Babai i Lorik Canës flet për karrierën e djalit të tij, kapitenit të Shqipërisë

0

Gjatë katër edicioneve te Lacio, mesfushori i kthyer në mbrojtës ka luajtur 82 ndeshje, duke shënuar 4 gola

Edicioni 2014-2015 ka qenë i fundit me fanellën e Lacios për Lorik Canën. Konfirmimi ka ardhur për “Shqip” nga babai i tij, Agim Cana, i cili është njëkohësisht menaxher i kapitenit të përfaqësueses shqiptare. Lojtari iu bashkua bardhekaltërve në vitin 2011, por pas katër sezonesh, ka vendosur të fillojë një aventurë të re, ndonëse ka edhe një vit kontratë me klubin italian.

“Ajo që mund të them me siguri të plotë është se Loriku do të largohet nga Lacio. Pas 4 viteve në këtë klub, ai mendon se është koha për një eksperiencë të re, ndonëse ka kontratë edhe për një tjetër vit aty. Pse largohet nga një ekip që luan në Ligën e Kampioneve? Largimi është çështje rrethanash, situatash të ndryshme që përjetohen në çdo klub dhe politikave që ndiqen. Mund të them se një vit më parë, Lacio propozoi rinovimin për një tjetër sezon të kontratës dhe ishim ne që e refuzuam. Gjithsesi, Loriku i ka dhënë shumë Lacios gjatë karrierës së tij aty dhe largohet pas një eksperience të shkëlqyer”, tha Agim Cana, i cili pas këtyre katër viteve bashkëpunimi me Lacion, nuk mund të linte pa thurur elozhe për atë që e afroi fillimisht mbrojtësin e përfaqësueses te ky klub.

“Tifozët shqiptarë dhe e gjithë Shqipëria duhet të krenohet me Igli Taren, një person i cili me punë të palodhur ka fituar ndaj çdo lloj paragjykimi në Itali. Është krenari për të gjithë ne që një person i tillë të zgjidhet drejtuesi sportiv i vitit në Itali. Ka ndërtuar një skuadër që kam besim të plotë se do të kalojë pa probleme eliminatoret e Ligës së Kampioneve dhe do të shkojë në grup, duke i sjellë të ardhura që drejtuesit e Lacios as që i kishin menduar. Igli është një profesionist i jashtëzakonshëm, i cili të gjitha sulmeve ndaj tij u është përgjigjur me punë dhe ia ka dalë të bëjë emër”, shpjegoi ish-mesfushori i viteve ’70-’80.

Java pas ndeshjes së përfaqësueses me Francën do të jetë shumë e zënë për familjen Cana, që do të shqyrtojë të gjitha ofertat që kanë mbërritur në adresë të mbrojtësit, pasi duan që të vendosin sa më shpejt për të ardhmen e tij. “Ekipi i ardhshëm do të mësohet brenda fundit të javës së ardhshme, pasi edhe ai dëshiron që të shkojë i qetë me pushime, duke e ditur se ku do të vazhdojë karrierën e tij dhe duke programuar atë që do të bëjë pas këtyre pushimeve. Kur transferohesh, duhet ambientim edhe me vendin e ri. Ofertat nuk mungojnë, ka nga Europa, Azia e Amerika dhe kjo është normale pasi Loriku është një lojtar i afirmuar. Vendimi do të merret gjatë javës së ardhshme, pasi janë 3-4 oferta të rëndësishme të cilat do t’i vendosim në tavolinë dhe pastaj Loriku do të zgjedhë atë që e sheh më të arsyeshme apo më të përshtatshme nga pikëpamja e tij”, ka shpjeguar ai, duke preferuar që të mos bënte publike emrat e ekipeve që interesohen për futbollistin e kombëtares shqiptare.

“Mund të them që tani se nuk bëhet fjalë për Shalken, nuk është diskutuar asnjëherë me ta. Meqë ka disa oferta të ndryshme, preferoj që të mos bëj publike skuadrat, ashtu siç nuk e kanë bërë as ato. Po siç e thashë janë 3-4 skuadra me të cilat jemi në bisedime më të avancuara. Negociohet për një kontratë trevjeçare, e fundit e rëndësishme mund të themi. Po pastaj do të jetë Loriku që e vendos se çfarë do të bëjë, të vazhdojë apo jo. Nuk bëhet fjalë për skuadra të tjera në Itali. Po të dëshironte të qëndronte në Serinë A, do të vazhdonte te Lacio. Edhe Spanjën e përjashtoj si mundësi të vazhdimit të karrierës së tij. Ai ka shprehur dëshirën të luajë në Gjermani? Të shohim…”, ishte deklarata e 58-vjeçarit rreth së ardhmes së djalit të tij.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here