Banorët e Likovës të frikësuar nga shoqërimi i Policisë

0

Frikë dhe revoltë tek banorët e komunës së Likovës, të cilët e kaluan natën nën shoqërimin e forcave të shumta policore, patrullimeve të shpeshta me mjete të blinduara dhe ngritjes së pikave të kontrollit të ngritura anembanë rajonit. Qëllimi i këtij patrullimi, siç mëson ALSAT, duket se kanë qenë dyshime për grupe të armatosura. Ekipi i televizionit Alsat M vizitoi këtë rajon, por siç thanë banorët, në orët e para të mëngjesit, pikat policore u dislokuan. Ndërkohë, kamera e ALSAT vërejti se edhe OSBE ishte duke inspektuar më vete rajonin. Banorët e Gushincës dhe fshatrave të tjerë të Komunës së Likovës shprehen të shqetësuar nga paniku, ndërsa informatat për ekzistencën e grupeve të armatosura, i quajnë thjeshtë dezinformata. Ata dyshojnë se bëhet fjalë për spekulime tendencioze që kanë për qëllim të tensionojnë situatën dhe të inskenojnë incidente pa nevojë.

“S’ka asgjë, s’kemi parë asgjë. Vetëm një frikë, një panik është nëpër popull, nëpër fshatra, por nuk kemi parë asgjë”.

“Në asnjë mënyrë, ne nuk kemi vërejtur asgjë. Nga kjo që thuhet, kjo duhet të jetë një pjesë bukur e madhe me dezinformime. Mund të ketë edhe të saktë diçka, por megjithatë ne nuk jemi të informuar, ne nuk mund të themi që kemi parë diçka”.

“Është për t’u frikësuar, tanket shkojnë në atë anë nga Likova, nuk ndalen aspak, por s’dihet se për çka. Në popull nuk ka asgjë”.

“Nëse dëshiron dikush të na etiketojë se ka problem këtu ne popullata nuk e  dimë, por shteti do si duket të na etiketojë këtu për diçka, por qëllimet e shtetit ne pak e shumë i dimë”.

Janë të sakta informatat se grupe të armatosura që sillen mbi fshatra?
“Ne nuk jemi të informuar se ka, nuk e dimë. Sikurse të ketë ne do ti shohim, por ska. Ato grupe kërkojnë edhe strehim nëse janë, por deri më tani nuk dimë, s’ka strehim”.

“Ne nuk dimë një herë asgjë, jemi rehat jemi mirë, s’kemi asgjë, duam të jemi të qetë edhe më andej, sepse askush nuk i do të këqijat. Ne duam të jetojmë, të punojmë, të rinjtë pa punë na rijnë. Ne ato punë që dikush na mendon,  ne aspak nuk jemi aty para. Ne duam të punojmë, të jemi mirë”.

E vetmja pikë kontrolli që vazhdon të qëndrojë ishte ajo mbi fshatin Likovë, në hyrje të fshatit Gushincë, ku policia kufitare legjitimonte çdo automjet që lëvizte në atë rrugë. Policia nuk lejoi as grupin e ALSAT të filmonte kalimin në këtë pikë. Arben Zeqiri

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here