Babai i 13­ vjeçarit të vrarë: Turistët do ishin gjallë nëse do kishte drejtësi

0

Për familjen Leraj, djali i së cilës u vra për një varëse floriri 5 vjet më parë, plaga është ende e hapur. Agimi ishte vetëm 13 vjeç kur u thirr nga shoku i shkollës, Sokol Mjacaj, në mes të shtatorit të vitit 2010.

I mituri ka dalë në mirëbesim, pa e menduar të keqen, por nuk u kthye më i gjallë në familjen e tij.

Babai i tij, Gjergj Leraj, shprehet i tronditur kur dëgjoi se një prej personave që morën pjesë në ekzekutimin e të birit buzë lumit të fshatit Pjollë në Dukagjin, ishte i njëjti që i mori jetën çiftit

“Të ishte në dorën time duhej dënimi me vdekje”, thotë babai i Agimit, i kontaktuar nga gazeta “Panorama”.

Ai i rikthehet çështjes së të birit, duke theksuar se drejtësia nuk u vu kurrë në vend.

“Nëse gjykatat do të ishin të drejta në vendimet e tyre, të paktën dy turistët çekë sot do të ishin gjallë”, thotë Gjergj Leraj.

Me dhimbje ai kujton se i biri ra në kurth, kur moshatari i tij në atë kohë, Sokol Mjacaj, e thirri për të dalë jashtë. Në ato orë që pasuan ndodhi dhe krimi makabër.

Për një varëse floriri që Agimi mbante në qafë, tre veta e masakruan duke e marrë nga kjo jetë.

Agim Leraj do të mbushte pas disa ditësh 18 vjeç, nëse nuk do të ndodhte grabitja dhe krimi nga bashkëfshatarët e tij.

“Apeli dha një vendim të padrejtë, ndryshe nga Fakti. Nëse do të kishte lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, autori do të ishte në burg dhe turistët çekë do të ishin gjallë sot”, thekson Gjergj Leraj.

Prej ditës së vendimit të Apelit, familja e tij është “dorëzuar”, duke mos e ndjekur më çështjen.

“Nuk di a është shqyrtuar në Gjykatën e Lartë apo jo dhe pse në atë kohë dimë që Prokuroria do e çonte më tej çështjen. Por ne nuk e ndoqëm më se ishte e kotë. Nuk ndryshonte asgjë më për jetën e djalit tonë”.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt apo ballafaqim në kohën kur Sokol Mjacaj ishte i lirë, pas kryerjes së dënimit, i ati i 13­vjeçarit të vrarë e mohon.

“Nuk kemi pasur ndonjë kontakt e as nuk e kemi dashur një gjë të tillë. Agimin nuk na e kthen më dot. Sot edhe dy të tjerë, turistë të zonave tona, nuk jetojnë më”, e mbyll bisedën Gjergj Leraj./Tema.al/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here