Arta Rama-Hajrizi do të nisë punën si kryetare e Gjykatës Kushtetuese,derisa mbi të rëndon një procedurë hetimore

0

Procesi hetimor i Prokurorisë Speciale të Kosovës kundër gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, nuk ka qenë pengesë, që ajo të bëhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ky institucion, përmes një komunikate për media njoftoi se, Arta Rama Hajrizi është zgjedhur kryetare e re gjykatës me votat e gjyqtarëve të Kushtetueses dhe se do të marrë postin pas përfundimit të mandatit të kryetarit aktual, Enver Hasani, më 26 qershor.

Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi për Top Channel se, ndaj kryetares së re ka një procedurë hetimore lidhur me pohimet e Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi. Bëhet fjalë për vazhdimin e mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, për çka Avokati i Popullit ka zbuluar se ka pasur mungesë kuorumi, ndërkohë që ka akuzuar gjykatën për mashtrim të opinionit publik.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese kishte deklaruar se zgjedhja është bërë në mënyrë të ligjshme. Për këtë çështje, Sami Kurteshi, në një konferencë për media bëri të njohur se gjyqtari Robert Carolan, më 13 shkurt ka treguar se nuk ka marrë pjesë në procedurën e rastit.

Sipas Kurteshit, mospjesëmarrja e gjyqtarit Carolan në atë procedurë nuk përbën thjesht çështje proceduriale, por konteston në tërësi vlefshmërinë e aktvendimit të gjykatës. Pa pjesëmarrjen e tij, gjykata nuk kishte kuorimin e duhur prej 7 gjyqtarësh për të marrë vendimin.

Kryetarja e sapozgjedhur e Gjykatës Kushtetuese, në këtë rast ka qenë gjyqtare raportuese, ndërsa hetime po zhvillohen edhe ndaj Enver Hasanit, të cilit i përfundon mandati më 26 qershor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here