am See” (Dimrit në borë dhe verës në liqe” po përshëndetet edhe nga shumë punonjës potencialë. Kështu ne lehtësojmë edhe fondet e të papunëve pasi që sigurojmë punë për tërë vitin”, thotë veç tjerash Bardhyl Coli.

Bardhyl Coli është hotelier i diplomuar ndërsa punën dhe kualifikimin e tij në hotelieri, ai e ka filluar që nga viti 2000. Ky shqiptar 31 vjeçar, i ardhur nga Kosova në Zvicër si vogëlush 8 vjeçar, ka disa vite që është mjaft i pranishëm në mediet zvicerane si meaxher i suksesshëm hotelier. Para dy vitesh ai ka qenë drejtori më i ri në Zvicër i një hoteli të kategorisë luksoze siç është Waldhotel në Davos.

bardhyl-li-waldhaus

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here