Avdiu: Në Reçak nuk pati masakër, por akt gjenocidar!

0

16 vjetorin e masakrës së Reçakut, e ka komentuar edhe shefi i Misionit Konsullor të Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu.

Ai, në një shkrim që e ka dërguar në media, ka folur për debatin rreth asaj se a ishte vrasja e civilëve shqiptar në Reçak një “masakër e vërtetë” apo nuk ishte e tillë.

Madje, Avdiu, në këtë shkrim jep edhe disa shpjegime rreth termit masakër dhe gjenocid.

Më poshtë, lexojeni të plotë shkrimin e Ramadan Avdiut

Gjashtëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak, debati rreth asaj se a ishte ky veprim i forcave serbe një “masakër e vërtet” apo nuk ishte e tillë, ka bërë që edhe ndër shqiptarët të dominojë ky debat.

Libri i politologut Bardhyl Mahmuti, gjatë shkrimit të së cilit jemi konsultuar çdo ditë, sqaron se çka fshihet prapa debatit të tillë.

Për të shmangur grackat e këtij debati që synojnë të fshehin gjurmët e gjenocidit, në librin «Mashtrimi i Madh» sillen aktet më të rëndësishme të së Drejtës Ndërkombëtare. Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit përcakton se cilat akte hyjnë në këtë kategori krimi. Duke analizuar këtë konventë që është në themelet e të Drejtës Ndërkombëtare Penale, lexuesi do të sheh se qëllimi i autorëve që pohojnë se “në Kosovë ka pasur masakra” ishte të fshihet fakti se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi.

Cilësimi i krimeve serbe në Kosovë si «masakra» është i qëllimshëm, sepse ky nocion nuk bën pjesë në përkufizimin e krimit të gjenocidit. Masakra, si nocion bën pjesë në krimet e luftës por jo në krimin më të rëndë kundër njerëzimit: gjenocidin!

Sikur vrasjet në Reçak të kishin qenë vrasje të izoluara dhe që nuk do të kishin pasur për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm të shqiptarëve, atëherë do të mund të flisnim për «masakër». Në Reçak ka ndodhur një akt gjenocidar që nuk mund të shihet i shkëputur nga ajo që ndodhi në Prekaz, në Obri, në Izbicë, në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël, në Gjakovë, në Meje, në Pejë, në Studime, në Makoc, në Suharekë, … në tërë Kosovën. Pra, në Kosovë ka ndodhur gjenocid!

Libri i Bardhyl Mahmutit sqaron në mënyrë shkencore tërë këtë problematikë dhe do të jetë një armë e fuqishme në duart e politologëve, historianëve dhe të gjithë atyre që u intereson të dinë se çka ndodhi në Kosovë në periudhën 1998-1999.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here