Banorët e brezit kufitar me Malin e Zi: Nuk do lejojmë zbatimin e marrëveshjes së demarkacionit

0

Banorët e vendbanimeve përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi kanë nxjerr sot deklaratë të përbashkët, në të cilën theksojnë se nuk e njohin Marrëveshjen e ratifikuar të kufirit mes dy shteteve.

Ata përmes një shkrese kanë njoftuar Qeverinë malazeze dhe atë të Kosovës se nuk do lejojnë as zbatimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Kështu kanë vendosur banorët e Rugovës, Podgurit dhe disa fshatrave të Deçanit, të cilët janë mbledhur sërish për t’i shprehur shqetësimet rreth vijës kufitare me Malin e Zi.

Ata u shprehën të bindur se nuk do lejojnë asnjëherë zbatimin në terren të vijës kufitare të ratifikuar nga të dy shtetet.

Përfaqësuesi i banorëve të fshatrave të rajonit të Podgurit, Sadri Zekaj, tha se nuk do lejojnë që kufiri i ratifikuar të vendoset në Jabllanicë.

“Nëse Mali i Zi tash reagon edhe qet çfarë pika, shenjave që thotë qetu është ardhë kufiri, dijeni që s’ka gjë ma prej kurrfarë premtimeve as kurrgjë. Ne do reagojmë fuqishëm. Kërkoj përkrahjen me pasë prej jush se komunitetit është fjala kryesore. Mua nuk më intereson deputeti a politika, mua më intereson që komuniteti me qenë fjala kryesore se ka qenë tokë e jonë, e baballarëve tanë, e stërgjyshërve tanë”, tha ai.

Kurse Ali Lajçi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, që foli në emër të komunitetit të Rugovës, tha se 80 deputetët që votuan pro Demarkacionit historia do i njohë si tradhtarë.

“Atë që do ua jep historia, edhe ato besoj e ka të kryer, historia e ka dhënë. Ata njerëz do jenë të tangum me një vlerësim real si shitës dhe tradhtar të territorit të Republikës se Kosovës”, tha Lajçi.

Edhe përfaqësuesi i fshatrave të komunës se Deçanit, Hysen Balaj, tha se Marrëveshja aktuale sjell vetëm konflikt, ndërsa bëri apel që sa me shpejt të formohen komisionet me ekspertë profesionalë për korrigjimin e gabimeve gjatë demarkimit të kufirit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here