Avokati i popullit Sami Kurteshi hetim për shkelje të drejtave të njeriut ndaj Nazim Bllacës

0

Institucioni i Avokatit të Popullit ka shqyrtuar ankesën e të dënuarit me burgim Nazim Bllaca për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorimit nga autoritetet publike

Me një vendim që e ka siguruar Koha.net, dhe që mban datën 15 janar, 2015, Sami Kurteshi, Avokat i Popullit, në emër të Institucionit që ai drejton, i ka kumtuar Bllacës se ka vendosur që ankesa është e pranueshme dhe do të nis hetim në lidhje me shkeljen eventuale të të drejtave të njeriut.

“Institucioni i Avokatit të Popullit, në bazë të Nenit 29 të Rregullores së punës, nr. 01/2001 të Institucionit të Avokatit të Popullit, ankesën tuaj e ka regjistruar në regjistrin e të dhënave me këtë numër: Ankesa nr. 10/2015. Në rast se kontaktoni me Institucionin e Avokatit të Popullit, lidhur me ankesën tuaj, si dhe në rast të letërkëmbimit, Ju lutemi t’i referoheni numrit të ankesës suaj”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, raporton Koha.net.

Më tej, Institucioni i Avokatit të Popullit i kërkon Bllacës që t’i përgjigjet kërkesave të tyre për informacione, dokumente apo sqarime shtesë.

“Bazuar në nenin 19.1.3.5. të Ligjit për Avokatin e Popullit, dështimi për bashkëpunim do të konsiderohet si humbje e interesimit për trajtimin e ankesës dhe si rrjedhojë mund të mbyllet hetimi për rastin tuaj”, thuhet në vazhdim të vendimit që e ka parë Koha.net.

Kërkesa e Bllacës ndaj Avokatit të Popullit për hetim vjen si rrjedhojë e refuzimit të tri parashtresave të tij, që i ka siguruar gazeta “Koha Ditore”, për lirim të parakohshëm.

Parashtresat janë refuzuar nga Paneli për lirim me kusht që funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në këto shkresa përmendet insistimi i prokurorit që po heton Azem Sylën që Bllaca të lirohet.

Një ditë më parë, Nazim Bllaca, në një prononcim për Koha.net, kishte bërë me dije se ka hequr dorë nga dëshmia e tij në rastin “Bllaca 4” kundër Azem Sylës.

“Unë Nazim Bllaca, dëshmitar kyç në procesin “Bllaca 4”, më 9 janar 2015, një ditë pas refuzimit të Panelit, kam kërkuar takim urgjent me prokurorët e rastit ku janë tre për shkak të rastit që është tepër sensitiv. Më 21 janar 2015, është organizuar takimi i fundit mes meje dhe prokurorëve të EULEX-it në Prishtinë dhe ju kam thënë që të tre prokurorëve prezentë, “Unë Nazim Bllaca nuk do jem dëshmitar në rastin “Bllaca 4” për arsye të ndërhyrjeve politike dhe kanë përdorë dhe po përdorin standarde të dyfishta kundër meje Hajredin Kuçi, Hamdi Ibrahimi dhe Zyrafete Imeraj”, dhe ju kam thënë që në rastin “Bllaca 4” kundër Azem Sylës thërrisni këta tre dëshmitarë të më zëvendësojnë mua, dhe ka përfunduar takimi. Edhe prokuroret e dinë që ka ndërhyrje dhe ka përdorim të standardeve të dyfishta në raport me mua”, ka thënë Bllaca një ditë më parë për Koha.net.

Bllaca ka theksuar se qëllimi i vendorëve “është të prolongohet sa më shumë rasti dhe ky rast mos të ecën përpara sepse janë në pyetje figura të larta politike në mesin e 10 personave ku zyrtarisht po hetohen nga PSRK-ja”.

Kujtojmë se Bllaca është i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit, të kryer në vitin 1999. Është i vetmi nga grupi kriminal i dërguar në vuajtje. Të tjerët janë në liri, pos Driton Hajdarit, i cili është dërguar në burg për shkak të arratisjes.

Në arrati janë edhe Shpresim Uka e Bekim Syla, derisa në liri janë Sadik Abazi dhe Shaban Syla. Ky grup është dënuar një vit para Bllacës, por autoritetet kanë vendosur t’i lënë ende në liri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here