Artan Gjyzel Hasani: Dua që në truallin letrar shqiptar të lë një gjurmë unike

0

Po hyre në faqen e poetit Artan Gjyzel Hasani në rrjetin social Facebook, do ta vëresh se janë afër 15 mijë ndjekës të poezisë së tij. Shumë “like”, shumë “share” e shumë komente.

Hasani, i cili jeton në Kanada, është autor i njëmbëdjetë librave, ku hyjnë më shumë poei, por edhe tregime e romane.

Në intervistë ai ka treguar që ka përshtypjen që Poezia në ditët e sotme, kohën e teknologjisë, është e rrezikuar nga ata që më së paku dinë ta shkruajnë atë.   Në një intervistë ai sqaron raportin e tij me shkrimin, ndikimin nga autorë të caktuar, relacionin me zhanret e Letërsisë…


Pse shkruani?

“Nuk shkruaj. Shkruhem”  – është një varg  nga një poemë e imja.

Çfarë motivesh kanë poezitë e juaja?

Përgjithësisht   erotike dhe  sociale. Jo rallë një ndërthurrje e të dyjave. Të zbulosh Tjetrin brenda Vetes  dhe Veten brenda  Tjetrit. Më  pëlqen të provokoj. Provokimi është një lloj bisturie që depërton me dhimbje e pa anestezi. Ndryshe nga sa mund të mendohet, kjo gjë kërkon jo vetem mungesë mëshire në raport me Veten, por edhe ndershmëri  në raport me Tjetrin.

Çfarë ndikimi mendoni se mund të ketë poezia te njerëzit?

Të shkruarit poezi është një akt individual ndaj nuk mund të flasim për një impakt social kolektiv të poezisë në përgjithësi, por mund të flasim për impakt të poetëve të  veçantë  në lexues  të veçantë. Një pakicë lexuesish ka nevojë për art elitar dhe mesazhet filozofike të Kadaresë apo ekzistencialiste të Arb Elos, por shumica ka nevojë për “bestsellers”  plot predikime patetike të Albatros  Rexhajt.

“Poezia e madhe  ka nevojë për audienca të mëdha”, thoshte Uitman, duke nënkuptuar nivel të lartë  cilësor të lexuesve. Duke perifrazuar poetin e famshëm amerikan, do të thoja  se  poezia  e dobët  ka nevojë për audiencë  të dobët,  jocilësore,  e cila  në vendin tonë, falë edhe zhvillimeve të shpejta në teknologjinë internetore , është me shumicë

Pa  dashur  të fyej e të keqpërdor dashamirësinë e rreth 15 mijë fansave të mi të deklaruar në facebook, dua të pohoj se nuk duhet konsideruar kurrë numri i madh  lexuesve si dëshmi e suksesit të një autori. Poezia ësht art i ndjesive te holla, dhe ne si popull jemi të paedukuar me leximin e poezisë.

Të shkruarit nga art është bërë sport, një sport masiv kombëtar. Kjo dukuri ka një të keqe, se bën masive letërsinë e keqe të shkruar nga një brez  “poetësh” injorantë  që nuk e dinë se poezia  është  art, madje arti më  fin. Grafomanët  janë kudo në internet sot. Ofrojnë barcoleta si poezi, mllefe personale të zakonshme si poezi, paragrafë  të tërë  llafesh të rradhitur si vargje, kuplete, fjalë të urta, ekuacione, gjëagjëza, proza apo copëza  komentesh, pra  gjithçka sot serviret nën emrin poezi. Nuk dinë asgjë  për  ritmin, imazherinë, figuracionin artistik, metaforat, rimat e brendshmë, asociacionet,  pra nuk njohin asnjë element bazë  të  ligjërimit poetik. Por arti poetik nuk mund të jetë  llomotitje grafomanësh delirantë.

Nga ana tjetër, fatkeqësisht  ky është një proces i pakthyeshëm.  Artit  Poetik po i afrohet  vdekja. Pra është krijuar ajo që në mjekësi quhet “feedback negative”  mes autorëve të dobët dhe audiencës  së dobët  që ushqejnë dhe rrisin njëra tjetrën. Kjo klimë  dekurajon ata që duan vërtet të bëjnë art.

“Pse nuk shkruan më ? ”, pyeta një poet dikur shumë premtues. “Për kë të shkruaj?”, më tha. “Për derrat?” ‘Po nuk ka veç  derra, ka edhe  sorkadhe…” ia ktheva. “Sorkadhe? Ke parë  ndonjëherë sorkadhe pranë moçalit ti?”

Cilët autorë ju pëlqejnë, ndërkombëtarë po edhe shqiptarë?

Prozatorë  të huaj të preferuar ? Tolstoi,Balzak, Hugo, Mopasan, Edgar Poe, Henry James, Remark, Cvajg, Grin, Markez, Roth, De Lilo, Bukowski, e plot të tjerë. Janë  vërtet të shumtë mjeshtrat e mëdhenj prozës botërore.

Poetët e huaj ? Përtej treshes klasike ruse Pushkin, Lermontov, Esenin, shijoj  edhe Bodler,Kavafis, D’Anuncio, dhe Neruda.

Refuzoj  të rilexoj Beat Generation (Guinsberg and co) dhe poezinë bashkëkohorë anglosaksone  të cilën nuk e gjej aspak poetike në tërësinë e vet, me ndonjë përjashtim të vogël sigurisht.

Nga autorë shqiptarë, në prozë vazhdoj të preferoj  vetëm Kadarenë, kurse në poezi  përveç Mjeda, Migjeni dhe Rreshpja, shijoj Arb Elo-n, që është emri i artit i një poeti  të jashtëzakonshëm dhe unikal  shqiptar. Pa pasur aspak frikë  se mos e teproj, mendoj  që  Arb Elo  duhet studiuar nga kritika  letrare ( ku ndodhet kjo  kritikë  vallë?)  dhe të  përfshihet  në programet  dhe antologjitë  serioze të  specializuara  të letërsisë shkollore. Së fundmi më ka tërhequr vëmendjen edhe  Alban Bala, një lirik  modern që di të krijojë metafora  të mahnitshme.

A mund të jetohet sot nga arti i poezisë?

Liriku më i mrekullueshëm  shqiptar Frederik Rreshpja  vdiq   si  varfanjak në vitin 2006. Vitet e fundit të jetës i kaloi shpesh  i pastrehë  duke fjetur në shkallët e Pallatit të Madh të Kulturës.

A shkruani vetëm poezi apo edhe zhanre të tjera?

Përveç  poezisë, unë shkruaj dhe botoj edhe në prozë, të shkurtër  dhe të gjatë, tregime e romane. Jam marrë edhe me përkthime autorësh të spikatur dhe me publicistikë, kjo e fundit  falë punës sime si gazetar për shumë vite.

Cilat janë synimet tuaja si krijuese?

Basti im si autor nuk është vënë me lexuesin, por me letërsinë. Një bast i humbur me artin  është fatal për një artist, një bast i fituar me artin është përjetësi, kurse një bast i fituar me lexuesin është diçka e përkohshme si vesa e mengjesit, dhe, nga ana tjetër, një bast i humbur me lexuesin jo gjithnjë duhet parë si humbje  artistike.

Nuk e kam fshehur kurrë  që si autor dua që në  truallin letrar shqiptar  të lë një gjurmë  unike të paimitueshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here