Arsimimi ju jep rrënjë dhe krahë

0

MICHAEL GRANOFF

Është një nder dhe privilegj për mua që të ndaj disa mendime me ju sot dhe ju falënderoj që më ftuat. Duhet të pranoj se u lehtësova që këtë bisedë do ta zhvillojmë në anglisht. Disa vjet më parë m’u dha medalja “Nënë Tereza” nga Presidenti i Shqipërisë dhe mendova se ishte mirë që të flisja diçka në shqip. Huazova një shprehje nga Presidenti Kenedi për të thënë se “ne ishim të gjithë shqiptarë” dhe përfundova duke thënë se “ishim të gjithë shqiptare”.
Kam 20 vjet që vij në Shqipëri, duke filluar nga viti 1995, pasi Presidenti Klinton më kërkoi t’i bashkohesha bordit të një fondi të ri për zhvillimin ekonomik pas rënies së komunizmit. Para emërimit tim nuk kisha takuar kurrë një shqiptar. Tashmë kam bashkëpunuar me pesë apo gjashtë kryeministra dhe presidentë të të dy partive kryesore dhe po aq ambasadorë të SHBA-ve në Shqipëri. Kam udhëtuar në shumë vende të botës dhe asnjëherë nuk jam ndier kaq i mirëpritur sa në Shqipëri.
Para se të filloj, dua të mendoni se pse ka një marrëdhënie unike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Nuk kemi lidhje gjeografike, gjuhësore, ka shumë pak tregti dhe madje edhe shumë pak histori. Sidoqoftë, edhe pse nuk kemi të përbashkëta shumë gjëra të prekshme, ne kemi të përbashkëta shumë gjëra të paprekshme. Ne kemi të përbashkëta vlerat, qëllimet dhe një ndjenjë përgjegjësie ndaj njëri-tjetrit. Çdonjëri prej nesh është një përfaqësues i lidhjes së fortë të miqësisë mes popullit shqiptar dhe amerikan. Është kjo lidhja ku jam përqendruar gjatë gjithë këtyre viteve, një lidhje që tejkalon politikën, partitë apo ideologjinë.
Sot ju ftoj që të mendoni për tri ide bashkë me mua. E para është që të gjithë ju këtu do të përdorni atë që mësoni këtu për të realizuar aspiratat personale. Së dyti, eksperienca ime më thotë që vështirësitë krijojnë më shumë mundësi sesa suksesi dhe se ndonjëherë rruga më e gjatë është në të vërtetë rruga më e shkurtër. Dhe së treti, ju jeni ndryshe nga studentët e universiteteve të tjera. Ju keni mundësinë dhe përgjegjësinë për të kontribuar për ndërtimin e vendit tuaj.
Kështu që mendimi im i parë për ju lidhet me aspiratat personale: zgjedhjet që bëjmë për të arritur potencialin tonë më të lartë. Përfitimi më i rëndësishëm i arsimimit tuaj mund të jetë pikërisht kjo – zgjedhja. Mendoni një moment dhe kuptoni se sa me fat jeni. Qëllimi i arsimimit është t’ju japë dy gjëra, rrënjë dhe krahë. Rrënjë për të pasur vlera, kulturë dhe lidhje. Krahë për t’ju mundësuar të arrini ëndrrat tuaja.
Më lejoni të ndaj me ju disa sugjerime:
– Steve Jobs, themeluesi i Apple, nxori këtë mesazh pas disa vëzhgimeve: Koha juaj është e kufizuar, kështu që mos e shpenzoni duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Mos bëni atë që të tjerët mendojnë se duhet të bëni. Për shembull, unë studiova Shkencë, por vendosa që të mos bëhem shkencëtar apo mjek dhe vazhdova studimet në Juridik, por kurrë nuk punova si jurist. Bëni atë që dashuroni, kërkoni lumturinë dhe dëgjoni zërin e brendshëm.
– Shumica e pengesave në jetë vijnë nga brenda jush dhe jo nga jashtë. Merrni kohë për t’u përqendruar në të brendshmen, ashtu si edhe në të jashtmen. Ju jeni më shumë se CV-ja juaj. Fillova të praktikoj meditimin kur isha 15 vjeç; isha një djalosh i çuditshëm. Të mësosh për veten të çon drejt ndryshimit pozitiv. Dhe mësimi është një nevojë e të gjithë jetës në një botë që ndryshon. Përqendrohuni në ndërgjegjshmërinë. E kaluara iku dhe e ardhmja nuk ka ndodhur. Jini në këtë moment!
– Eksperiencat tuaja në jetë do të lidhen në mënyra që nuk mund t’i imagjinoni. Jeta nuk është lineare. Unë u diplomova në biologji molekulare në kolegj, punova në Kongresin e SHBA në politikën e jashtme dhe përfundova duke drejtuar një fond privat investimesh, duke punuar për të ndihmuar në ndërtimin e Shqipërisë. Isha i pakualifikuar për çdo punë që kam bërë. Koha është pak dhe koha është shumë. Ne të gjithë kemi fatin tonë. Kërkojeni atë.
– Së fundmi, Gandi tha: “Jini ndryshimi që doni të shihni”. Veprimi është thuajse përherë më i mirë se mosveprimi. Pyesni veten nëse po kontribuoni më shumë ndaj forcave pozitive sesa ato negative.
Mendimi im i dytë është për natyrën e vështirësive. Ato janë konstante në botën tonë dhe do na prekin të gjithëve. Por shumica e njerëzve do ju thonë se ata kanë mësuar më shumë nga vendimet e gabuara sesa vendimet e mira. Unë kam bërë shumë gabime. Mund të mësosh më shumë nga dështimet dhe sfidat. Kështu që pranojini ato dhe mos i lejoni t’ju ndikojnë. Ne mund të kalojmë më shumë vështirësi sesa mendojmë se mundemi. Këmbëngulja dhe djersa janë të nënvlerësuara. Po ashtu bëni miq më të mirë në vështirësi, unë të paktën e di që kam bërë.
Dy mendimet e para aplikohen për studentët e të gjitha universiteteve. I treti është ai që ju dallon. Ndërsa Shqipëria ka kulturë të vjetër, mbetet një vend i ri në zhvillim. Ju mund të vendosni se çfarë vendi bëhet Shqipëria. Nuk dua të them se do të jetë një kapitull që do të shkruhet me lehtësi. Ndërtimi i kombit është i vështirë. Unë këtë mund ta them, sepse e shoh nga afër prej 20 vjetësh. Presidenti Kenedi një herë tha: “Ne e bëjmë jo sepse është e lehtë, por sepse është e vështirë”.
Puna ime në Shqipëri nuk paguhet dhe sërish mbetet një nga pjesët më të shpërblyera të jetës sime. Kështu që vendoseni zhvillimin personal edhe në kontekst të asaj që mund të bëni për të zhvilluar vendin.
Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, në 1995, pashë një vend thuajse pa infrastrukturë dhe me shumë pak tregti. Pista në aeroport përfundonte me kalldrëm dhe trafiku bllokohej nga delet dhe jo nga makinat. Shqipëria ishte vendi më i varfër në Europë dhe shqiptarët sapo kishin filluar të shihnin dritën e lirisë pas më se gjysmë shekulli errësire të diktaturës brutale komuniste. Por kjo ishte gjysma bosh e gotës. Gjysma plot ishte se shqiptarët kishin një dëshirë shumë të madhe të ndrydhur për liri, për mundësi, për arsimim dhe për lidhje me botën.
Modeli i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, të cilin unë kam nderin ta drejtoj, është një tregues se çfarë është e mundur. Fondi investoi mbi 109 milionë USD në 40 kompani dhe e rriti fondin prej 30 milionë USD në mbi 200 milionë USD. Ne krijuam më shumë se 7.000 vende pune dhe kontribuuam me mbi 2 miliardë USD në PBB të Shqipërisë. Fondi transformoi industritë, promovoi politikat e mira publike dhe kontribuoi për zhvillimin e një sektori privat të lulëzuar të ekonomisë. Investimet e fondit ndërtuan Aeroportin “Nënë Tereza”, themeluan Bankën Amerikane të Shqipërisë, bënë pasaportat tuaja, kartat e identitetit e madje ju mundësuan edhe të bëni pazaret në TEG. Fondacioni ynë është tani OJF-ja më e madhe në Shqipëri me një ndihmë prej mbi 185 milionë USD. Në vetëm pak vjet kemi angazhuar më shumë se 18.5 milionë USD për 26 projekte në fushat e arsimimit, zhvillimit të lidershipit, trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të biznesit.
Projektet e fondacionit kanë nxitur rinovimin urban në Korçë dhe Shkodër, kanë rigjallëruar jetën në qendrat kulturore të Beratit dhe Krujës, kanë sjellë parzmoren e Skënderbeut në Shqipëri, kanë trajnuar mijëra fëmijë shqiptarë për biznesin me Junior Achievement, kanë krijuar një program lidershipi të modeluar sipas US White House Fellows Program dhe po punojnë për të zhvilluar një model të ri të menaxhimit të trashëgimisë kulturore. Dhe ky është vetëm fillimi. Ju mund të bëni më shumë dhe më mirë.
Por ne nuk mund ta shohim ndërtimin e një kombi sikur është në vakum. Jemi përherë e më të ndërlidhur. Çfarë duhet të mësojmë nga bota rreth nesh? Bota jonë po ndryshon më shumë sesa mendonim dhe në të njëjtën kohë nuk po ndryshon aq shumë sa mendonim. Revolucioni teknologjik vazhdon ta afrojë botën më afër, por duke treguar dobësitë e sigurisë dhe tregut. Mundësitë e ekonomisë globale po ndryshojnë dhe përplasja e fuqive të vjetra e fuqive të reja sjell më shumë zhgënjim sesa inkurajim. Shikoni ç’po ndodh në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme!
Sfidat tonat më të mëdha në afat të gjatë mund të jenë destabiliteti, pabarazia dhe paqëndrueshmëria. Do të dëshiroja të mund t’ju thosha se po i zgjidhim këto çështje në mënyrë të drejtë. Qeveritë në të gjithë botën duket se po vuajnë nga e njëjta sëmundje, mosfunksionimi i siguruar reciprokisht. Ka një thënie të vjetër nga një ish-president amerikan “të gabosh është njerëzore dhe të fajësosh dikë tjetër është politike”.
Kështu, pra, si do e ndërtojmë jetën tonë dhe kombin tonë? Më lejoni t’ju sugjeroj se çelësi është të bëjmë dy gjëra të rëndësishme në të njëjtën kohë. Së pari kemi një sistem të pandryshueshëm vlerash. Nuk është aspak e lehtë kur ndërsa të gjithë fëmijët e tjerë kacavirren nëpër tarraca, prindërit e tu të thonë të mos e bësh. Së dyti, ndërsa ruajmë të pandryshuar sistemin tonë të vlerave, duhet që në mënyrë konstante të përshtatemi dhe ndryshojmë. Njerëzit nuk e pëlqejnë as këtë. Nëse u përmbahesh vlerave të tua dhe nuk përshtatesh shpejt, kthehesh në një dinozaur. Nëse ndryshon shpejt dhe nuk u përmbahesh vlerave të tua, atëherë do të të marrë era.
Ura lidhëse mes zhvillimit personal dhe ndërtimit të kombit janë njerëzit që ndërtojnë institucione që mundësojnë qëllimet tona. Për shembull, sundimi i ligjit, mundësitë e barabarta dhe një fushë loje me rregulla të njëjta për të gjithë. Demokracia është më shumë sesa akti i mbajtjes së zgjedhjeve. Në fund të fundit, zhvillimi njerëzor përcaktohet më shumë nga arritjet kolektive, sesa nga pasuria apo burimet natyrore. Janë njerëzit që bëjnë ndryshimin. Është një lojë e gjatë ku nuk mund të lejojmë të na humbë asnjë minutë. Dhe, siç ka thënë mikesha ime Hilari Klinton, duhet e gjithë shoqëria për të rritur një fëmijë dhe jo vetëm prindërit.
Shkenca na thotë se gjenetikisht jemi 99.5% njëlloj. Duhet të përqendrohemi në atë që na bashkon dhe jo në atë që na ndan. Edhe në erën e të dhënave të dixhitalizuara, të njohjeve të shpejta dhe tregtisë online, është lidhja në nivel personal me familjen, miqtë dhe kolegët që na ushqen. Ne jemi ulur në hije të pemës që është mbjellë nga të tjerë; nga prindërit, nga mësuesit dhe nga këshilltarët. Mirënjohja është një vlerë e rëndësishme dhe shpresoj që ju të gjeni kohën për ta shprehur atë.
Jetojmë në një kohë që mund të jetë nga më interesantet në historinë e njerëzimit. Ndërsa unë nuk njihem si njeri shumë optimist, nuk mund të mos inkurajohem për të qenë i tillë duke parë çdonjërin prej jush këtu.

* Leksion i hapur në Universitetin Europian të Tiranës, i mbajtur nga Michael Granoff, kryetari i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here