Banorët e Babushit të Lipjanit kundërshtojnë Autostradën

0

Banorët e fshatit Babush i Muhaxherëve, kanë mbledhur rreth 500 nënshkrime më 18 shkurt 2015, për të kundërshtuar planin aktual të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.

Fetah Jashari, kryetar i fshatit Babush i Muhaxherëve, tha se ky plan ua ndan fshatin në dy pjesë dhe banorëve nuk u mbetet opsion tjetër përpos shpërnguljes nga fshati.

“Autostrada na ndan fshatin në dy pjesë; nuk jemi të kënaqur. Kemi bërë një lloj peticioni prej 500 anëtarëve të fshatit. Ne tjetër mundësi nuk kemi vetëm me u shpërngul nga fshati sepse po na ndan fshatin në dy pjesë xhaminë, shkollën, afër 80 shtëpi po na ndahen”, ka thënë Jashari.Jashari, ka shtuar se peticionin e kanë dërguar në zyrën e Kryeministrit dhe në ministri, por ende nuk kanë përgjigje nga ta.

Sipas tij, ky shqetësim është shprehur edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Lipjanit, ku edhe qëndrimi i komunës ishte kundër ndarjes së fshatit në dy pjesë.

“Qëndrimi i komunës është mos me nda fshatin në dy pjesë, sa ka mundësi nuk e dimë. Ne jemi t’u lyp përgjegjësi prej Kryeministrit me dit ka po i bien. Opsioni më i mirë është ka është bërë matja e mëparshme. Le t’i bien ka dojë, le t’i rrok pronat e qytetarëve, nuk ka kurrfarë problemi. A fshatin me shtëpi me na nda në dy pjesë jo”, tha ai.

Edhe Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se është i informuar për problematikën e autostradës që përshkon fshatin. Ahmeti, tha se kanë pasur takime me institucionet për të shikuar nëse ka mundësi tjera për realizimin e këtij projekti mirëpo nuk ka pasur përgjigje pozitive.

“Ka reagime të qytetarëve, ka pakënaqësi, që kujtoj me të drejtë të qytetarëve. I kam prit disa herë qytetarët e Babushit lidhur me këtë temë. Kam zhvillu takime me kompetentët e Bechtel & Enka dhe Ministrisë së Infrastrukturës. I kemi shikuar mundësitë e ikjes së kësaj rruge jashtë fshatit, me qëllim që mos të ndahet fshati. Realisht nuk kemi gjet mirëkuptim”, tha Ahmeti për Kallxo.com.

Ahmeti, tha se autostrada e re nuk është në vijën e duhur për shkak se me të vërtetë i dëmton fshatrat dhe ka lakore shumë të mëdha.

Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës, tha për Kallxo.com se si pjesë e kushteve të kontratës, Konsorciumi Bechtel & Enka është duke vazhduar me punimin e projektit, ku deri me tani është definuar plotësisht traseja e autostradës në segmentet C1 dhe C2 nga Kyçja R6/R7- N2 (Udhëkryqi për Gjilan) – Kyçja në Konjuh – Kyçja Babush – Kyçja Doganaj, e cila është zgjedhja më e mirë sipas kritereve të përcaktuara.

Sipas tyre udhëkryqi është i pozicionuar në Babush dhe nuk mund ta luajnë dhe ta ndërrojnë nga aty.

“Traseja e Autostradës është studiuar edhe në variante tjera duke kaluar në pjesën e sipërme të fshatit Babush në 2 korridore. Megjithatë, traseja aktuale është zgjidhje më e mirë për autostradën”, thuhet në planin e ministrisë.

Më 2 korrik 2014 është nënshkruar kontrata mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Kompanisë fituese Bechtel & Enka për ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Hani i Elezit në vlerë prej rreth 599 milion euro duke e përfshirë edhe TVSH-në. Afati i realizimit të punimeve siç thuhet në kontratë është 42 muaj.

Ministria nuk komentoi nëse “zgjidhja më e mirë për autostradën” ishte zgjidhje po kaq e mirë për banorët e Babushit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here