Autoritetet gjakovare konfirmojnë se nuk kishte kidnapime të nxënëseve në këtë komunë

0

Sot në Gjakovë në një konferencë për media kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari-Lila, komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe drejtorja e Drejtorisë Komunale të Arsimit Diana Çarkaxhija i kanë adresuar shqetësimet e qytetarëve në lidhje me postimet në rrjetet sociale kinse “kidnapimeve” të cilat kanë “ndodhë” ose po “vazhdojnë “të ndodhin në këtë komunë.
Kryetjarja Kusari-Lila ka sqaruar se me të marrë këto informata Komuna e Gjakovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Drejtorinë e Arsimit kanë marrë të gjitha masat për të vërtetuar bazën e tyre.
“Deri me tani asnjë rast nuk është raportuar në Polici me faktet dhe argumentet që do na jepnin bazë për të thënë që këto informata janë të vërteta, përkundrazi Policia ka ftuar në intervista plasuesit e dyshimeve në rrjetet sociale, por të gjitha kanë rezultuar si thashetheme dhe të pabaza”, ka theksuar kryetarja e Gjakovës. “Gjendja e sigurisë në Komunën e Gjakovës është në nivel dhe nëse bëjmë krahasimin me vitet e kaluara kemi diku për 30% rënie të akteve që cenojnë sigurinë, që d.t.th se nuk kemi vërejtur indikacione që do mund të arsyetojnë frikën dhe panikën e përhapur gjatë ditëve të fundit”, ka shtuar ajo.
Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj ka theksuar se këto postime kanë qenë thashëtheme dhe nuk ka pasur fakte për këto deklarata. “Edhe përkundër faktit që nuk kemi pasur zyrtarisht deklarime në Polici, ne i kemi intervistuar 5 raste në bazë të përshkrimeve të publikuara, që kanë rezultuar të pavërteta”, ka sqaruar ai.
Diana Çarkaxhija, drejtore e Arsimit, ka thënë se ka qenë në kontakt me të gjithë drejtorët e shkollave të cilët nuk e kanë konfirmuar ndonjë rast konkret dhe me bazë për këto dyshime.
Në fund të konferencës për media, kryetarja e komunës, komandanti i stacionit policor dhe drejtoresha e arsimit kanë zhvilluar një takim me nxënësen dhe prindin e njërit nga rastet që kishin ngritur këto dilema, por as gjatë këtij takimi sipas njoftimeve të vet kryetares Kusari-Lila nuk kishte informata konkrete që mund ta pohonin se ka ekzistuar një tentim rrëmbimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here